ilir-beqaj1

Denisa Canameti / Shëndeti Online dhe gazeta Shëndet+

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj vazhdon që të jetë në qendër të kritikave të qytetarëve. Këta të fundit nuk e “kursyen” as në urimin që kreu i shëndetësisë bëri për festa.

Të sëmurët me diabet dhe të sëmurët me kancer janë ata që vuajnë më shumë mungesat nëpër spitale. Kjo edhe për shkak të kostos së lartë që ka sëmundja e tyre.

“Z. Beqja, ju uroj nga zemra gëzuar e për shumë vjet Vitin e Ri. Uroj që mbase të bijë ndërmend e na i fut në receta pa lekë fishat që masim diabetin. Jam invalide e s’ma ma kurrizi me i ble fishat” shkruan një zonjë në faqen zyrtare të Ministrit.

Personave me diabet iu është premtuar shpesh herë përfshirja e fishave në skemën e rimbursimit, gjë e cila nuk ka ndodhur. Pavarësisht premtimeve të bëra në vite nga drejtuesit e dikastereve shëndetësore, përfshirja e këtyre pajisjeve dhe materialeve mjekësore në skemën e rimbursimit mbetet ende në letër. Kostoja e tyre është shumë e lartë, dhe përballë vështirësive që kanë pacientët në sigurimin e tyre, u kërkua që të paktën dy prej këtyre fishave të përfshihen në skemën e rimbursimit nga shteti.

Komentet në faqen e ministrit Beqaj vazhdojnë:

“Nuk keni as turp, 4 herë në muaj shkoj te onkologjiku për tezen. Ajo dhe shpirti saj e di sa po paguan 2 shishka me ilaç nga 2700 lek të reja. Turp”.

Përgjatë gjithë vitit është folur për mungesat në shërbimin e onkologjisë. Përmes një investigimi gazeta “Shëndet plus”, solli në vëmendje jo vetëm numrin e pakët të citostatikëve që siguron spitali për gjatë gjithë vitit por edhe mënyrën sesi pacientët me kancer i sigurojnë ato nëpër farmaci që vazhdojnë ti shesin kontrabandë, kundrejt një çmimi shumë të lartë.

Ndërkohë, të tjerë komente shkruajnë:

“Në Fier nuk ka as diazopan në spital”

“E keni rilindur mirë shëndetësinë as ilaçet minimale nuk gjenden nëpër spitale. Por siç thua dhe vetë kjo është rilindja”

 “Suksese në jetë z/ministër”

Çdokush ka të drejtë në gëzimin e standardeve më të larta të shëndetit. Në këtë kuptim, shteti është i detyruar të krijojë një sistem të kujdesit shëndetësor që të ofrojë të njëjtën cilësi të kujdesit shëndetësor për të gjithë qytetarët. Domethënë, është i detyruar të sigurojë që të gjithë të kenë qasje në objektet shëndetësore, në materiale dhe shërbime, në mënyrë që të gëzojnë standardin më të lartë të shëndetit fizik dhe mendor./ http://shendeti.com.al/