Aishe Thartori, gazeta Shëndet+ dhe Shëndeti Online

Gjoksi është pjesa më sensuale te femrat, por njëkohësisht edhe më e riskuara nga faktorë të shumtë. Ndër faktorët më riskant pa diskutim që mbetet kanceri i gjirit, më i shpeshti tek femrat pas kancerit në qafën e mitrës, pavarësisht grupmoshës. Nëse arrin të diagnostikohet në kohë, është i shërueshëm dhe ky është një apel i vazhdueshëm i mjekëve onkologë, dhe jo vetëm. Mirëpo në luftën ndaj kancerit të gjirit shpeshherë një pjesë e femrave humbasin feminilitetin e tyre duke hequr njërin ose të dy gjinjtë. Në këtë pjesë prej kohësh në vendin tonë kirurgjia plastike u vjen në ndihmë të gjitha grave dhe vajzave të reja jo vetëm nga pikëpamja shëndetësore, por edhe nga ajo psikologjike.

Në një intervistë të dhënë për gazetën “Shëndet+” kirurgu plastik në Spitalin e Djegies Plastike në QSUT, Sokol Isaraj, shpjegon procedurën e rikonstruksionit (ndërtimit) të gjoksit, përfitimet shëndetësore dhe psikologjike që iu ofrohet femrave, etapat nëpër të cilën kalon procedura, si dhe cilat femra mund të kryejnë ndërtim të gjoksit.

gjoksDoktor, çfarë është rikonstruksioni i gjoksit? Dhe në cilat raste realizohet?

Rikonstruksioni i gjoksit është trendi bashkëkohor i kirurgjisë plastike. Të rikonstruktosh gjoksin do të thotë thjesht shqip ta rindërtosh atë. Ka dy terma që duhen saktësuar. Sot flitet shumë për kirurgji onkoplastike. Kirurgji onkoplastike, me fjalë të tjera, do të thotë të heqësh ca gjendra të gjirit me mënyra të tilla që të mos prishësh formën e gjoksit. Kirurgjia rikonstruktive është shkalla më e lartë e kirurgjisë onkoplastike. Në rastin e rindërtimit të plotë të gjoksit e gjithë gjendra e gjoksit është hequr dhe duhet rindërtuar. Kur hiqen vetëm pjesë të gjendrës, përdoren metodat onkoplastike, që në njëfarë mënyre përdorin dhe riorganizojnë pjesën e mbetur të gjirit, në mënyrë të tillë gjoksi ndryshon pak ose aspak formën e tij.

Pra, nëse do t’i përgjigjesha pjesës së dytë të pyetjes suaj, kirurgjia rikonstruktive e gjoksit bëhet në të gjitha ato femra që për arsye, kryesisht të një kanceri, e kanë humbur njërin ose të dy gjokset.

Në bazë të materialit që përdoret për rikonstruksion, ky mund të jetë:

  1. Rikonstruksion autolog, kur përdoren inde të vetë pacientes. Metodat autologe shfrytëzojnë lëkurën dhe dhjamin e regioneve të tjera trupore për t’i dhënë formë gjoksit të ri, kryesisht nga barku, por jo rrallë edhe nga kurrizi, vithet, pjesa e brendshme e kofshëve, ose edhe nga pjesa e pasme e saj. Gjithë arti qëndron në transferimin e masës së duhur për në gjoks, por pa shkaktuar deformim të madh në zonat ku kjo masë merret (zonat donatore ose dhuruese, siç i quajmë në gjuhën mjekësore).
  2. Rikonstruksion me implant. Në këtë rast përdoret një protezë silikoni e ngjashme me atë që përdorim kur zmadhojmë gjoksin.
  3. Rikonstruksioni i përzier bëhet atëherë kur kombinohen të dyja metodat e mësipërme

Kur mund të kryhet rikonstruksioni?

Në bazë të kohës kur rikonstruksioni, kryhet ai mund të jetë:

  1. I menjëhershëm. Në këtë rast në një ekip të përbashkët kirurgu i gjoksit bën heqjen e gjendrës dhe po brenda të njëjtit operacion kirurgu plastik bën rikonstruksionin
  2. I vonuar. Pacientja më parë i është nënshtruar heqjes së gjendrës, por për arsye të ndryshme që kryesisht kanë të bëjnë me sëmundjen bazë, rikonstruksioni nuk mund të bëhet po në të njëjtin operacion. Në një etapë të dytë, pak muaj pas operacionit të parë, kryhet rikonstruksioni.

Pra, ka një sërë metodash, mënyrash, momentesh kohore kur kryhet rikonstruksioni i gjoksit. Duket pak si situatë konfuze se cila metodë duhet zgjedhur, në cilin moment duhet kryer. Në fakt, kjo nuk është e vështirë për ta zgjidhur nëse koordinohen veprimet e ekipit trajtues. Pavarësisht se kirurgë të caktuar kanë më shumë për zemër një teknikë të caktuar, do të ishte mirë që kirurgu të zotëronte të gjithë teknikat dhe të zgjidhte atë me idealen për një pacient të caktuar.

rindertimi i gjoksitQë kur ka filluar ky trajtim të realizohet në vendin tonë?

Unë nuk mund ta them me siguri se kur. Mund të ketë ndodhur shumë kohë më parë se sa jam në dijeni, sigurisht edhe nëse ka ndodhur, ka qenë ndonjë rast sporadik. Me këtë nuk dua të them se rastet që unë kam realizuar janë të shumtë dhe rutinë. Por kam të paktën katër vjet që kam filluar të realizoj rikonstruksion gjoksi. Edhe pse është një nga gjërat që do të preferoja ta kryeja shumë më shpesh, operacioni i rikonstruksionit të gjoksit nuk është bërë ende rutinë në praktikën time dhe as të kolegëve të mi kirurgë plastikë.

Sa të informuara janë femrat rreth kësaj procedure dhe mundësie të re që iu ofrohet?

Përgjigjja e kësaj pyetjeje sqaron në njëfarë mënyre edhe arsyet pse rikonstruksioni i gjoksit nuk kryhet aq shpesh këtu tek ne. Unë nuk kam ndërmarrë ndonjë studim që të shoh se sa janë të informuara femrat, por jam shumë i sigurt se ky informacion është pothuaj inekzistent.

Për fat të keq, mungon bashkëpunimi i kirurgëve onkologë me kirurgët plastikë. Jo vetëm kaq, por kirurgët onkologë ndonjëherë preferojnë ta bëjnë vetë rikonstruksionin. Pa dashur të vë në dyshim aftësitë e tyre për të kryer një procedurë plastike, unë mendoj se një gjë e tillë është mënyra më e gabuar për të zgjidhur problemin. Është njësoj sikur një kirurg plastik të heqë gjendrën e gjoksit. Kjo ide e imja përforcohet edhe nga përvojat që kam pasur në disa qendra spitalore universitare në SHBA. Në asnjë prej tyre, në asnjë rast të vetëm nuk kam parë që heqja dhe rikonstruksioni të bëhej nga një specialist i vetëm. Përkundrazi, në të gjitha rastet ekipi kirurgjikal i ka pasur të dy specialistët.

Por për ju që merreni kryesisht me shëndetin, mendoj se nuk është rasti i parë që dëgjoni faktin që mjekësia jonë bashkëpunimin midis specialiteteve e ka në shkallën më të ulët të mundshme. Kur të vijë momenti që ky bashkëpunim të arrijë shkallën e duhur, jam i sigurt që çdonjërës prej grave që diagnostikohet me kancer gjiri, do t’i jepet që në fillim informacion për rikonstruksionin.

Një femre e cila ka dalë me një gji të hequr nga lufta me kancerin, i ofrohet (vihet në dijeni) procedura e rikonstruksionit të gjoksit?

Kirurgët plastikë nuk janë në kontakt me paciente të tilla, ato vetëm referohen tek ne. Por siç e thashë edhe më parë, duke u nisur nga intensiteti i këtyre referencave, mund të arrish në konkluzionin që shumicës së grave nuk i ofrohet alternativa e rikonstruksionit të gjoksit.

Dr. Sokol  Isaraj, kirurg plastik duke folur për Shëndeti+

Dr. Sokol Isaraj, kirurg plastik duke folur për Shëndeti+

Vetë femrat (duke iu referuar tashmë atyre që kanë në njëfarë mënyrë informacion) e kërkojnë me nismën e lirë realizimin e një procedure të tillë?

Sigurisht. Por në Shqipëri ky është një kontigjent i vogël. Ne jemi një shoqëri ku ende nuk flitet për cilësi jete, me të njëjtin intensitet siç flitet në shoqëritë me të përparuara. Dhe unë mendoj se rikonstruksioni i gjoksit ka të bëjë kryesisht me cilësinë e jetës së një gruaje, përtej mbijetesës së saj. Shumica e femrave që marrin lajmin e keq se kanë kancer gjiri, pas tronditjes fillestare mendojnë vetëm për mbijetesë. Për pjesën dërrmuese të femrave shqiptare as që mund të imagjinohet se do të shqetësohen shumë për faktin se humbën njërin apo të dy gjokset. Por jam i sigurt se ky mentalitet do të ndryshojë gradualisht, dhe nuk do të jetë e largët dita kur femrat shqiptare do të jenë të interesuara për të restauruar një prej pjesëve që identifikon feminilitetin e tyre po aq sa janë të dëshiruara për t’i mbijetuar betejës me kancerin.

Si ndërhyhet me anë të këtij rikonstruksioni (fazat) dhe sa zgjat si procedurë?

Me përparimet që janë bërë sot në depistim dhe diagnostikim, kanceri i gjirit kapet qysh në fazat e hershme të fillimit të tij. Kjo ka bërë të mundur që shumica e rikonstruksioneve të realizohen brenda një operacioni. Pra, parimisht nëse sëmundja në fazën kur diagnostikohet është vetëm lokoregjionale, dhe jo e përhapur në gjithë trupin, rikonstruksioni mund të kryhet në të njëjtin operacion. Duhet thënë se kanceri i gjirit po konsiderohet gjithmonë e më shumë si sëmundje sistemike (pra, e gjithë trupit) edhe në rastet kur të gjitha ekzaminimet tregojnë se ai është i përqendruar vetëm në gjoks.

Por një konsideratë e tillë nuk është pengesë për të realizuar rikonstruksionin.

Sot teknikat e heqjes janë në shumicën e rasteve të tilla që ruajnë sa më shumë nga lëkura e gjoksit, madje ruajnë edhe zonën e ngjyrosur të gjoksit, thithin dhe areolën. Kjo e bën rikonstruksionin më të lehtë. Ndonjëherë gjatë heqjes së gjendrës hiqet edhe një pjesë e konsiderueshme e lëkurës, kështu që të paktën rikonstruksioni me anë të protezës nuk mund të kryhet brenda një operacioni. Në këtë rast si fillim  vendoset aty një i ashtuquajtur “skin expander”, i cili mbushet çdo javë me solucion fiziologjik steril dhe duke u zmadhuar krijon lëkurë “të tepërt” në zonën e gjoksit. Pas disa muajve, kur është krijuar sasia e duhur e “mbështjelljes lëkurore”, pacientja rioperohet dhe futet proteza normale e gjoksit.

Cilat janë të mirat shëndetësore dhe psikologjike të kësaj procedurë?
Për sa i përket përfitimeve shëndetësore, nuk ka ende studime të mirëfillta që të mbështesin ose të kundërshtojnë rolin e rikonstruksionit. Kështu që përfitimi mund të quhet thjesht psikologjik. Por nëse marrim parasysh përkufizimin e OBSH-së (Organizatës Botërore të Shëndetësisë) për shëndetin, pjesë e këtij të fundit është edhe mirëqenia psikologjike. Kështu që sipas këtij kuptimi të shëndetit, rikonstruksioni ka rolin e vet madhor në shëndetin e një gruaje të operuar për kancer gjiri.

A ka femra të cilat nuk mund ta realizojnë këtë procedurë?
Përgjithësisht jo. Por në rastet e avancuara të kancerit të gjirit, në rastet e përhapjes së sëmundjes, me metastaza në zona të tjera të trupit, rikonstruksioni nuk mund të realizohet. Rikonstruksioni është një procedurë kirurgjikale përgjithësisht e zgjatur dhe kërkon një gjendje të përgjithshme të mirë të organizmit. Pra, gratë që kanë probleme shoqëruese shëndetësore, si stade të përparuara diabeti, hipertension, sëmundje të tjera të zemrës, enëve të gjakut etj, nuk mund të përballojnë një procedurë shumë të gjatë kirurgjikale dhe mund të mos e përfitojnë rikonstruksionin.

Pas ndërhyrjes, femrat mund të sigurojnë një rezultat 100% të ngjashëm me atë të një gjiri normal?
100% është një shifër shumë “e rrezikshme”, por gjiri i rikonstruktuar duhet patjetër t’i ngjajë një gjiri normal, me të gjithë karakteristikat e tij, domethënë përmasa, vëllim kurbatura, pozicioni në gjoks etj.  Me metodat e sotme të rikonstruksionit mundësia për sukses në këtë drejtim është shumë e madhe. Për të arritur rezultate sa më natyrale, ndonjëherë mund të kërkohet ndërhyrja edhe në gjoksin tjetër, si për shembull ngritje lart e një gjoksi shumë të rënë, reduktim ose zvogëlim i një gjoksi shumë të madh. Këto procedura ndihmëse e rrisin shumë mundësinë e suksesit final nga pikëpamja estetike.
Kjo procedurë realizohet me anë të një ndërhyrjeje të vetme apo janë të nevojshme edhe ndërhyrje të mëvonshme?
Diçka kam thënë më sipër në lidhje me këtë gjë. Ka procedura njëetapore, që madje mund të kryhen menjëherë pas heqjes së gjirit në të njëjtin operacion.
Duhet thënë këtu që pas rikonstrukionit madhor, bëhen pothuajse gjithmonë procedura më  të vogla që kanë të bëjnë kryesisht me rikonstruksionin e kompleksit thith-areolë. Por këto janë të lehta dhe kryhen ambulatorisht. Procedurë e shpeshtë që kryhet si shtesë ndaj rikonstruksionit bazë, është injeksioni me dhjam, e cila realizohet disa muaj pas rikonstruksionit të parë dhe synon të korrigjojë deficitet e vogla në vëllimin e gjoksit të ri ose të plotësojë parregullsitë e konturit të gjoksit të ri.

Por kjo procedurë ndihmëse varet kryesisht nga dëshira e pacientes për të arritur tek ajo që unë e quajta shifër të rrezikshme. Pjesa më e madhe e grave kënaqen dhe mjaftohen me rikonstruksionin bazë dhe nuk kërkojnë më shumë se kaq. Këtu do të citoja komentin e njërës prej pacienteve të mia. Pas verës së parë me gjoks të rindërtuar ajo më falënderoi në konsultën e radhës në një mënyrë krejt origjinale duke më thënë “Faleminderit, doktor, që më bëre të heq leckat me të cilat mbushja çdo ditë reçipetat!”

A është një ndërhyrje e rrezikshme për shëndetin?
Si çdo ndërhyrje tjetër, edhe kjo nuk është pa risqe. Por me metodat e sotme të anestezisë, me përgatitjen e mirë preoperatore, risqet janë minimale dhe operacioni mund të quhet i sigurt në një shkallë shumë të lartë.

Angelina-Jolie-AU-Summit

Rindërtimi i gjoksit, edhe tek gratë e famshme

Aktorja Anzhelin Zholi (Angelina Jolie) është një nga femrat e famshme e cila u detyrua t’i nënshtrohej një operacioni për heqjen e gjoksit për shkak të rrezikut të kancerit të gjirit. Në një letër publike ajo u shpreh: “Kam dëshirë të shkruaj dhe t’u tregoj grave se vendimi për të kryer mazektomi nuk ka qenë i lehtë, po ka qenë një vendim për të cilin jam shumë e lumtur që e ndërmora. Mundësitë që unë të prekem nga kanceri i gjirit janë ulur nga 87% ne 5%. Tani mund t’u them fëmijëve të mi që ata s’kanë pse të tremben nga frika se mund të më humbasin për shkak të kancerit të gjirit”. Tashmë, me një gjoks të rindërtuar, ajo vazhdon të jetë sërish ndër femrat më sensuale të Hollivudit.