unfpa-tfl

Për gazetën “Shëndet+”, Milena Turtulli, psikologe

Dhuna ndaj vajzave është në rritje. Ka momente që them që është në degradim. Nxitet nga media e shkruar, rrjetet sociale, televizioni, të cilët promovojnë një model gruaje gati në kufijtë e degradimit.

Si t’i shpëtojë një vajzë kulturës seksiste në media që i kërkojnë të jetë “e bukur”? Duke pasur një vlerësim të madh për veten. Duke pasur një rrjet që e mbështet shumë mirë, një familje që e mbështet, një shoqëri që e mbështet dhe që nuk të mbyll sytë në momentin e një dështimi. Këto janë të vetmet gjëra që na duhen në jetë për të ecur përpara.

adoleshenteTë gjithë do të biem, të gjithë do të rrëzohemi, të gjithë do të takojmë njerëz që do të tentojnë të prishin integritetin dhe besimet tona, do të tentojnë të na marrin nga vlerat që kemi. Ajo që kemi ne në dorë, është që të lëshojmë ose jo në këtë drejtim.

Ime bijë vetëm 8 vjeç më tha: “Më mirë të jesh djalë sesa vajzë. Sepse nga një vajzë pritet që të sillet shumë mirë, nga një djalë jo”. Ajo është shumë e vogël, por e ka kuptuar këtë diferencimin e madh që ekziston mes vajzave dhe djemve. Për vajzat pritet të sillen  mirë, të mos kthejnë fjalën, të jenë kokulur, të përmbushin pritshmëritë e të gjithëve rrotull. Ndërkohë djemtë ushqehen dhe priren që të jenë më të guximshëm. Nuk ka rëndësi nëse gabojnë, ata duhet të jenë më të guximshëm. Dhe kjo i ndan burrat nga gratë. Burrat nuk janë në pozicione më të larta sepse janë më të zgjuar, por sepse janë më të guximshëm. Dhe kush guxon, fiton.

Atëherë duhet barazi? Unë nuk jam dakord as me konceptin “të votojmë gratë si udhëheqëse që të jenë të barabartë në numër me burrat”. Jo! Mendoj se kjo i penalizon gratë. Unë nuk duhet të votoj një grua sepse duhet të respektoj një kuotë. Unë dua që të kenë mundësi të barabarta. Nëse është i zoti, le të më përfaqësojë një burrë, nuk ka problem. Nuk dua të më përfaqësoj një grua që mbase nuk e meriton, por që unë duhet ta votoj sepse është grua. Përpiqem që të transmetoj te të gjithë ata që vijnë në zyrën time: barazi vajzë-djalë.

Si mund të ndryshojnë meshkujt agresivë? Duhet një punë e jashtëzakonshme që të arrihet në një stad tjetër. Si arrihet? Përmes shkollimit, fillimisht brenda mureve të shtëpisë. Shkollimi i parë nis aty. Nëna duhet të inkurajojë dhe fuqizojë çdo qelizë të fëmijës.