Denisa Canameti / Shëndeti Online dhe gazeta Shëndet+

Një numër i pazakontë qytetarësh kanë vërshuar drejt urgjencave dhe qendrave shëndetësore për shkak të një situatë të rënduar si pasojë e epidemisë së një gripi.

Gazeta “Shëndet+” raportoi nga urgjenca e pediatrisë së Tiranës një situatë kaotike, ku mjekët flisnin për 400 raste që paraqiteshin brenda 24 orëve. Mjekët shprehën shqetësimin e madh për mbingarkesën, e cila po bëhej e papërballueshme për ta.

U raportua se kjo mbingarkesë, veç të tjerash, urgjencës i vjen edhe për shkak se prindërit preferojnë t’i sjellin fëmijët e sëmurë drejt e në urgjencën e pediatrisë edhe për komplikacionet më të lehta, pavarësisht se trajtimi dhe vizitat mund të merren fare mirë pranë mjekut të familjes.

Përballë një situatë të tillë, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj urdhëroi ngritjen dhe funksionimin e shërbimit për urgjencat mjekësore të moshës pediatrike në të gjitha qendrat shëndetësore të Tiranës.

Megjithatë, pavarësisht kësaj gatishmërie të Ministrisë për t’ju përgjigjur kësaj situate alarmante, e cila ka çuar edhe në shtyrjen e fillimit të shkollës, qytetarët ankohen se qendrat shëndetësore nuk po ju përgjigjen urgjencave. Prandaj detyrohen t’i zënë derën QSUT-së. Në Qendrën Shëndetësore të Kamzës pacientët përcillen për në farmacinë më të afërt për të blerë edhe ultrakorten.

“Nuk ka as medikamentet bazë”, thotë V. S, e cila ka sjellë djalin me temperaturë të lartë në Qendrën Shëndetësore të Kamzës.

“Ose do blejmë medikamentet ose do detyrohemi ta çojmë fëmijën në urgjencën e pediatrisë në QSUT. Po dhe atje është gjithë ajo radhë. Veç kësaj, na bëjnë llafe se ne kemi Qendrën tonë. Po çfarë të bëjmë. Nga halli debatojmë edhe me mjekët. Kamza vetëm spital që nuk ka. Dhe janë gjithë këta njerëz. Dikush duhet ta vrasë mendjen se pse bëhemi kaq problem edhe kur shkojmë në QSUT. Nuk na përgjigjet as qendra jonë”.

Prej disa muajsh, në Bashkinë e Kamzës kanë nisur punimet për rikonstruksionin dhe zgjerimin e Qendrës Shëndetësore. Rreth 640 milionë lekë është fondi për rikonstruksionin e godinës, ndërsa 200 milionë lekë të tjera do të shkojnë për pajisjet mjekësore dhe mobilimin, në mënyrë që 77 mjekë dhe infermierë të kësaj qendre t’u ofrojnë pacientëve një shërbim më të mirë të kujdesit shëndetësor.

“Prej disa muajsh, në Bashkinë e Kamzës ka filluar rikonstruksioni dhe zgjerimi i Qendrës Shëndetësore. Është një njësi ku ka goxha popullsi, për pasojë, ka dhe nevoja për kujdes shëndetësor. Bashkia e Kamzës ka rreth 90 mijë banorë, përveç Qendrës së Specialiteteve në Paskuqan, që ka filluar nga puna gjatë vitit, po punojmë me një investim rreth 640 milionë lekë nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve për të vendosur në kushte normale edhe këtë qendër shëndetësore”.

Që në fillim të vitit të ardhshëm, tha më tej Beqaj, me buxhetin që u miratua, alokohen dhe 200 milionë lek ë të tjera për pajisjet mjekësore, mobilim,  të cilat do të jenë gati në muajin maj të vitit të ardhshëm apo 2-3 muaj përpara detyrimit kontraktual, ndërkohë që do të instalohen edhe pajisjet, në mënyrë që në maj të mund të ofrojmë një shërbim shumë më të mirë.

Aktualisht, qendra e sajuar shëndetësore e Kamzës nuk po iu përgjigjet nevojave të pacientëve në këtë situatë epidemie./ http://shendeti.com.al/