Altin Mema

Materniteti i Lezhës mbetet një ndër institucionet më kryesore shëndetësore në të gjithë qarkun e Lezhës. Megjithatë, kushtet që ofron, janë një problematikë më vete. Mungesë e mjekëve specialistë, e infrastrukturës, rrjetit hidraulik, energjitik apo dhe kushteve të tjera të shtretërve janë edhe më evidentet.

Prej vitesh në spitalin obstetrik-gjinekologjik të Lezhës nuk është ndërmarrë ndonjë investim serioz, duke bërë që problematika të shtrihet ndër vite. Një mungesë e vëmendjes për të ndërhyrë ka bërë që godina e këtij institucioni shëndetësor të amortizohet, ndërsa ka mungesa edhe në aparatura. Ndonëse ka një fluks pacientësh që i drejtohen këtij materniteti nga tre rrethet e qarkut të Lezhës, kjo nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga Ministria e Shëndetësisë për të investuar në këtë spital, i cili konsiderohet si mik i fëmijëve.

Materniteti i Lezhes

Pacientët: Kushtet duhet të ndryshohen

Vera Deda është një nënë e re që sapo ka sjellë në jetë fëmijën e parë. E pyetur lidhur me kushtet në spital, ajo thotë:

Jam e kënaqur me shërbimin nga bluzat e bardha, kanë fituar eksperiencë dhe kanë një komunikim të mirë. Por kur shikon se ka rënie të suvasë, shkallë të dëmtuara, lagështirë apo dhe kabllo elektrikë që varen, sikur errësohen gjërat.

Pajisjet në maternitet janë të vjetra, ndërsa ilaçet mungojnë. Besoj se këtë e pranojnë edhe vetë mjekët. Ka shumë nëna që sakrifikojnë dhe i blejnë jashtë.

Kushtet duhen përmirësuar patjetër. Këtu lind jeta dhe përkujdesja duhet të jetë më e madhe.

Shefi i maternitetit: Gjendja e papranueshme

Shefi i Maternitetit të Lezhës, Leon Kaza, e konsideron të papranueshme situatën, ndaj dhe kërkon ndërhyrje të qeverisë. Kaza, mjek i njohur në këtë fushë, thotë se në jo pak raste ka pasur edhe irritim të familjarëve të pacientëve, madje në disa raste, për mungesë mjekësh, është për transportimi për në Tiranë i pacientëve.

”Kryefjala në shërbimin tonë por jo vetëm,në të gjithë spitalin e Lezhës është mungesa shpesh herë e disa mjekëve specialistë. Po ashtu, kemi mungesa edhe të aparaturave mjekësore, kemi amortizim të godinës, me rrjetin hidraulik, rrjetin elektrik, si dhe me pajisjet laboratorike të cilat lënë mjaft për të dëshiruar. Të gjitha këto ndikojnë shumë në cilësinë e shërbimit të ofruar. Mendoj se para se të mendohet dhe të fillohet me testime partizane, do të ishte mjaft e rëndësishme që të bëhet diçka për të plotësuar nevojat më bazike të cilat rezultojnë të rëndësishme në cilësinë e shërbimit që ne ofrojmë si dhe në standardin e sigurisë spitalore”, u shpreh Kaza.

Nevruz BareDrejtori i Spitalit: Ka mungesa, por do rregullohen

Drejtori i spitalit të Lezhës Novruz Bare thotë se problemi kryesor që ka materniteti i Lezhës ka të bëjë më shumë me problemet infrastrukturore, pasi ajo është një godinë e amortizuar ndër vite dhe ka nevojë për një rikonstruksion të thellë.

“Ne jemi munduar që çdo vit të bëjmë ndërhyrje nëpërmjet buxhetit që kemi, për të bërë rikonstruksion të pjesshëm të atyre shërbimeve që kanë më shumë nevojë. Përsa i përket nevojave për pajisje mjekësore, aty ka nevojë për një eko gjinekologjike, jo se nuk është, por është një eko e një viti prodhimi më të hershëm. Njëkohësisht mungon një inkubator, i cili është porositur dhe do të vijë brenda muajit. Problemit e mjekut reanimator e kemi zgjidhur, kanë ardhur kardiologët, neurologu. Ju mund të pyesni a ka nevojë për më shumë. Mjekë ka, por ka nevojë edhe për më shumë, si gjinekolog, neonant dhe për të tjerë specialistë, por që ne kemi mjekë”, thotë Bare.

Lidhur me faktin nëse nga Ministria e Shëndetësisë është bërë me dije lidhur me problematikën e maternitetit të Lezhës, Bare shprehet:

“Ata janë dukë bërë vlerësimin. Kanë marrë një konsultë nga ne dhe po bëjnë vlerësimin që ka spitali i Lezhës, shërbimi i maternitetit për çdo gjë që ka. Ata bëjnë vlerësimin dhe pastaj bëhet ndarja e buxhetit për investimet. Ministria po monitoron jo vetëm Lezhën por edhe spitalet e tjera. P.sh kabineti i kardiologjisë, ashensori, investime të ministrisë janë, këto tregojnë një vëmendje që po tregon ministria, se tani nuk bëhen të gjitha gjërat në një moment. Gradualisht janë futur të gjitha në linjë”.

Lidhur me mungesën e ilaçeve, Bare thotë se vetëm një medikament ka munguar  për një kohë të gjatë, por që ndërkohë spitali nuk ka asnjë mungesë.

Materniteti i lezhes 1

(Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Vepro tani! Denonco korrupsionin në sistemin shëndetësor, i cili zbatohet nga shoqata “Together for Life”, dhe mbështetet nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autor-it/ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit)