Kristi Bani Foto

Bisedoi: Eneida Mjeshtri

Kristi Bani është një nga fitueset e “Gruaja përmes Artit“. Ajo konkurroi me fotografinë, teksa paraqiste një vajzë në shënjestër me titullin “Projektim shpirti”. Në një intervistë për gazetën “Shëndet+” ajo flet lidhur me perceptimin e saj të dhunës ndaj gruas.

Kolazhet tuaja fotografike me të cilat morët pjesë dhe fituat në konkurs, përçonin mesazhe shumë të forta për mënyrën si shoqëria jonë trajton gruan dhe vajzën. Në njërën prej tyre, ju e kishit futur vajzën në shënjestrën e një poligoni qitjeje. Pse këto perceptime?

Koncepti që zgjodha për t’u prezantuar, ishte pikërisht bota e brendshme e femrave të dhunuara, si dhe sensibilizimi dhe përkrahja që duhet t’u ofrojmë. Por, për t’i ndihmuar, duhet të njihemi me gjendjen e tyre psikologjike. Në një nga fotot e kolazhit me titull “Projektim Shpirti” paraqitet projektimi i një poligoni qitjeje mbi vajzën e dhunuar. Jo vetëm në këtë foto, por edhe në të tjerat ka qenë ky perceptim, për të shprehur faktin sesi ato bëhen çdo ditë shënjestër e dhunuesve, mbi të cilat këta të fundit lëshojnë një sërë fyerjesh, ngacmimesh duke i lënduar shpirtërisht. Por duke mos u mjaftuar me këto, ato duhet të mbajnë si barrë plagët fizike të shkaktuara nga abuzimet dhe goditjet e njëpasnjëshme. Pra, në njëfarë mënyre, në fund të ditës ato ndihen si poligon qitjetje.

Haki Stërmilli një shekull më parë shkroi romanin “Sikur të isha djalë”, që u bë epitoma e të drejtave dhe zhvillimit shoqëror të grave dhe vajzave të kohës. Të ka ndodhur ndonjëherë ta gjesh veten duke ëndërruar që të ishe djalë? A ekzistojnë në brezin tënd dallime të dukshme midis djemve dhe vajzave?

Më tepër sesa një dëshirë për të qenë djalë, do ta përshkruaja si një mendim momental… i cili besoj se i ka kaluar në mendje çdokujt. Ka pasur momente në të cilat e vija veten në vendin e një djali dhe mundohesha ta perceptoja botën si i tillë. Në ato çaste përpiqesha t’i jepja përgjigje disa pyetjeve ngacmuese. Një prej tyre, që përputhet me temën e projektit, kishte të bënte në zbulimin e arsyes që e çon një mashkull të kryejë sjellje të caktuara ndaj femrës, shpeshherë të patolerueshme.

Për të folur për djemtë dhe vajzat e shoqërisë së sotme, pra të rinj, do të shprehesha se vajzat kanë mundësi të njëjta me djemtë për t’u paraqitur në nivele të larta në aspekte të ndryshme të jetës. Shkolla është një provë e mirë ku ato kanë treguar aftësi të mira dhe konkurruese me djemtë. Edhe pse dallimet midis djemve dhe vajzave ekzistojnë sidomos në zonat e thella, vihet re një tolerancë më e madhe nëpër qytete.

Pse zgjodhe të konkurrosh në gjininë e fotografisë dhe çfarë domethënie kishin dy punimet e tua?

Bëra këtë zgjedhje sepse mendoj se fotografia si medium të jep shumë mundësi për t’u shprehur si artist duke lejuar të kapësh momente spontane dhe gjendjen e duhur emocionale. Sigurisht dhe vetë elementet që kisha përdorur, që do të finalizonin punën time, siç ishin projektimet e imazheve, ishin më të lehta për t’u kapur nëpërmjet fotografisë.

Tema që duhet të trajtonim, na lejonte shumë terren për t’u shprehur dhe e zhvendoste artin tonë në një nga funksionet e tij, siç është sensibilizimi dhe nëpërmjet të cilit ne japim kontributin tonë për të qenë zëri i këtyre femrave. Në këtë pikë dua të ndalem për të shpjeguar domethënien e dy punëve të mia “Projektim Shpirti” dhe “Ajsberg”. Duke mos pasur më parë një kontakt me femra të dhunuara dhe për t’i njohur më mirë ato, mora informacion nëpërmjet intervistave dhe rasteve konkrete në internet për t’u familjarizuar sadopak me gjendjen e tyre psikologjike. Nga çdo material që pashë dhe studiova, më lindi pyetja, përse këto gra të dhunuara qëndronin? Cila ishte arsyeja që ato nuk largoheshin? Dhe përgjigjen e gjeta midis historive të dhimbshme që ato tregonin: frika se mos abuzuesi i tyre kalonte në një stad tjetër, në atë të vrasjes, sepse ato kishin një familje, sepse dhunuesi i tyre ishte dhe mashkulli që u qëndronte përkrah. Pikërisht këtu kuptova se ato kishin nevojë që dikush të bëhej zëri i tyre për të dalë nga kjo përditshmëri e tmerrshme. Në këtë rast projektet e mia kanë shërbyer si një urë lidhëse midis këtyre femrave të forta dhe shoqërisë, për t’i bërë këta të fundit të kuptojnë se këto gra dhe vajza kanë nevojë për ndihmën tonë, zërin tonë, edhe pse plagët e dhunës fizike shërohen, plagët e dhunës psikologjike janë ato që zënë rrënjë brenda tyre.

Me pak fjalë, domethënia e tyre konsiston në vënien në pah të asaj që njerëzit nuk mund të shohin, dhimbjen që mbart shpirti i tyre.

Para pjesëmarrjes në këtë konkurs, a e ke reflektuar gjendjen femërore në artin tënd?

Duhet të përmend që ky është vetëm starti im në botën e artit, edhe pse absolutisht kam reflektuar për gjendjen, botën e femrës dhe vështirësitë që ajo ka hasur dhe kalon. Ky ka qenë prezantimi i parë i konceptit tim nëpërmjet mediumit të fotografisë, por sigurisht jo i fundit.

Çfarë mesazhi mund t’u japësh vajzave shqiptare të moshës tënde të cilat jetojnë të izoluara dhe pa pasur të drejtën të zhvillohen individualisht?

Mesazhi im për bashkëmoshataret, është që me maturi dhe guxim të përpiqen pa pushim që t’i kundërvihen ambientit shtypës dhe denigrues, qoftë atij të jashtëm komunitar, por dhe ambientit familjar, dhe po me të njëjtin guxim të kërkojnë ndihmë në personat që ato besojnë.