Bisedoi: Elona Tereziu

Noti shqiptar mbushi 85 vjeç! Në  nderim të gjithë atyre që ”shkruan” historinë e notit në vend, Federata Shqiptare e Notit mbajti një ceremoni mirënjohjeje për të gjithë ish-notarët. Kjo ceremoni u mbajt në ambientet e ”Te Stela Resort”, ndërkohë që të pranishim ishin: Agim Çiraku, president i Federatës Shqiptare të Notit, Viron Bezhani, president i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Vladimir Gjonaj, drejtor i sporteve në Ministrinë e Sportit dhe Arsimit, Arjan Konomi, drejtori i sportit elitar në këtë institucion, si dhe emrat më të shquar të notit shqiptar ndër vite si: Enver Murriqi, Mark Shestani, Emin Lishi, Sadik Mema, Myrteza Didadi, Ilirjan Kreshpa, Ilir Gjebrea, Tomorr Dano, Bert Mustafaraj, Sulejman Poda etj.

Ndërkohë që për emrat: Enver Murriqi, Mark Shestani, Meriban Kadiu, Koço Afezolli, Emin Lishi, Petrit Guma, Edmond Mema, Fuat Murati, Esat Muzina, Ilir Gjebreja, Ilirjan Kreshpa,Tomor Dani, Skerdilajd Shyti, Shpëtim Kote, Sulejman Poda, Myrteza Didadi, FSHN shpërndau 18 certifikata mirënjohjeje.

Ky aktivitet u pasua nga ”Kupa 85-vjetori” ku morën pjesë notarët e vegjël nga klubet e gjithë Shqipërisë të ndarë në dy kategori, 14 vjeç e poshtë dhe 15 vjeç e lart, për vajza dhe djem.

Në përfundim të aktivitetit u ndanë dhe çmimet Notari dhe Notarja më e mirë e vitit për dy kategoritë e moshave, ndërkohë që e veçanta e këtij aktiviteti sivjet ishte njohja e rekordeve dhe rezultateve nga ana e FSHN-së.

Më tepër detaje rreth këtij aktiviteti përcjell për lexuesit e gazetës Shëndet+, kryetrajneri i Akademisë së Notit ”Te Stela”, profesor Sadik Mema.

Profesor, Akademia e Notit “Te Stela” mbylli një vit të sukseshëm duke u rikonfirmuar si kampione në Kupën 85-vjetori. Le të flasim pak për këtë aktivitet?

Ky aktivitet u realizua në kuadër të 85-vjetorit të krijimit të FSHN-së. Morën pjesë pothuajse të gjitha ekipet shqiptare dhe pati një ndarje në dy kategori për moshat, 14 vjeç e poshtë dhe 15 vjeç e lart.

Pati një pjesëmarrje të konsiderueshme, megjithëse me shumë mungesa për shkak dhe të virozave të stinës. Neve na munguan 21 notarë nga 59 me të cilët kishim parashikuar të merrnim pjesë.

Megjithatë, aktiviteti shkoi mirë, u thyen shumë rekorde dhe u ndanë çmimet për notarin dhe notaren më të mirë të vitit, për secilën kategori, sipas grupmoshave.  E veçanta e këtij aktiviteti ishte se të gjitha rekordet dhe rezultatet e arritura do të njihen nga Federata Shqiptare e Notit dhe do të pasqyrohen në tabelën e rekordeve kombëtare.

Çfarë fitoi Stela në këto gara?

Në këto gara ne fituam të dy kupat, si për vajza ashtu dhe për djem,  përmirësuam 18 rekorde kombëtare dhe zumë shumë vende të para, ku u dalluan notarët si: Deni Baholli, Ergi Veli, Gresi Koxhaku, Devi Bardhi, Endi Kola, Vivian Xhemollari, Sonja Kapedani  Hubert Çurçia, Gloria Ndoja, Alesia Daja, Mishel Xhaferi, Zeki Metalla etj. Deni Baholli, notari ynë, fitoi dhe çmimin si Notari më i mirë i Aktivitetit.

Le të flasim pak për Denin. A shërben ai si një model për të motivuar notarët e tjerë?

Sigurisht një notar me vlera si Deni, mund të shihet edhe  në këtë aspekt. Është 18 vjeç, stërvitet rregullisht, shkëlqen gjithmonë në gara, ndërsa në stilin e bretkosës është vërtet specialist.

Në këtë aktivitet që sapo mbyllëm, Deni garoi në 5 gara dhe në të 5-ta zuri vendet e para, megjithëse sapo ishte kthyer nga Kampionati Botëror i Notit në Kanada, ku përmirësoi tre rekorde kombëtare në 50,100 dhe 200 m bretkosë.

Megithatë unë mendoj se Deni ka ende shumë për të dhënë. Idhullin, shembullin, modelin e punës dhe sakrificës e tregojnë rezultatet dhe kjo çështje i takon vetëm Denit, sa i zoti do të jetë ai që të vazhdojnë ta shohin në këtë formë.

A keni bërë një bilanc të vitit që lamë pas. Sa medalje, kupa e trofe ka fituar Stela?

Ende nuk kemi bërë një bilanc, por sipas mendimit tim arritja më e rëndësishme ka qenë fitimi i dy kupave (14 vjeç e poshtë, 15 vjeç e lart) në Hecegnovi në shkurt të vitit 2016. Është një aktivitet vërtet madhor, pasi marrin pjesë mbi 30 shtete/ekipe nga vende të ndryshme të Evropës e Ballkanit.

I një rëndësie të tillë ka qenë dhe kampionati kombëtar për fëmijë ku ne kemi arritur të fitojmë 87 vende të para, rreth 40 të dyta dhe 20 të treta.

Përgjatë 2016-s kemi thyer mbi 150-160 rekorde kombëtare. Sigurisht këto nuk janë rezultatet e vetme, pasi kemi dhe shumë të tjera, por vlen për t’u theksuar dhe pjesëmarrja jonë në aktivitete e cila ka qenë gjithmonë më e plotë se çdo grup tjetër.

Çfarë synoni për këtë vit?

Të përmirësojmë sa më shumë rekorde, dhe në çdo aktivitet të vazhdojmë të jemi të parët.