Blertina Koka, Shendeti Online dhe gazeta Shëndet+

Shumë spitale në vend, sidomos ato të zonave të largëta, janë në gjendje të mjerë. Por, pamjet e filmuara tek materniteti i Lezhës tregojnë më shumë se mjerim.

Godina e maternitetit është aq e amortizuar sa çdo pikë shiu që bie jashtë, hyn edhe brenda.

Në videon e publikuar nga mjeku obstetër gjinekolog Leon Kaza, njëherësh edhe shefi i Maternitetti të Lezhës, mund të shikoni se si janë vendosur kovat dhe koshat e plehrave për të mbajtur ujin e shiut që pikon nga tavani.

“Ky është rezultati pas 20 vitesh indiferencë ndaj maternitetit Lezhë”, shkruan mjeku në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Duhet thënë se prej vitesh në spitalin obstetrik-gjinekologjik të Lezhës nuk është ndërmarrë ndonjë investim serioz.

Në një intervistë të dhënë para pak muajsh për gazetën “Shëndet+”, mjeku Kaza deklaroi se në Maternitetin e Lezhës ka mungesë të theksuar të aparaturave mjekësore, amortizim të godinës, probleme me rrjetin hidraulik, rrjetin elektrik, si dhe me pajisjet laboratorike (lexo këtu).