Përshëndetje! Kohët e fundit ime motër ka përjetuar çrregullime të ciklit menstrual. Ju lutem a mund të më thoni se cilat mund të jenë arsyet për këtë çrregullim? A mund të ketë kiste? Jemi të shqetësuara për këtë çështje.

cikli menstrual_menopauze_jetegjatesiPërgjigjet për gazetën “Shëndet+” dhe Shëndeti Online: mjekja Lindita Myzyri, gjinekologe pranë Qendrës Shëndetësore nr.3, Tiranë

Çrregullimet në ciklin menstrual ndodhin për shumë arsye. Por për të dhënë një përgjigje të saktë, së pari duhet të dimë moshën e pacientes, nëse ka provuar jetë seksuale ose jo, si dhe statusin psikologjik të saj, pasi stresi është një nga faktorët kryesorë që ndikon në raste të tilla. Gjithsesi, një çrregullim cikli mund të ndodhë edhe kur lëvizim nga një qytet në tjetrin, nga një shtet në tjetrin, nga mënyra e të ushqyerit (dietat e forta) dhe e fundit mund të jetë edhe ndonjë kist.

Por, të pasurit  një kist nuk nënkupton që gjithnjë do të ketë çrregullim të ciklit në kuptimin që cikli menstrual nuk vjen në datat e caktuara. Mund të ndodhë që menstruacionet të vijnë një herë në tre-katër muaj ose të vijnë pika-pika.

Për të vendosur një diagnozë dhe për të dhënë një trajtim të saktë, pacientja duhet të bëjë patjetër një vizitë pranë mjekut gjinekolog.