Shreku1

Për gazetën “Shëndet+” dhe Shëndeti Online

Copa historie nga jeta…

Kur Joni u sëmur, mjekët ishin të habitur. Pse hunda e tij, balli dhe këmbët filluan të bëhen të mëdha dhe zëri i tij më i thellë? Përfundimisht, ai gjeti përgjigjen për veten e tij.

Diçka e çuditshme filloi të më ndodhë rreth 10 vjet më parë. Numri i këpucëve të mia ndryshojë nga 42 në 44, të ardhurat e mia ranë dhe e dashura ime me të cilën kisha planifikuar të martohesha më la pasi ndaluam së bëri dashuri.

Nuk ishte vetëm seksi ose mungesa e tij. Unë gjithashtu ndryshova në mënyrë dramatike, personalisht dhe fizikisht. Hunda ime u bë më e madhe, balli im u zgjerua, fytyra dhe duart u frynë dhe u trashën. Dalëngadalë po merrja pamjen e Shrekut. Por këto ishin ndryshime graduale, siç më vonë e kuptova në retrospektivë.

Disa miq e vunë re më shpejt. Njëri, i cili nuk më kishte parë për katër vjet, dukej i tronditur: “Ke rirregulluar fytyrën?” i doli atij pa dashje. Motra ime më e vogël që ishte e drejtpërdrejtë, tha se dukesha sikur kisha qenë në luftë. Ndërsa unë kalova nga të qenët dinamik dhe krijues në person apatik dhe të rraskapitur. Gatishmëria ime ndryshoi thelbësisht. Isha shumë në ankth. Zëri m’u bë më i thellë. Trembesha nga trupi im dhe natën zgjohesha i djersitur, i frikësuar dhe gulçues.

Kam qenë një gazetar i suksesshëm, i pavarur dhe krijues filmash, por gjërat filluan të shkonin keq. Nisa të shkoja vonë në zyrë ose të mos shkoja fare. Shpesh bëja pak ose aspak punë. Shkoja në  shtëpi, por edhe atje nuk bëja asgjë. Flija në kohë të papërshtatshme në tryezën time, duke pirë çaj…

Një herë u përpoqa të dilja nga përgjumja duke filluar ndonjë projekt të madh të ri, por as kjo nuk funksionoi. Kështu humba vetëvlerësimin.

Nga viti 1997 deri në verën e vitit 2001 u vizitova tek të gjithë ekspertët mjekësorë. Mjeku im i familjes kishte pothuajse 100 faqe shënime për mua. Por ata nuk gjetën asnjë problem me shëndetin tim. Dhe mendova se i gjithë problemi duhet të qëndronte tek unë. E kisha humbur toruan tërësisht.

Mjeku i familjes më dërgoi për këshillim tek një konsulent dhe kur i thashë se isha i shqeteësuar që nuk jam më krijues si më parë, ai tha: pas një moshë të caktuar nuk mund të presësh të jesh krijues si më parë. Isha vetëm 42 vjeç.

Një mundësi për të zbuluar se çfarë ishte e gabuar erdhi dhe kaloi. Një gungë e vogël m’u rrit në gjoksin e djathtë – gjinekomastia është termi mjekësor. “Ndalo marrjen e vitaminave”, tha një konsulent. “Operoje,” tha një tjetër.

Nuk u bë asnjë test hormonal për të përcaktuar shkakun. Nja dy javë para operacionit, gunga u zhduk. Më vonë, u rishfaq në kraharorin tim të majtë. “Injoroje”, më këshilloi një mjek tjetër.

Dermatologu im dështoi në vënien e diagnozës, duke mos zbuluar shkakun e vërtetë të akneve (puçrrave) të dhimbshme dhe kronike në shpinë. Mjeku ortoped dështoi duke mos gjetur arsyen për dhimbjen artikulare. Dentisti nuk arriti t’i kuptonte ndryshimet në dhëmbë dhe në kafshim.

Mjeku i familjes nuk arrinte të kuptonte kombinimin e shqetësimeve të mia duke përfshirë këtu depresionin, apatinë dhe gërhitjen. Kur niveli im i testosteronit u zbulua të ishte nën normë, mjeku më tha të shkoja pas 12 muajsh për rikontroll.

Kështu që kam luftuar me vite, pa u diagnostikuar. Edhe kur më në fund shkova tek një endokrinolog, ai nuk ishte në gjendje të bënte një diagnozë në kohë. Kjo ndodhi vetëm kur u bëra një pacient i mirinformuar dhe mblodha të gjitha simptomat e mia dhe zbulova se çfare nuk shkonte me mua.

Unë kisha akromegali, një sëmundje të komplikuar që rrezikon jetë, e shkaktuar nga një tumor jokanceroz i gjendrës së hipofizës, i depozituar në bazën e përparme të trurit,pas syve. Tumori shkakton një mbidozë masive të hormonit të rritjes. Dyshimi se kisha një sëmundje kaq të rëndë më çoi në gjendje shoku të thellë.

Endokrinologu im megjithatë nuk arriti ta konfirmonte diagnozën në 6 muaj që isha pacienti i tij. Pak më vonë dërgova një test për të kontrolluar nivelin e hormoneve të rritjes, por në momentin që rezultatet ishin gati, endokrinologu im ishte me pushime. Kërkova që t’i merrja vetë përgjigjet e analizave, por ata hezituan të m’i jepnin. Shumë i dëshpëruar u thashë: “Kjo mund të jetë një sëmundje e rrezikshme për jetën”. Përfundimisht një mjek i përgjithshëm telefonoi më pas dhe më tha: “Nivelet e hormoneve të tua të rritjes janë krejtësisht normale, kështu që nuk ka asnjë rrezik për jetën”.

U ndjeva i zhgënjyer. Ndoshta dyshimi im ishte krejtësisht i gabuar. “Mendova se nivelet e mia të hormoneve të rritjes mund të ishin shumë të larta”, thashë, ndërsa vazhdoja të kisha dyshimet e mia.

Mjeku i pranishëm më këshilloi të prisja për endokrinologun tim derisa të kthehej.

Unë nuk doja të prisja. Në vend të kësaj, i shkrova një eksperti të akromegalisë. I dërgova rezultatet e analizave të mia dhe i thashë që unë kam akromegali. Ditën tjetër ai telefonoi për të pyetur: “Kush e bëri diagnozën e akromegalisë?” “Unë e bëra,” i thashë disi me ngurrim. “E pra,” tha profesori, “ju keni plotësisht të drejtë.”

Kur e takova profesorin disa ditë më vonë, ai më tha që “mjafton të shohësh fytyrën tënde dhe mendja të shkon menjëherë tek akromegalia”. Rezultatet e analizave të mia treguan rritje të nivelit të hormoneve të rritjes. Pra, nuk kishte dyshim që kisha akromegali.

Diagnoza më në fund dha një shpjegim për të gjitha simptomat e mia të çuditshme dhe kjo ishte një lehtësim shumë i madh. Me siguri ndonjë nga mjekët e mi duhet të ketë qenë në gjendje të kuptonte çfarë po ndodhte me mua shumë më herët? Me sa duket, vonesa tipike në diagnozën për akromegali është 10 vjet ose më shumë. A është ky një dështim i mjekësisë? Sfida për mjekët dhe pacientët, është që të kapin sëmundjen në fillim, vite para se dëmi dhe deformimet të ndodhin.

Unë kisha nevojë të kurohesha, por e dija që me një tumor të madh, shanset e mia ishin të ulëta. Gjeta një nga neurokirurgët më me përvojë. Ai kishte kryer më shumë se 4000 operacionet e tumoreve të hipofizës, më shumë se kushdo tjetër në botë. Ishin të nevojshme dy ndërhyrje shumë të vështira dhe të rrezikshme.

Pas operacioneve, fytyra ime filloi të shkonte në normalitet dhe nivelet e mia të testosteronit u rritën. Gjumi m’u përmirësua. Aknet cistike mbi kurrizin tim u zhdukën. Më e rëndësishmja, nivelet e hormoneve të rritjes gjithashtu u ulën në mënyrë të konsiderueshme, por mjerisht, jo aq sa duhej. Analizat e gjakut treguan se unë ende kishte akromegali.

Kërkova përsëri ndihmën e ekspertëve të cilët më rekomanduan injeksione në sandostatinë çdo 4-6 javë. Niveli i hormoneve të rritjes tani është normalizuar.

Ndiej që kam bërë progres të konsiderueshëm megjithëse nuk jam kthyer akoma në punë. Kam ditët e mia të mira megjithëse ndonjëherë kam një lodhje të pashpjegueshme. Pas operacionit të dytë kam pasur një dhimbje të vazhdueshme koke, dhimbje artikulare që kërkuan ndërhyrje kirurgjikale në gju. Vitet që akromegalia mbeti e patrajtuar kanë bërë dëmin e vet dhe jo gjithçka mund të rikuperohet.  Megjithatë unë jam optimist dhe shpresoj që të rifilloj planet e mia të karrierës dhe të jetës. Kohët e fundit të gjithë mjekët në kontakt me mua u përpoqën të mësonin nga rasti im, gjë të cilën e përshëndes.

Pse pata akromegali?

Askush nuk e ka gjetur ende shkakun e akromegalisë. Ajo nuk është e trashëguar, as nuk është infeksion. Çdokush mund ta ketë, burra ose grua, në mënyrë të barabartë. E patrajtuar ajo mund të shkaktojë sëmundshmëri të rëndë, shëmtim (shfigurim) dhe vdekje të parakohshme.

Incidenca vjetore është menduar të jetë vetëm tre në një milion, por hulumtimi tregon që ky mund të jetë një nënvlerësim bruto. Gjendja nuk mund të jetë aq e rrallë, por thjesht është e diagnostikuar rrallë.

Akromegalia shkaktohet nga një tumor jokanceroz i hipofizës, duke shkaktuar prodhim të tepërt të hormonit të rritjes. Nëse zhvillohet në vitet e adoleshencës, quhet  gjigantizëm. Akromegalia është e njëjta gjë, por ndodh në moshën e rritur, në momentin që kockat dhe trupi në përgjithësi janë formuar dhe nuk mund të rriten më.

Prodhimi i tepërt i hormonit të rritjes mundet që rrezikshmërisht të zgjerojë, të shtojë indet e buta, të tilla si indet e zemrës dhe zorrës së trashë. Mund të shtrembërojë strukturën e kockave dhe të shkaktojë rritje të duarve, të këmbëve, të kokës. Nëse dyshohet, më pas diagnoza është e thjeshtë, bëhet analiza për të kontrolluar nivelin e hormoneve të rritjes.

Akromegalia nuk dëmton intelektin, kështu që unë me anë të kërkimit të shenjave të mia, sfidova mjekët.