A të çon mbipesha automatikisht në diabet? Flet endokrinologia Bariola Duro

Mjekja endokrinologe Bariola Duro, e ftuar në ciklin e podcasteve “Obeziteti, le të flasim për të”, ka shpjeguar nëse mbipesha dhe obeziteti çojnë automatikisht në diabet.

Sipas saj, përgjigjja është jo. Mbipesha, obeziteti dhe diabeti janë gjendje të lidhura me njëra-tjetrën, por nuk janë e njëjta sëmundje.

“Obeziteti nuk do të thotë baraz me diabet. Jo gjithmonë pacientët obezë dhe mbipeshë do të përfundojnë në diabet”, shprehet Duro.

Ajo thekson se diabeti është një sëmundje multifaktoriale, ku përveç mbipeshës dhe obezitetit ndikojnë edhe faktorët gjenetikë, stili i jetesës dhe sëmundjet bashkëshoqëruese.

Çfarë ndodh në organizëm kur shtojmë peshë?

Sipas mjekes, shtimi i peshës, veçanërisht i dhjamit visceral në zonën e barkut, mund të ndikojë në rritjen e rezistencës ndaj insulinës.

“Dhjami visceral shërben tashmë dhe si një organ më vete që prodhon substanca inflamatore, substanca hormonale që ndikojnë në rritjen e insulinorezistencës”, shpjegon Duro.

Në këtë situatë, organizmi prodhon insulinë, por qelizat nuk i përgjigjen siç duhet. Me kalimin e kohës, pankreasi mund të mos arrijë më të kompensojë këtë rezistencë dhe kjo mund të çojë në zhvillimin e diabetit të tipit 2.

Megjithatë, edhe personat me peshë normale mund të zhvillojnë diabet, për shkak të faktorëve të tjerë, përfshirë predispozitën gjenetike dhe lloje të ndryshme të diabetit.

Sipas Duros, për këtë arsye menaxhimi dhe reduktimi i peshës është një nga shtyllat e rëndësishme të trajtimit të diabetit, krahas ndjekjes së rekomandimeve mjekësore.

Postime të ngjashme

A ndihmon uthulla e mollës në dobësim? Ja çfarë thonë studimet
Nobeli i Mjekësisë shkon për “çelësin e dritës” që ndez dhe fik neuronet
Gjashtë fëmijë të një kopshti përfundojnë në spital në Korçë, dyshohet për helmim
Vitamina D3: Përfitime për shëndetin dhe si ta merrni në mënyrën e duhur
Uri fizike apo emocionale? Endokrinologia shpjegon si ta kuptoni pse po hani
Dërgonin pacientë me kancer në klinikat private, SPAK mbyll hetimet për Onkologjikun
Fruthi rikthehet fuqishëm në SHBA, 5 viktima në Pensilvani/ Mbi 3,650 raste gjatë vitit 2026
Mjekja: Obeziteti te moshat pediatrike, kambanë alarmi