Denisa Canameti / Shendeti Online dhe gazeta Shëndet+

20 është numri i mjekëve të dënuar me burg në dy vitet e fundit në Shqipëri kur ne kemi vetëm 7.000, ndërkohë që Amerika me 500.000 mjekë ka vetëm tre të dënuar. Një gjë e tillë, por edhe vënia shpesh në shënjestër për pakujdesi në mjekim, i ka bërë mjekët që të bëhen bashkë dhe të kërkojnë ndryshime në Kodin Penal, duke kërkuar “të ndahet qartë pakujdesia nga gabimi mjekësor. Dhe kjo ndarje nënkupton edhe qartësimin e masave ndëshkuese karshi fenomeneve në mjekësi”.

Mjekët kanë protestuar kundër arrestimit të kolegëve të tyre dhe rasti më i fundit ishte ai  vdekjes së një gruaje në muajin e nëntë të shtatzënisë në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë. Familjarët e të ndjerës akuzuan shërbimin spitalor, mungesën e mjekëve dhe moskryejen e ekzaminimeve përkatëse si shkak për humbjen fatale.

Menjëherë pas këtyre akuzave, policia e Tiranës ekzekutoi urdhër-arrestin për dy mjekët e këtij materniteti që ishin roje dhe pritën rastin në fjalë.

“Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë urdhër ndalimi për dy mjekë të spitalit “Koço Gliozheni”, pasi, në bazë të materialit hetimor të deritanishëm, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”. Urdhri është ekzekutuar mbrëmjen e djeshme”.

Pas arrestimit të mjekëve, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i bluzave të bardha të cilët përmes një dekalarate të firmosur nga shoqatat e profesionistëve kërkuan të rivlerësohen nenet që kanë të bëjnë me mjekimin e pakujdesshëm

Mjekimi i pakujdesshëm kurrsesi nuk mund të përdoret si baza e një akt-akuze, përndryshe do të futeshin në burg të paktën një herë përgjatë jetës gati 50 për qind e mjekëve dhe kryesisht ata të rinj”, shkruhej në deklaratë.

Pas bërjes publike të kësaj dekalarate, të iniciuar nga mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni” e të mbështetur nga të gjitha shoqatat e profesionistëve, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj kërkoi rivlerësim të legjislacionit për përgjegjësitë penale të mjekëve gjatë ofrimit të shërbimit mjekësor.

Për këtë, ai ka qenë nismëtar i një takimi me ekspertë të drejtësisë, Urdhrin e Mjekut, Avokatin e Popullit, profesorë të Mjekësisë dhe struktura të tjera, për të dhënë idetë e tyre në Kodin e ri Penal, që po hartohet nga Ministria e Drejtësisë.

“Na duhet një plotësim më i mirë i kuadrit tonë ligjor, lidhur me gabimin, neglizhencën, pakujdesinë dhe fatkeqësinë mjekësore, nga njëra anë. Një plotësim i legjislacionit për atë që lidhet me gjërat që vijnë nga mosveprimi i mjekut. Një pjesë e mirë e këtyre çështjeve mund të zgjerohen te përgjegjësitë civile, e të mos mbeten vetëm te përgjegjësitë penale”, deklaroi ministri Beqaj.

Ministri i Shëndetësisë thekson se duhen qartësuar pozitat dhe përgjegjësitë e mjekëve sipas rasteve, për të lënë më pas drejtësinë të veprojë.

Në këtë takim u vendos që të gjitha grupet e thirrura të reflektojnë mbi ndryshimet që ata propozojnë të bëhen në Kod.

Të kontaktuar nga Shëndet+, presidenti i Urdhrit të Mjekut të Shqipërisë, Fatmir Brahimaj, pak ditë me parë, zbuloi propozimet që Urdhri ka bërë lidhur me ndryshimet në Kod:

Unë u kam dhënë modelin slloven që ka disa nene, është shumë i gjerë. Kanë bërë një draft në komisionin e ligjeve.  Propozimi im është i plotë si vijon:

“Kur mjeku apo personeli tjetër mjekësor gjatë praktikës profesionale kryejnë mjekim të pakujdesshëm, domethënë kryejnë veprime që bien ndesh me udhërrëfyesit, protokollet apo standardet profesionale të miratuara ose, në mungesë të tyre, nuk zbatojnë logjikën mjekësore në përputhje me kualifikimin profesional dhe rrethanat e ndodhura, dhe për pasojë të këtyre veprimeve dëmtohet rëndë shëndeti, rrezikohet jeta e të sëmurit apo shkaktohet vdekja e tij, dënohen me gjobë apo burgim jo më shumë se 3 vjet”.

Për të njëjtën çështje Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, mblodhi në një takim pune përfaqësues të Shoqatave të profesionistëve të shëndetit, Presidentët e Urdhrave të profesionistëve të shëndetit dhe shefat e shërbimeve të specialiteteve, ku u diskutua në lidhje me propozimet për rishikimin e dispozitave të caktuara të Kodit Penal të Shqipërisë.

Gazeta Shëndet+ kontaktoi përfaqësuesit e Shoqatës Shqiptare të Obstetrikë- Gjinekologjisë, të cilët  u përfaqësuan në mbledhje nga mjeku Rezar Ajazi.

Përfaqësuesit e shoqatës, thanë për Shëndet+ se: “Ne ishim të pregatitur për sugjerimet tona. Qëllimi është të ndahet qartë pakujdesia nga gabimi mjekësor. Dhe kjo ndarje nënkupton edhe qartësimin e masave ndëshkuese karshi fenomeneve në mjekësi.

“Ne në mënyrë të prerë dhe të qartë kërkojmë mosdënimin me burg të mjekëve për çështje të gabimeve mjekësore. Vetëm kur pakujdesia mjekësore të ketë karakter kriminal,  të parashikohet qartë në nen masa ndëshkimore. Për këtë ne nxorëm një dokument që ia lamë ministrit në dorë.

“Ministri la një detyrë që çdokush të çojë në një adresë të caktuar mendimin e vet, na ja dhamë mendimin tonë. Në thelb kërkojmë heqjen e dënimit me burg në rastet e gabimeve mjekësore dhe specifikimin e qartë kur neglizhenca mjekësore(mjekimi i pakujdesshëm) është një vepër kriminale” shprehën përfaqësuesit e shoqatës për Shëndet+.

Propozimi i plotë:

Komente mbi ndryshimet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë në Kodin Penal:

Neni 96

“Shkelja e etikës mjekësore dhe trajtimi mjekësor alternative”

Paragrafi i parë dhe i dytë i nenit 96 të riformuluar, parashikojnë të njëjtën vepër penale: në rastin e parë për “mjekun” ndërsa në rastin e dytë për “punonjësit e tjerë mjekësorë”.

Të dy këto kategori mund të përfshihen në një paragraf, pasi në fakt janë përsëritje të njëra- tjetrës.

Formulimi i paragrafit të dytë është jo i duhur edhe për sa  përket terminologjisë së përdorur: “ veprimi apo mosveprimi i punonjësve të tjerë mjekësorë, të cilat gjatë kryerjes së detyrave”, nënkupton se vepra kryhet vetëm me veprim konkret: “gjatë kryerjes së detyrave”, në një kohë kur në fillim përcaktohet si “veprim apo mosveprim”.

Shtimi në dispozitën penale dhe i shprehjes “dhe me shpërblimin e dëmit të shkaktuar pacientit”, nuk mund të qëndrojë dhe nuk mund të parashikohet në Kodin Penal. Shpërblimi i dëmit është pjesë e të drejtës civile dhe vendoset civilisht nga gjykata civile apo nga gjykata në procesin penal, por gjithmonë nëpërmjet padisë civile (nëse ajo pranohet te shqyrtohet së bashku me çështjen penale nga gjykata). Parashikimi i veprës penale në Kodin Penal mjaftohet me përcaktimin e verpimit të kundërligjshëm, formën e fajit dhe dënimin penal. Nëse mjeku apo punonjësit e tjerë mjekësore deklarohen fajtorë me vendim të gjykatës penale, ky element sigurisht që do të shërbejë tek pacienti i prekur për kërkimin civilisht të shpërblimit të dëmit të shkaktuar.

“Shpërblimi i dëmit” nuk është dënim penal, dhe nuk parashikohet si i tillë nga Kreu V i Kodit Penal (Dënimet). I vetmi moment kur parashikohet ky koncept është në përcaktimet e nenit 60 (detyrimet e të dënuarit të vënë në provë), pika 3 të Kodit Penal. Por, kjo gjithmonë nëse dënimi kryesor është ai me burgim dhe gjykata vendos të pezullojë ekzekutimin e tij dhe të vërë në provë të pandehurin. Ky nuk është rasti i dispozitës që propozohet, pasi në të nuk parashikohet dënimi me burgim me burgim dhe si e tillë, as nuk mund të aplikohet vënia në provë dhe aplikimi I riparimit të dëmit civil të shkaktuar.

Gjithashtu, në Kodin Penal nuk gjendet ndonjë përkufizim apo trajtim i “dëmtimit të konsiderueshëm të shëndetit të pacientit”, por i “dëmtimit të rëndë dhe rrezikimin e jetës”. Sugjerohet mos ndryshimi i këtij përkufizimi, i cili do të ishte shumë i gjerë në aplikimin e tij në praktikë.

Sugjerohet riformulimi dhe bashkimi i këtyre dy paragrafëve në një të vetëm si më poshtë:

“Veprimi apo mosveprimi i mjekut ose  punonjësve të tjerë mjekësore në kundërshtim me kërkesat e  kodit të etikës profesionale, duke shkaktuar dëmtim të rëndë të shëndetit të pacientiti apo duke rrezikuar jetën e tij, dënohet me gjobë dhe heqje të së drejtës së ushtrimit të profesionit”. / http://shendeti.com.al/