duar_djersitje

Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+” dhe Shëndeti Online

Ditët e ftohta të dimrit rishfaqin problemet me morthin. Ulja e temperaturave dhe rritja e nivelit të lagështirës në ajër, ndikojnë në rishfaqjen e dhimbjeve dhe enjtjeve, kryesisht të duarve. Dermatologia Ardiana Sinani shpjegon për lexuesin e gazetës “Shëndet+” gjithçka duhet bërë për të shmangur dhe për të trajtuar këtë problem.

Morthi është më i lehtë të parandalohet sesa të trajtohet. Për këtë duhet të ndiqen disa këshilla të thjeshta në jetën e përditshme.

Rekomandohet kryerja e ushtrimeve fizike që ndikon në tonifikimin e enëve të gjakut. Aktiviteti fizik ndikon në gjithë aparatin kardiovaskular, duke përmirësuar funksionimin e enëve të vogla të gjakut, të cilat në këtë mënyrë bëhen më elastike dhe nuk kanë tendencë të tkurren nën efektin e të ftohtit.

Morthi është një patologji që shfaqet kryesisht në moshat e reja dhe në personat që vuajnë nga qarkullimi i dobët periferik i gjakut. Morthi është një patologji që shfaqet kryesisht në periudhën e dimrit ku temperaturat janë të ulëta. Përgjithësisht, morthi lokalizohet në duar, në këmbë, në veshë, në hundë dhe në faqe (sidomos në fëmijët e ushqyer keq) dhe favorizohet prej lagështirës.

Pacientët zakonisht kanë një fryrje të lehtë të gishtave të duarve apo të këmbëve dhe shpesh nuk e dinë që vuajnë nga një patologji e tillë. Këtë e kuptojnë më vonë, kur edema bëhet më e theksuar, fillojnë që duart të dhembin, të djegin dhe njëkohësisht në zonat e prekura fillojnë e skuqen. Kjo vjen si rezultat i grumbullimit të gjakut, si rezultat i mosfunksionimit të mirë të qarkullimit të gjakut.

Fryrje dhe skuqje në gishtat e këmbës

Gjatë ekspozimit në të ftohtë kapilarët e gjakut në lëkurë  dëmtohen dhe nuk funksionojnë siç duhet dhe si rezultat lëkura fillon të skuqet, të enjtet dhe fillojnë edhe kruajtjet e saj si rezulat i inflamacionit. Morthi mund të parandalohet duke i mbajtur këmbët dhe duart  të ngrohta në mot të ftohtë.

Morthi është një patologji e lëkurës që përgjithësisht nuk ka një shkak të njohur, por mund edhe të jetë një manifestim i një gjendje të rëndë shëndetësore që duhet të diagnostikohet .

Një histori e morthit sugjeron edhe për një sëmundje të indit lidhor  (siç mund të jetë si lupus eritematous).

Arsyeja e saktë e morthit është ende e paqartë dhe ka të bëjë me një reagim jonormal i trupit tuaj gjatë  ekspozimit në të ftohtë ndjekur nga ringrohja e trupit. Ringrohja e lëkurës së ftohtë bën që  enët e vogla të gjakut nën lëkurë të zgjerohen më shpejt dhe gjaku të ngelet në indet përreth duke e skuqur dhe enjtur zonën e lëkurës përreth.

Faktorët që çojnë në morth

-Ekspozimi i lëkurës në të ftohtë. Personat  që ekspozohen ndaj të ftohtit, lagështirës kanë më shumë gjasa për të zhvilluar morthin.

-Të qenët femër. Femrat kanë më shumë gjasa që të kenë morth, dhe kjo për arsye ende të panjohura.

-Njerëzit nën peshë. Njerëzit që peshojnë rreth 20 për qind më pak se pesha normale, priren të vuajnë nga morthi.

-Vendi ku ju jetoni. Ironikisht, njerëzit që jetojnë në vende shumë të ftohta kanë më pak gjasa të vuajnë nga morthi, sepse kushtet e jetesës dhe veshjet e përdorura në këto zona janë më mbrojtëse kundër të ftohtit. Por, në qoftë se ju jetoni në një zonë me shumë ose pak lagështi, rreziku per të zhvilluar morth është më i lartë.

Dimri. Morthi është më i zakonshëm gjatë dimrit dhe fillimit të pranverës. Morthi shpesh zhduket krejtësisht në pranverë.

Qarkullimi i dobët i gjakut. Njerëzit me qarkullim të dobët të gjakut priret të jenë më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të temperaturës, duke i bërë ata më të ndjeshëm ndaj morthit.

Fenomenin Raynaud: Njerëzit të diagnostikuar me fenomenin Raynaud, janë më të prirur që të shfaqin morthin.

Ndërlikimet

Morthi mund të shkaktojë komplikime në lëkurë. Nëse kjo ndodh, në lëkurën e dëmtuar nga morthi shfaqen bula serotike që mund të infektohen apo të ulcerohen nëse lihen të patrajtuara.

Parandalimi

Në mjekimin e morthit në radhë të parë ndihmojnë shumë masat që duhen të merren për mbajtjen ngrohtë të trupit nëpërmjet veshjeve të ngrohta dhe të përshtatshme për stinën e ftohtë të dimrit.

– Shmangni ndryshimet e shpejta të temperaturës (dalja e menjëhershme nga ambientet e nxehta në ato të ftohta).

-Përdorimi i këpucëve, çorapeve dhe dorezave të ngrohta.

-Përdorimi i  kapuçëve dhe shallit për të mbrojtur veshët dhe hundën.

-Shmangni çorapet, këpucët e ngushta.

-Shmangni përdorimin e ujit të ftohtë dhe ujit shumë të nxehtë.

Mjekimi i morthit

Përdorimi lokalisht në lëkurë i pomadave me bazë kortizoni i cili ndihmon në lehtësimin e kruarjes dhe enjtje.

Aplikimi i vazhdueshëm dhe i përditshëm i pomadave emoliente zbutëse dhe hidratuese për duart.

Përdorimi i medikamenteve vazodilatatore (zgjeruesit e enëve të gjakut), si adalati apo diltiazemi. Zgjerimi i enëve të gjakut redukton dhimbjen dhe shpie në një shërim më të shpejtë.

Përdorimi i medikamenteve që ndihmojnë në përmirësimin e fluksit të gjakut.

Përdorimi i multivitaminave të ndryshme me bazë kalciumi dhe vitaminë D, C.