Përshtati në shqip për gazeta Shëndet+ dhe Shendeti Online: Blertina Koka

Franca ka urdhëruar pezullimin e shitjeve të një lloji suplementi të vitaminës D, pasi mendohet se i ka shkaktuar vdekjen një të sapolinduri.

Prindërit i kishin dhënë foshnjës 10-ditëshe një dozë të suplementit Uvesterol D, që përdoret gjerësisht në Francë për fëmijët nën 5 vjeç për të parandaluar mungesën e vitaminës D. Agjencia franceze e kujdesit shëndetësorë thotë se mund të ketë një lidhje mes këtij suplementi dhe vdekjes së foshnjës.

Ndërsa zyrtarët thonë se vdekja mund të ketë ardhur për arsye të tjera, shkruan gazeta Shendeti.

Ministrja franceze e Shëndetësisë, Marisol Touraine, gjatë një deklarate të dhënë për mediat franceze u shpreh se jo të gjitha suplementet e vitaminës D janë të rrezikshme për fëmijët. Ajo u premtoi prindërve “informacion transparent, objektiv dhe të besueshëm”.

Në një deklaratë tjetër për mediat franceze, agjencia kombëtare e sigurisë mjekësore (ANSM) tha se është ndaluar vetëm shitja e suplementit Uvesterol D, që merret me pipth.

Foshnja vdiq më 21 janar, pasi i kishin dhënë një dozë të kësaj substance nëpërmjet një pipthi plastik. Ai kishte filluar menjëherë të shfaqte shenja të mbytjes, dhe dy orë më vonë kishte ndërruar jetë për shkak të një arresti kardio-respirator.

Burimi: BBC / http://shendeti.com.al/