Bisedoi: Elona Tereziu, gazeta “Shëndet+” dhe Shëndeti Online

“Rinoplastika (në mënyrë empirike) në Shqipëri ka filluar që në ’85-n”, thotë për gazetën “Shëndet+” Hekuran Braho, kirurg ORL në Spitalin e Traumës. Ai tregon se në atë kohë rinoplastika bëhej duke futur fildish dhe nga ana estetike nuk realizohej asnjëherë ajo që donin. “Megjithatë, në atë kohë bëheshin më shumë në rastet e traumave, pasi koncepti i ndryshimit të hundës për efekte estetike nuk perceptohej si diçka normale. Herë nga mendësia e herë nga feja, përtej pamjes fizike e rëndësishme ishte devotshmëria në jetë dhe punë”, shprehet mjeku.

Dr. Hekuran Braho duke folur për gazetën Shëndet+

Dr. Hekuran Braho duke folur për gazetën Shëndet+

“Sot, me rritjen e mirëqenies, i është dhënë një rëndësi tepër e madhe anës estetike, ndaj dhe shohim dhe një mani të përgjithshme për të ndryshuar. Sigurisht, këtu ka ndikuar dhe marketingu dhe propaganda e fuqishme që bëhet në media për një imazh të kuruar dhe sa më perfekt.

“Personalisht unë do t’ia rekomandoja një “hundë” atyre që kanë defekte të funksionit, shtrembërime etj. Ndërkohë që rregullon një problem, ndryshon pak dhe anën estetike. Ndërkohë që personat që janë psikologjikisht jo stabël, me emocione, është mirë të mos e bëjnë, pasi nuk do të ngelen asnjëherë të kënaqur. Edhe nëse ua bën mirë, imagjinata e tyre për atë që kanë dëshiruar shkon më tepër drejt fantazisë sesa realitetit.

“Të besosh tek specialistët e të vesh me sy mbyllur është një gabim shumë i madh. Gjërat që bëhen, nuk zhbëhen kollaj. Hunda nuk është një kostum “Versaçe”, që e vesh sot dhe po nuk të pëlqeu nuk e vesh më nesër. Ndaj jini të kujdesshëm. Kur gjërat bëhen keq, është shumë e vështirë për t’u rregulluar.

“Mos vraponi shumë drejt ndryshimeve. Fytyra shpreh karakter, ndaj edhe nëse vendosni të ndryshoni, ruajeni atë!”