Kryefaqja Box 2 Ëmbëlsira japoneze, të shumëllojshme, shumëngjyrëshe dhe shumë të shijshme

Ëmbëlsira japoneze, të shumëllojshme, shumëngjyrëshe dhe shumë të shijshme

0
Shpërndaje

Përshtati në shqip për Shëndeti Online dhe gazeta Shëndet+: Blertina Koka

Harrojini çokollatat dhe tortat kur të udhëtoni për në Japoni. Atje do të gjeni ëmbëlsira tradicionale japoneze, të shumëlllojshme, shumëngjyrëshe dhe, më e rëndësishmja, shumë të shijshme.Tek ëmbëlsirat japoneze do të gjeni shpesh dy përbërës kryesorë: salca e ëmbël me fasule të kuqe dhe moçi. Sigurisht që ka edhe ëmbëlsira të tjera që konsumohen shumë në këtë shtet të njohur për shpikjet gjeniale dhe bukurinë. Cilat janë ëmbëlsirat më të mira japoneze? Hidhuni një shikim!

Moçi

Nuk mund të flasësh për ëmbëlsirat japoneze dhe të mos përmendësh moçin. Kjo ëmbëlsirë japoneze me oriz ofrohet me të gjitha ngjyrat e ylberit dhe në çdo madhësi. Edhe pse përdoret më shumë si përbërës tek disa ëmbëlsira të tjera (disa prej të cilave janë të listuara më poshtë), mund konsumohet edhe siç është dhe të ofrohet si qerasje për të ftuarit.

Dango

Dango duket afërsisht si moçi, por në fakt prodhohet me një lloj ëmbëlsire e quajtur moçiko. 3-4 dango piqen bashkë në hell dhe mbulohen me një salcë pikante. Varieteti i salcave është i ndryshëm, duke filluar nga salcat e përgatitura me gështenja deri tek salca e sojës. Kjo ëmbëlsirë e vogël është shumë e preferuar në Japoni për kombinimin perfekt që u bëhet shijeve të ëmbla dhe atyre të kripura.

Konpeito

Konpeito është një karamele japoneze e ëmbël, që ofrohet zakonisht me formën e yjeve të vegjël. Karamelet shumëngjyrëshe kanë zakonisht më pak shije, megjithatë mund t’ju zbukurojnë tryezën.

Monaka

Monaka është biskotë japoneze. Nga jashtë ka vafer, ndërsa përbrenda mbushet me salcën e ëmbël me fasulet azuki (mos imagjinoni fasulet që hamë në shtëpi. Janë krejt ndryshe). Mbushja mund të bëhet edhe me gështenja, fara susami ose ëmbëlsira orizi.

Jokan

Jokan është një ëmbëlsirë xhelatinoze që ndahet zakonisht në kubikë. Shija dhe format janë të ndryshme, ndërsa vetë xheli prodhohet me të njëjtët përbërës si salca e ëmbël me fasule të kuqe, sheqer dhe agar (substancë xhelatinoze që merret nga algat e detit). Kjo ëmbëlsirë shërbehet zakonisht e ftohtë dhe përdoret shumë për qerasje gjatë verës.

Uasanbon

Nëse nuk keni probleme me dhëmbët, atëherë uasanbon është ëmbëlsira japoneze perfekte për ju. Një ëmbëlsirë e ngjeshur mirë, që vjen në forma dhe ngjyra të ndryshme, disa prej të cilave janë aq të bukura, sa të vjen keq t’i hash.

Hanabiramoçi

Hanabiramoçi përkthehet fjalë për fjalë ‘moçi me petale lulesh’. Është një ëmbëlsirë tradicionale japoneze dhe një nga qerasjet më të mira që mund t’u ofroni të ftuarve, sidomos gjatë festave. Kjo ëmbëlsirë e veçantë, e bërë me moçi, ka sipër një shtresë të hollë të mbushur me salcë të ëmbël fasulesh.

Sakuramoçi

Sakuramoçi bëhet me moçi të ëmbël në ngjyrë rozë nga jashtë dhe salcë të ëmbël fasulesh nga brenda. Ajo mbështillet gjithmonë me një gjethe lulesh japoneze, që mund të hahet. Kjo ëmbëlsirë është ndër më të preferuarat në Japoni dhe gatuhet shpesh në shtëpitë japoneze falë ingredientëve dhe recetës së thjeshtë.

Burimi: Nicko’s Kitchen/ https://shendeti.com.al/

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here