Doktor Sami Galanxhi (1)

Bisedoi: Denisa Canameti

55 vjet studim dhe punë kërkimore! Shpërblimi? Heshtje dhe harresë! I mbetur jetim në vegjëli pasi familja e tij i dha dëshmorë tokës shqiptare, tashmë jetim në përjashtimin që shteti i ka bërë djersës dhe mundit të tij.

Doktor Sami Galanxhi mund të cilësohet pa asnjë hiperbolë një pasuri e pashtershme informacioni shëndetësor. Ai është Doktor i Shkencave Mjekësore, Specialist i Arsimit Shëndetësor, Specialist i Bimëve dhe Mjekësisë Popullore. Mbledhja e të dhënave rreth bimësisë, medikamenteve, fjalëve mjekësore duke ngritur kështu një fjalor mjekësor, kanë qenë edhe fokusi i gjithë punës së një jete të tërë. Pavarësisht kësaj, biblioteka kombëtare nuk ka në fondin e saj asnjë libër të doktorit, kjo për shkak se asnjë insitucion shtetëror nuk është interesuar që t’i botojë ato.

Një situatë e tillë bën që bisedat me doktor Galanxhin të kalojnë shpesh në nostalgji dhe nota zhgënjimi dhe dëshpërimi për një punë që, siç thotë ai, ka mbetur padrejtësisht e pavlerësuar. Bashkëpunëtor i gazetës sonë prej një viti, doktor Galanxhi vazhdon të shkruajë për njerëzit. Sepse puna që ai ka bërë, duhet të jetë në shërbim të njerëzve, një punë që Shqipërinë do ta ngrinte në nivele të tjera e megjithatë, burokracitë e kanë lënë të mbetet në hije.

Në një letër drejtuar redaksisë së “Shëndet+” dhe faqes shendeti.com.al, doktor Galanxhi vazhdon të këmbëngulë që kërkimet e tij të publikohen. “Për t’u shërbyer njerëzve”, thotë ai. Atyre për të cilët ai ka dhënë jo pak, por 55 vjet nga jeta e vet.

Doktor Galanxhi, si mund ta përmbledhim në disa rreshta fëmijërinë tuaj dhe jetën tuaj studimore?

Unë kam lindur me 16 maj 1936, në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, nga një familje e varfër patriotike. Familja ime i dha luftës Nacional Çlirimtare, tre partizanë, ndër të cilët një dëshmor. Gjatë luftës prindërit e mi, nëna dhe babai, më lanë jetim. Në vendlindje unë kam kryer shkollën fillore. Viti 1946 më gjen në ish-Strehën Vorfnore, në Laprakë të Tiranës, për të vazhduar shkollën “unike”. Në këtë jetimore me mbi 500 fëmijë përvetësuam ritmin tradicional të jetës: edukim-studim-punë. Që në moshën 10-vjeçare në këtë institucion shërbenim me grafik sistem dezhurni. Herë në fjetore, herë në bllokun mensë kuzhinë, herë në shkollë dhe herë në kopshtin e shkollës. Në verën e vitit 1947-1948 i shërbenin me ujë të pijshëm vullnetarëve të hekurudhës Tiranë-Durrës aty afër. Në vitet 1950-1954 vazhdova gjimnazin e Shkodrës “29 Nëntori” me bursën e shtetit. Edhe këtu vazhdonte motoja tradicionale: edukim-studim-punë. Kështu, në pushimet e verës na aktivizonin për fushatat e bujqësisë, si në: Barbullush, Bushat, Shtoj, Zadrimë etj., ndërsa në pushimet e viteve të fundit të gjimnazit të Shkodrës, na aktivizuan në brigadat kulturore dhe për librat si në fshatrat e Pukës: Lum, Trung, Tuç, Iballë etj dhe më tej në fshatrat Bradashesh e Shushicë të Elbasanit.

Në vitet 1954-1959 vazhdova studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, brezi i tretë i këtij fakulteti. Në pushimet verore të viteve 1956-1957-1958 punova si ndihmës mjek dhe përkthyes i gjuhës ruse në pavionet 19, 20, 21 të Pediatrisë në spitalin e vjetër numër 1 në Tirnaë, me mjekët e huaj, bullgarë e rusë si dr. Ana Bozaxhieva, dr. Gavrillov, dr. Fina Bitri etj. si dhe mjekët shqiptarë, dr. Selaudin Bekteshi, dr. Afërdita Gusho, dr. Rashela Cikuli, dr. Thoma Kristo etj. Që më aftësuan fuqishëm në fushën delikate të pediatrisë.

Cila ka qenë jeta juaj 37-vjeçare mjekësore në punë?

Unë për 37 vjet të jetës aktive mjekësore, kam shërbyer në udhëheqje të institucioneve shëndetësore të Shqipërisë, kështu: në vitet 1959-1964 kam qenë shef i shëndetësisë i MBP për rrethet: Kukës, Tropojë, Peshkopi, duke shërbyer nga 20 ditë për çdo muaj nëpër këto posta fshatra kryesore:

  • Piketa e Valbonës
  • Rragam i Thethit
  • Qerrem
  • Sulbicë
  • Doberdol
  • Kamenic
  • Padezh
  • Zherke
  • Lugu i Zi

Mehallë e epërmedhe Zogaj të rrethit të Tropojës, si dhe në postat e Kukësit si vjon: Qafë Prush, Dobrunë, Vlahen, Cahanaj, Pogaj, Morinë, Bardhoc, Zapod, Pakishtë, Borje, Shishtavec, Turraj, Buzëmadh, Cajmatrash ej duke vazhduar më tej me rreth 30 posta të rrethit të Dibrës, Peshkopisë, deri në Bulqizë. Në këtë periudhë kam ndjekur gjendjen higjieno-sanitare e shëndetësore të ushtarakëve, por edhe kam kontribuar për kurset e aktivistëve sanitarë, si dhe për kurset e gatimit të kuzhinierëve dhe të furrxhinjve të postave, pasi isha kuzhinier i kategorisë IV. Theksoj se me MBP unë shtriva aktivitetin mjekësor gati në të gjithë Shqipërinë.

Në vitet 1965-1966 isha Inspektor Sanitar Shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë në Tiranë dhe nëpërmjet saj në të gjithë vendin. Në vitet 1967-1968 shërbeva si inspektor dhe shef shëndetësie në Gjirokastër që kishte në patronazh dhe rrethet: Tepelenë, Përmet dhe Sarandë.

Në periudhën 1969-1974 shërbeva si mjek drejtor i Qendrës shëndetësore Fiershegan të rrethit të Lushnjës, me gati 25 fshatra e rreth mbi 20 000 banorë, këtu ndër të tjera përgatita “aktivistët sanitarë” për gati 20 fshatrat e zonës, që më vonë zëvendësuan infermierët në mungesë.

Në vitet 1975-1996 shërbeva dy detyra si drejtor i SHASH-it (Shtëpisë së Arsimit Shëndetësor) dhe si drejtor i ambulancës së parë të mjekësisë popullore të rrethit të Lushnjës.

Cilat janë funksionet kryesore të SHASH (Shtëpisë së Arsimit Shëndetësor ose të SHESH Shtëpisë së Edukimit Shëndetësor)? Roli i tyre dje, sot dhe për të ardhmen për shëndetin e popullit?

Kabinetet e arsimit, edukimit, kulturës shëndetësore janë institucionet shëndetësore të personelit shëndetësor dhe të gjithë popullit për forcimin-profilaksinë dhe trajtimi racional shkencor të sëmundjeve të ndryshme dhe për zgjatjen e jetës së popullit.

Ja disa detyra kryesore të SHESH që ne jemi munduar t’i realizojmë përgjatë periudhës 1975-1996 në rrethin e Lushnjës e më gjerë.

Riorganizuam format e edukimit shëndetësor në institucionet shëndetësore të rrethit të Lushnjës.

Organizuam kurset dhe konkurset e edukimit shëndetësor sistematik të programuara në këto kontigjente.

Kurset-konkurset “Nëna- fëmija” të dokumentuara ku kalojnë të gjitha femrat shtatzënë dhe nënat me fëmijë në gji, në qytet dhe në fshatra, duke përfshirë edhe çerdhet. Në Lushnjë u realizuan për rreth 10 vjet kurse-konkurse “Nëna edhe çerdhet”. Në Lushnjë u realizuan rreth 10 vjet kurse-konkurse “Nëna –fëmija” për periudhën 1975-1990. Këto u realizuan në bashkëpunim me kryesinë e gruas në rreth.

Në bashkëpunim me shtëpinë e pionierit u realizuan rreth 10 spartakiada higjieno-sanitare me kopshtet e fëmijëve të qytetit.

Me seksionin e Arsimit në rreth zhvilluam rreth 8 kurse-konkurse për higjienën e gojës e të dhëmbëve me nxënësit e klasave të pesta.

Po me seksionin e arsimit organizuam 15 kurse-konkurse-me nxënësit e klasave të teta, të shkollave 8-vjeçare, për anatominë, fiziologjinë, higjienën e njeriut dhe për ndihmën e parë të shpejtë. Po me kryesinë e gruas në rreth kemi zhvilluar seminare periodike për higjienën dhe gatimet e ushqimeve të fëmiëjve si qytet, por edhe në fshatra, si në Fiershegan, në Krutje, Gorre, Këmishtaj, Divjakë etj. Këto aktivitete i zhvilluam në bashkëpunim me NTSH, NTUS etj.

Në bashkëpunim me sigurimet shoqërore dhe drejtoritë e ndërmarrjeve në fshatra e qytet kemi organizuar periodikisht kurse konkurse dhe seminare për higjienën, ndihmën e parë dhe mbrojtjen në punë. Në bashkëpunim me drejtoritë e ndërmarrjeve bujqësore, sektorëve të fermave dhe të ish-kooperativave bujqësore kemi zhviluar kurse, konkurse për higjienën, profilaksinë për ndihmën e parë dhe për mbrojtjen nga kimikatet bujqësore, traumatizimi etj. Theksojmë këtu se këto aktivitete të edukimit shëndetësor u zhvilluan deri në vitet 1990, më pas të gjitha këto aktivitete u ndërprenë përfundimisht, aq më tepër u pezulluan edhe SHASH edhe SHESH nga qendra në Tiranë.

Veç mjekësisë që u keni kushtuar jetën, a keni pasur tjetër pasion në jetë?

Dy miqtë e mi në jetë kanë qenë: shahu dhe libri.

Që në fëmijërinë e hershme, jeta në kolektiv më imponoi lojën e shahut teorikisht dhe praktikisht. Shpesh jam përballur edhe me mjeshtrat e shahut, si Mendim Veizaj dhe Esat Duraku në jetën kolektive. Në vitet 1960-1964 kam qenë kampion lokal i shahut në Kukës. Kam shfrytëzuar shumë libra shahu të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Profesioni i mjekut më imponoi librin mjekësor. Që u bë edhe shoku i jetës. Që në moshën e gjimnazit krijova bibliotekën personale me mbi 500 libra ndër të cilat kanë mjaft libra me vlera kombëtare e ndërkombëatre, si serialet BME (Encikopledia e Madhe Mjekësore), me 36 volume që mendoj se duhet të jetë pronë e çdo punonjësi me arsim të lartë në mjekësi dhe shëndetësi, busullë e punës së vet.

Librat e bibliotekës personale datojnë që nga viti 1883 e deri më sot 2016. Përgjatë jetës unë kam kërkuar, kam shfrytëzuar, kam përkthyer shumë libra të Lindjes dhe të Perëndimit nëpër librari të vendit dhe të huaja. Që herët kam qenë anëtar i bibliotekës së Fakultetit të Mjekësisë, Fakultetit të Shkencave të Natyrës, të Universitetit Shtetëror të Bujqësisë, të bibliotekës së Universitetit Shtetëror të Tiranës, si dhe i bibliotekave të tjera të rretheve: Shkodër, Kukës, Gjirokastër etj.

Gjithë aktiviteti juaj në fushën e mjekësisë sigurisht që është shoqëruar me kualifikime dhe specializime. Cilat janë kualifikimet, specializimet tuaja?

Unë jam mjek patolog që prej 55 vjetësh. Jam specializuar “Mjek i përgjithshëm fshati” në Tiranë (1972). Jam kualifikuar, specializuar në Institutin e Mjekësisë Popullore, në Tiranë: specialist për bimët dhe mjekësinë popullore (1980), mbas këtij specializmi unë hapa ambulancën e parë të vetme të mjekësisë popullore në Lushnjë në shkallë vendi. Unë kam dhënë 4 provime pasuniversitare të doktoraturës në Tiranë (1972-1983-1989-1990). Jam mjek i arsimit edukimit shëndetësor i kategorisë së parë. Jam doktor i shkencave mjekësore. Kandidat i titullit Njeriu i shquar i shekullit  XXI nga Kembrixhi i Anglisë. Jam zëvendëskryetar i shoqatës së mjekësisë natyra të Shqipërisë, jam anëtar i Shoqatës së Mjekëve të Shqipërisë (1997).

Cili është kontributi juaj 55-vjeçar mjekësor?

Përgjatë 55 vjetëve në mjekësi kam debutuar ose kam organizuar konferenca, seminare, simpoziume, ekspozita, ekspedita mjekësore. Kështu në seminarin kombëtar për ujin e Glinës në pranverë 1967 në Gjirokastër etj. kam hartuar 8 dorëshkrime seriale voluminoze që janë

  • Lëndët medikamentoze dhe receptura mjekësore (5 volume, 2500 faqe)
  • Disertacioni i Askaridoza dhe lufta kundër saj (2 volume, 800 faqe)
  • Fjalor enciklopedik mjekësor italisht-shqip (3 volume, 1200 faqe)
  • Bimët e dobishme të Shqipërisë dhe përvoja botërore (1 volum, 225 faqe)
  • Fitoterapia klinike dhe receptura mjekësore(2 volume, 800 faqe)
  • Mjekësia botërore (1 volum, 550 faqe)
  • Ushqim i shëndetshëm
  • Urgjenca mjekësore

Çfarë bibliografie përmbledhin gjithë këto materiale voluminoze?

Gati të gjitha këto punime janë pjesa e parë rreth 1/5 e të gjithë materialit të grumbulluar për 55 vjet punë. Bibliografia është kolosale: fillon nga Libri i parë i “Dijes për jetën” (shek XXIXX-XXVI p.e.r.s) e deri më sot, maj 2016. Pra bibliografia përmbledh rreth 120 volume enciklopedie të ndryshme, si dhe libra fjalorë, monografi e traktate me afro 530.000 faqe nga gjuhët: anglo-amerikanë, latino-italisht, ruse shqiptare, etj.

Kush është destinacioni, kujt i shërbejnë të gjithë këto libra?

Të gjitha këto materiale janë grumbulluar për 55 vjet nga kryeveprat botërore të rreth 100 shteteve më të zhvilluara të botës, përmbi 100 degë të shkencave humanitare shumica e të cilave aktualisht mungojnë në Shqipëri. Pra, shkencat humanitare botërore serviren në Shqipëri. Këto materiale i shërbejnë: studentëve dhe kuadrove në universitetin bujqësor, të shkencave të natyrës, të Universitetit mjekësor, si dhe të gjithë mjekëve, farmacistëve, laborantëve, stomatologëve. Këta libra destinohen edhe për institutet e perfeksionimit të mjekëve, farmacistëve e stomatologëve që duhet të hapen edhe në Shqipëri, si në vendet më të zhvilluara të botës, fjalori enciklopedik mjekësor: italisht-shqip i shërben si ajri dhe buka të gjithë studentëve, kuadrove, inteligjencësdhe specialistëve për njohjen e gjuhës dhe shkencave italiane e më gjerë, si gjuhë e dytë mbas gjuhës shqipe, në universitete e në jetë. Ky fjalor i shërben thellësisht Akademisë së shkencave për hapjen e serialeve të fjalorëve enciklopedikë mjekësore, dhe më tej të serialeve të enciklopedisë mjekësore etj. Që të vihen në dispozicion të Universiteteve në Shqipëri, sjellin dhe përparimin e zhvillimin e vendit, të shtetit, shkencës, ekonomisë, dhe favorizojnë zhvendosjen e Shqipërisë nga vendi i fundit në Europë, diçka më lart. Pra të gjitha materialet e servirura prej meje i shërbejnë denjësisht shtetit, shkencës, ekonomisë, zhvillimit dhe mbi të gjitha i shërbejnë shëndetit dhe jetëgjatësisë së popullit që unë i kam kushtuar edhe jetën, si bir jetim i tij.

Kujt ia keni paraqitur këto materiale dhe cili ka qenë reagimi i tyre?

Përgjatë 25 vjet tranzicioni unë i kam ofruar materialet në këto insitucione:

  • Në Presidencë
  • Në Kryeministri
  • Në Akademinë e Shkencave
  • Në Ministrinë e Arsimit
  • Në Ministrinë e Shëndetësisë
  • Në Fakultetin e Mjekësisë

Në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Tiranë, Kembrixhit të Anglisë, si dhe 10 enteve botuese për mundësi botimi. Reagimi dihet: heshtje, indiferencë, neglizhencë, burokraci, zvarritje. Me këtë rast falënderoj Kembrixhin e Anglisë që për punimet e pjeshme të mia më vlerësoi si kandidat titulli: njeriu i shquar i shekullit XXI, titull që pak persona e gëzojnë në Shqipëri.

Aktiviteti mediatik

Për 55 vjet punë kam qenë një bashkëpunëtor mediatik. Që në vitet 1960 kam debutuar në gazetën “Kufitari”, në gazetën “Bashkimi”, në gazetën “Pararoja” të Gjirokastrës, në gazetat “Ora e fjalës” dhe Shkëndija të rrethit të Lushnjës, në gazetën “Shëndeti” dhe “Shëndetësia Popullore”, si dhe në Revistën Mjekësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe së fundmi në gazetën “Shëndet+” me rubrikën “Bimët dhe shëndeti” për vitet 2015-2016 dhe ku do të vazhdojmë me rubrikën “Urgjenca mjekësore” dhe këtë rast falënderoj redaksinë e kësaj gazete për bashkëpunimin e frutshëm në dobi të shëndetit të popullit.

Që në vitet 1960 unë kam bashkëpunuar edhe me radio televizionin: kështu me Radio Kukësin, Radio Gjirokastrën, me RASH, dhe në periudhën 1997-2008 me Radio Tiranën. Po kështu kam bashkëpunuar edhe me TV Koha, si dhe me TVSH etj, që i falënderoj për bashkëpunimin.