Kryefaqja Aktualitet Infeksionet e traktit urinar, si të kujdesemi

Infeksionet e traktit urinar, si të kujdesemi

0
Shpërndaje

Për gazetën Shëndet + dhe Shëndeti Online: Aida Zaka, farmakologe

Infeksionet e traktit urinar (ITU) janë infeksione që prekin çdo pjesë të sistemit urinar: veshkat, ureterin, fshikën dhe uretrën. Shumica e infeksioneve të traktit urinar prekin  pjesën e poshtme të tij, kryesisht fshikëzën dhe uretrën. Femrat janë më të rrezikuara për shfaqjen dhe zhvillimin e një infeksioni urinar në krahasim me meshkujt. Infeksionet që prekin fshikëzën ose uretrën janë të dhimbshme dhe të bezdisura. Shpesh me pasoja serioze kur ky infeksion përhapet në pjesën e sipërme të traktit urinar deri në veshkë.

infeksione urinareInfeksionet e traktit urinar jo gjithmonë manifestohen me shenja e simptoma të dallueshme nga pacientët. Por, në rastet kur këto simptoma janë evidente, mund të jenë si më poshtë:

  • Nevojë urinimi, por pamundësi për të urinuar,
  • Ndjesi djegie gjatë urinimit,
  • Urinim me ndërprerje dhe pamundësi shkarkimi të plotë të fshikëzës.

Urina shpesh është me ngjyrë më të errët. Urina mund të ketë erë të fortë, dhimbje në pjesën e mesit, sidomos në qendër të legenit dhe përreth zonës së kockës pubike.

Megjithatë, shpesh kemi raste kur pacientët këto lloj dhimbjesh i ngatërrojnë e nuk i vlerësojnë si duhet.

Pjesët e traktit urinar që preken më shpesh, shenjat dhe simptomat

Veshkat zakonisht preken nga infeksione të cilat shkaktojnë pielonefrit akut, që manifestohet me dhimbje në pjesën e pasme të mesit, me temperaturë të lartë, me të përziera, të vjella.

Fshikëza zakonisht preket nga cistiti, i cili karakterizohet me shtypje ose rëndesë në fund të barkut, urinim të shpeshtë e të dhimbshëm, në disa raste edhe gjak në urinë.

Infeksioni i fshikëzës (cistit) shkaktohet zakonisht nga Escherichia coli (E. coli). Ky lloj bakteri zakonisht gjendet në traktin  gastrointestinal (GI). Megjithatë, ndodh që dhe  bakteret e tjera të jenë përgjegjëse për shfaqjen e infeksioneve. Të gjitha gratë janë të rrezikuara nga cistiti për shkak të anatomisë së tyre, konkretisht distancë e  shkurtër nga uretra në anus dhe hapja uretrale në fshikëz.

Infeksioni i uretrës (uretriti)

Uretriti karakterizohet nga djegia gjatë urinimit. Ky lloj ITU mund të ndodhë kur bakteret nga trakti përhapen nga anusi në uretër.

Infeksionet e traktit urinar zakonisht ndodhin kur bakteret hyjnë në traktit urinar përmes uretrës dhe fillojnë të shumohen në fshikëz. Edhe pse sistemi urinar është “projektuar” për të mbajtur jashtë “pushtues” të tillë mikroskopikë, këto mbrojtëse ndonjëherë dështojnë.

Disa nga faktorët që ndikojnë në shfaqjen e një infeksioni urinar janë:

Anatomia. Një grua ka një uretër të  shkurtër, e cila shkurton distancën që bakteret duhet të udhëtojnë për të arritur në fshikëz.

Aktiviteti seksual. Gratë seksualisht aktive kanë tendencë të kenë më shumë ITU  se femrat që nuk janë seksualisht aktive.

Disa metoda për t’u mbrojtur nga shtatzënitë e padëshiruara. Edhe metodat për mbrojtjen nga shtatzënia kanë ndikimin e tyre

Menopauza. Pas menopauzës, një rënie në qarkullimin e estrogjenit shkakton ndryshime në traktin urinar që e bëjnë më të prekshëm ndaj infeksioneve.

Faktorë të tjerë të rrezikut për UTI përfshijnë:

Anomalitë e traktit urinar. Fëmijët e lindur me anomali të traktit urinar, që nuk mund të bëjnë zbrazjen e urinës nga fshikëza.

Bllokimet në traktin urinar. Gurët në veshka apo një zgjerim i prostatës mund të jenë arsye për një infeksion në  fshikëz.

Një sistem imunitar i dëmtuar, siç ndodh në rastin e diabetit dhe sëmundje të tjera që dëmtojnë sistemin imunitar.

Përdorimi  i kateterit. Njerëzit të cilët nuk mund të urinojnë vetë, të cilët përdorin një tub (kateter) për të urinuar janë më të rrezikuar për t’u prekur nga një infeksion. Kjo mund të përfshijë njerëz të cilët janë të hospitalizuar, njerëzit me probleme neurologjike që e bëjnë të vështirë për të kontrolluar aftësinë e tyre për të urinuar dhe njerëzit që janë të paralizuar.

Komplikacionet

Kur këto lloj infeksionesh trajtohen menjëherë, rrallëherë mund të çojnë në komplikacione serioze, siç mund te jetë rasti i një nefriti, pielonefriti etj.

Komplikacionet që mund të ndodhin nga mostrajtimi i saktë i një infeksioni që ka prekur rrugët urinare, mund të përfshijë:

Infeksione të përsëritura, sidomos në gratë që kalojne tre ose më shumë ITU.

Dëmtim të përhershëm të veshkave nga një infeksion akut ose kronik i veshkave (pielonefrit) për shkak të një ITU të patrajtuar.

Rritja e rrezikut në gratë shtatzëna, duke dhënë peshë të ulët të fëmijës ose lindje të parakohshme.

Ngushtimi uretral (ngushtim) në meshkuj nga uretriti korrent, uretriti gonokoksik.

Mjeku i familjes, farmacisti ose një  ofrues tjetër i kujdesit shëndetësor mund të ofrojë ndihmën e parë, një asistence mjekësore e cila mund të jetë në formën e këshillave, e procedurave mjekësore që pacienti duhet të kryejë.

Nëse keni përsëritje të shpeshta ose një infeksioni kronik të veshkave, ju mund t’i drejtoheni një mjeku më të specializuar, një urologu ose nefrolog. Duhet të referoni çdo shenjë që keni vërejtur, temperaturë, dhimbje, mosurinim, ndryshim të ngjyrës ose qartësisë etj. Duhet të referoni prej sa kohësh i keni  shqetësimet. A keni ose jo diagnozë bashkëshoqëruese? Merrni ose jo medikamente të tjera, qofshin këto edhe vitaminoterapi.

Testet dhe procedurat që përdoren për të diagnostikuar infeksionet e traktit urinar të përfshijnë:

Analizë e urinës: Mjeku mund të kërkojë një mostër urine për analiza laboratorike për të kërkuar për qelizat e bardha të gjakut, qelizat e kuqe të gjakut apo bakteret. Për të shmangur kontaminimin e mundshëm të mostrës, ju mund të udhëzoheni që së pari të fshini zonën tuaj gjenitale me një garzë antiseptike dhe të mblidhni  urinën e mesit.

Urokultura ose, siç quhet ndryshe, mbjellja e urinës.

Analiza laboratorike e urinës duhet të ndiqet menjëherë me një urokulturë. Kjo analizë tregon se cilët janë bakteret përgjegjëse për infeksionin e shkaktuar. Nëpërmjet përgjigjes së urokulturës më pas vendoset dhe mjekimi me antibiotikun e duhur për bakterin përgjegjës të infeksionit.

Eko abdominale. Ky ekzaminim përdoret për të parë paretet e fshikëzës, përmbajtjen e saj e ndonjë amonali të pavërejtur më parë.

Trajtimi: Antibiotikët janë trajtimi i parë për mjekimin e një infeksioni të shoqëruar shpeshherë edhe me ilaçe qetësuese (AIJS). Këta të fundit përdoren për të qetësuar dhimbjet, temperaturën nëse janë prezente dhe inflamacionin.

Mjeku duhet të japë mjekimin me antibiotikë për tre ditë në mënyrë që të fillojë trajtimin e infeksionit, por saktësimin e tij e bën pas tre ditësh, kur del përgjigja e urokulturës dhe antibiotiku specifik për bakterin prezent. Në shumicën e rasteve simptomat qetësohen dhe fillojnë të zbehen që në ditët e para të fillimit të mjekimit, por ka raste kur situata është më e rëndë dhe trajtimi me antibiotikë detyrimisht duhet të zgjasë për një javë ose më shumë.

Disa këshilla që duhet të ndjekë pacienti në raste të tilla:

Duhet të konsumojë shumë ujë, sepse uji ndihmon për të holluar urinën  dhe për ta bërë më pak acide. Duhet të shmangë pijet që mund të irritojnë fshikëzën: kafe, alkool dhe pije të buta që përmbajnë lëngje, agrume ose kafeinë, derisa infeksioni të kalojë. Ato mund të irritojnë fshikëzën dhe kanë tendencë të përkeqësojnë nevojën për të kryer urinime të shpeshta.

Mund të përdorin borsë me ujë të ngrohtë ose jastëk me ngrohje, por jo të nxehtë, për të minimizuar presionin e fshikëzës.

Pacienti duhet të tregojë kujdes në mënyrë që ta minimizojë sa të mundet shfaqjen e një infeksioni nëpërmjet kujdesit që duhet të tregojë për higjienën personale, konsumimit të lëngjeve etj.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here