Kryefaqja Aktualitet “Medalje e Artë” për studenten e mjekësisë

“Medalje e Artë” për studenten e mjekësisë

0
Shpërndaje

Bisedoi: Dorina Reci

Aurela Kullolli është 1 ndër 31 Medalistët e Artë nga gjithë Shqipëria e vlerësuar nga kryeministri i Shqipërisë, z.Edi Rama dhe ministria e Arsimit dhe Sportit znj.Lindita Nikolla, me motivacionin: Për rezultate të shkëlqyera të arritura në arsimin e mesëm të lartë.

Sot, Aurela ndjek studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë, në vitin e katërt për Mjekësi të Përgjithshme, por këtë medalje duhet ta kishte marrë vite më parë, kur përfundoi me sukses gjimnazin “Dhaskal Todri” në Elbasan. Ajo ka ndjekur me këmbëngulje rrugëtimin e ndryshimeve ligjore, duke nxitur edhe institucionet arsimore që procesi i vlerësimit të nxënësve të dalluar të finalizohej me sukses.

Në një intervistë për gazetën “Shëndet +”, Aurela flet më gjatë për këtë eksperiencë dhe emocionet që përjetoi gjatë dekorimit nga kryeministri i Shqipërisë.

Aurela, si mund t’i përshkruash emocionet që ndjeve kur kryeministri i Shqipërisë të dorëzoi “Medaljen e Artë”?

Unë medaljen kisha 4 vite që e prisja, ndoshta edhe më përpara, sepse që në shkollë të mesme kur kemi realizur një projekt për historikun e shkollës, kam parë në një kënd foto të nxënësve me Medalje Ari dhe jam interesuar për ligjet dhe dhe kriteret që duheshin plotësuar për ta fituar edhe unë. Jam gëzuar shumë kur në përfundim të maturës i plotësoja kriteret duke i pasur 2 provimet me zgjedhje të vlerësuara me notën 10, bashkë edhe me lëndët me detyrim, duke patur kështu mesataren e përgjithshme 10.  Pastaj fillova të shqetësohesha, se mendoja se përse të mos e merrja edhe unë një çmim të tillë, meqë e meritoja.  Fakti që vija nga një familje e thjeshtë dhe prindërit e mi nuk kishin influenca apo njohje, nuk duhej të më pengonte të trokisja në të gjitha institucionet për mundin që kisha arritur me djersën time. Ndonëse tashmë jam në vit të katërt për Mjekësi të Përgjithme dhe emocionet ishin zbehur pak nga koha, përsëri ndjeva të më dridheshin këmbët në momentin që m’u dha mundësia të flisja në podiumin e kryeministrit dhe të përshëndesja familjen, miqtë, mësuesit dhe ata që më vlerësuan të arrij këtë çmim.

Çfarë do të thotë për ty ky çmim, si 1 nga 31 nxënësit e shkëlqyer në Shqipëri?

Kam lexuar një shprehje nga Winston Churchill që thotë: ”Suksesi nuk është përfundimtar, dështimi nuk është fatal, është kurajoja për të ecur përpara ajo që ka rëndësi”, prandaj normale për mua është një krenari të jem një nga 31 nedalistët e 4 viteve, por ajo që shikoj unë është se kam shumë punë për të bërë përpara.

Cila ka qenë mbështetja më e madhe për ty gjatë viteve të studimit?

Gjatë viteve të studimit sigurisht që e para ka qenë mbështetja e familjes. Ndonëse mundësitë kanë qenë të pakta, ata kanë bërë të pamundurën. Motivim për mua ishte t’i shikoja se si punonin fort që unë dhe motra ime të kishim mundësi të arsimoheshim. Sot babai është invalid, sepse vuan nga sëmundja renale kronike, por më përpara ka qenë oficer, ndërsa mami punon në paraburgimin e Elbasanit, si operatore kamerash. Të shikosh se si një grua punon edhe në turnin e tretë për të mundësuar të ardhura me të mira, përbën një burim frymëzimi për mua dhe kjo më bën të mos ta çoj kohën dëm.

Fakulteti i Mjekësisë njihet si një shkollë me nivel të lartë vështirësie. Sa ka qenë për ty e tillë?

Vështirësia në degën e Mjekësisë sa vjen e rritet, por duke lexuar përherë nga pak, bëhet më e lehtë. Të qënit sistematike më ka ndihmuar që sezonet e provimeve t’i përballoj më lehtë dhe vlerësimin për lëndët t’i kisha me rezultate të larta.

Cili është specializimi që dëshiron të ndjekësh më pas?

Përsa i përket specializimit, në momente të ndryshme kam pasur ide të ndryshme, jo se nuk jam tip i qëndrueshëm, por, duke zhvilluar lëndë të ndryshme, herë pëlqej diçka dhe më pas pëlqej një tjetër më shumë. Preferoj t’i mësoj mirë lëndët gjatë këtij 6-vjeçari, për t’u diplomuar si  ”mjeke e përgjithshme”, me kohën do zbuloj specializimin e duhur dhe të preferuar për mua.

Mesazhi yt për studentët shqiptarë dhe institucionet arsimore…

Mesazhi im për të gjithë nxënësit dhe studentët shqiptarë është se, pavarsisht se ka ardhur një kohë ku teknologjia na e merr mendjen të gjithëve, studimi nuk duhet ta humbasi vlerën e tij dhe arritjet e gjithsecilit do vijë një ditë kur do të shpërblehen!

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here