Kryefaqja Aktualitet SKANDALI: Shërbimi i hematologjisë, ilaçet futen kontrabandë, në rrezik jeta e pacientëve

SKANDALI: Shërbimi i hematologjisë, ilaçet futen kontrabandë, në rrezik jeta e pacientëve

2
Shpërndaje

Denisa Canameti, Xhovana Kodra, gazeta “Shëndet+” (Click here for English version)

Shërbimi i Hematologjisë është një shërbim unikal për të gjithë Shqipërinë. Në pavionin e hematologjisë në QSUT paraqiten gati 300 raste të reja çdo vit me sëmundje malinje të gjakut. Problem kryesor në të përbën mungesa sistemike e medikamenteve, të cilët futen “kontrabandë” dhe blihen nga vetë pacientët, pasi furnizimi nga Ministria e Shëndetësisë nuk përmbush nevojat e pacientëve që trajtohen në shërbimin e hematologjisë në QSUT, edhe pse u takojnë me ligj. Ne kemi gjetur ankesa të pacientëve dhe fakte të cilat i kemi denoncuar pranë institucioneve përkatëse.

Urdhri i Farmacistit fajëson shtetin duke deklaruar se mungesat nxisin “kontrabandën”, ndërsa Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave thotë se do të bëjë verifikimet përkatëse për ilaçet “pa pullë” nëpër spitale. Ndërkohë, nga Ministria e Shëndetësisë nuk ka ende një përgjigje.

Pacientja: Ilaçet i blejmë vetë

Pacientja D.Z., e cila vuan nga mieloma multiple, është e shtruar në pavionin e hematologjisë. E pyetur lidhur me faktin nëse spitali i siguron medikamentet ajo thotë:

“As ilaç, as dreq nuk kemi. I blejmë jashtë, por janë shumë të shtrenjtë. Këto që na sjellin janë kot, pluse. Ngaqë nuk ndodhet ilaçi kryesor “velkad”, na japin kortizonikë. “Ato më shpërthyen diabetin, më rritën sheqernat se as diabet nuk kisha, as asgjë. Kam blerë “endoxan”, e blej vetë 12 mijë apo 14 mijë lekë deri kur të vijë velkadi. Velkadi bën miliona, nuk gjendet. Nuk besoj të ketë më keq se tek ky pavion”.

Hematologjia ilacet pa pulle (4)
Citozari i futur kontrabandë, pa pullën e QKKB-së dhe as pullën spitalore

Barnat pa pullë: Ondansetron dhe citozar pa pullë sigurie në pavionin e hematologjisë

Ilaçet ondansetron* dhe citozari* gjenden në pavionin e hematologjisë jo të siguruara nga farmacia e spitalit, por nga vetë pacientët. Fotot e siguruara tregojnë këto ilaçe të futura në hematologji në kundërshtim me rregullat.

*Ondansetron është një medikament që përdoret për të parandaluar të përzierat dhe të vjellat që mund të shkaktohen nga kirurgjia ose nga një  ilaç për trajtimin e kancerit. Ky bar blihet jashtë ambienteve të spitalit. Edhe pse në paketim shkruan “Only for hospital use” (vetëm për përdorim spitalor). Në pavionin e hematologjisë mungon një bar i tillë shpesh.
*Citozari mund të përdoret vetëm ose me medikamente të tjera për trajtimin e tipeve të ndryshme të kancerit. Është një medikament kimioterapie që mundëson ngadalësimin ose ndal rritjen e qelizave kancerogjene.

Ky bar që qarkullon në shërbimin e hematologjisë, nuk ka të aplikuar në paketim pullën e kontrollit të barnave, të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

Hematologjia ilacet pa pulle (5)
Ilaç i blerë nga pacientët në farmaci, pa pullën spitalore

Kur nuk furnizon MSH-ja, furnizojnë farmacitë (“kontrabandë”)

Ministri Ilir Beqaj në një debat televiziv u shpreh se “duhet të pranoj se në Shqipëri, por jo vetëm, sëmundjet tumorale janë ende jo një betejë e fituar nga njerëzimi dhe nga shëndetësia”. Në fakt, Ministria e Shëndetësisë nuk ka mundur asnjëherë që ta plotësojë 100% listën e kërkesave që kanë spitalet për medikamente që duhet të jenë patjetër në institucionet shëndetësore, ku bëjnë pjesë edhe citostatikët. Burimet brenda QSUT-së thonë se mungesa e citostatikëve ndërlidhet edhe me mungesën e buxhetit, pasi ka një mospërputhje midis kërkesave dhe mundësive.

diana toma (3)
Diana Toma, presidente e Urdhrit të Farmacistit

Diana Toma, presidente e Urdhrit të Farmacistit, në një intervistë të dhënë për çështjen e futjes së ilaçeve “kontrabandë” shprehet:

“Të jeni të sigurt se askush nuk ka dëshirë të tregtojë barna pa pullë, se e dinë çfarë kalvari mund t’i ndjekë. Që të tregtosh një bar pa pullë, do të jesh me alarm SOS sa të kesh farmacinë hapur. Gjë që askush nuk e do.

“A i gjen pa pullë? Sigurisht që i gjen! A i gjen me pullë? Jo, nuk i gjen. Pra, është pikërisht kjo mosgjetje me pullë e këtyre barnave që bën që në farmaci të gjendet bari pa pullë. Kur nuk sigurohen në një formë të rregullt, favorizohet futja në mënyrë të parregullt.

“A janë sanksionet zgjidhja? Sanksioni nuk zgjidh gjëra. Sanksionet sjellin thjesht rritje të korrupsionit. Sa më e madhe masa e sanksionit, aq më e lartë shkalla e korrupsionit. Nëse e kapim çështjen si qytetarë, nëse je në kurriz me peshën e një diagnoze, kur vete te ajo farmacia, ke hallin sesa në rregull është ajo farmaci me ligjet apo ke hallin si kjo farmaci ka në dorë medikamentin që mundëson shërimin e diagnozës? Dhe këta farmacistë nga mëngjesi deri në darkë përballen vetëm me njerëz që kanë probleme shëndetësore, me njerëz që kanë të tilla halle.

“Mos më keqkuptoni! Në këtë rast nuk dua të nxis kontrabandën e ilaçeve. Në këtë rast doja të nxisja dhe të vija në lëvizje mekanizmat e shtetit që të mundësojnë futjen e barnave të cilat nuk janë të regjistruara, por janë kërkesë e tregut farmaceutik.

“Kemi një politikë shëndetësore të realizuar më së miri. Baza është të kurojë sëmundjen me mekanizma sa më efikas, sa më të sigurt. Ku ka mekanizëm më të saktë, më të sigurt, më efikas sesa ky bar që futet “kontrabandë” të mundësohet kundrejt një lejeje importi. Ngërçi qëndron në faktin e marrjes së lejes së importit. Nuk po them të lëshohet pa duar dhënia e lejeve të importit, por kundrejt standardeve siç jepet çdo leje importi. Madje kur janë barna të paregjistruara, ka edhe disa hallka të tjera, që duhet t’i kalojë. Kjo nuk do të sillte jo vetëm një pacient të kënaqur dhe një farmacist me mision të kryer, por do të kishim një transparencë të barnave që do të hynin në Shqipëri dhe e dyta, për sistemin financiar do të kishim deklarim të çdo lloj xhiroje. Dhe kjo xhiro do të deklarohej në tre segmente: në atë që e importonte, në atë që e distribuonte brenda Shqipërisë dhe në hallkën e fundit që e shpërndan dhe e çon te pacienti, te farmacia”.

Urdhri i ministrit: Pajisja me vulë e barnave që përdoren në institucionet shëndetësore publike

Petrit-Vasili-LSINë korrik të vitit 2011, ish-ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili nxori urdhrin për “Pajisjen me vulë të barnave që përdoren në institucionet shëndetësore publike“. Ky urdhër që hyri në fuqi më 25 korrik 2011, parashikonte uljen e abuzimeve, referuar rasteve kur ilaçet e spitaleve gjendeshin në farmaci.

Në këtë urdhër thuhet:

“Barnat që qarkullojnë në sistemin shëndetësor publik, përveç pullës së sigurisë, duhet detyrimisht të jenë të vulosura edhe me vulën me mbishkrimin “Përdorim Spitalor – Ndalohet Shitja”.

“Në sistemin shëndetësor publik lejohet të qarkullojnë barna që mbajnë pullë sigurie me çmim për rrjetin e hapur farmaceutik vetëm nëse ato mbajnë vulën me mbishkrimin “Përdorim Spitalor – Ndalohet Shitja”.

“Boja që përdoret për stampimin e vulës të jetë me të kuqe që nuk fshihet”.

QKKB: Do të bëjmë verifikimet e duhura

E kontaktuar lidhur me këtë çështje, Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave shprehet:

“Sa i përket barnave të cilat janë blerë nga pacientët pa pullën e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, qytetarët duhet të marrin parasysh edhe rrezikun e përdorimit të tyre, pasi ato janë barna të pakontrolluara nga ana e autoritetit përkatës.

“Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të ushtrojë kontrollet përkatëse për të bërë verifikimet e duhura dhe mbetet e hapur për çdo denoncim të bërë nga qytetarët apo burim tjetër i sigurtë”.

Ogerta Manastirliu
Drejtoresha e QSUT-së, Ogerta Manastirliu

QSUT: Ka më shumë furnizim se në vitin 2013

Lidhur me mungesën e ilaçit “Velcade”, e pyetur edhe më parë, përgjigjja e z.Alvi Bajramaj, përgjegjës i zyrës së Marrëdhënieve me Publikun, QSUT, ishte: “Gjatë vitit 2015 QSUT ka konsumuar një sasi prej 320 flakonë Velkade, kundrejt vetëm 19 flakonë në vitin 2013. Administrimi i barit realizohet në Shërbimin e Hematologjisë sipas terapisë së pacientëve”.

Citostatikët “kontrabandë”, me kundërfekte fatale

Një nga problemet e tjera të citostatikëve “kontrabandë” (veç kostos tepër të lartë) është cilësia e tyre. Është e domosdoshme që citostatikët të transportohen në temperaturë 2 – 8 gradë celsius dhe të kenë kushte të përshtatshme gjatë transportimit. Qëndrimi dhe transportimi i këtyre medikamenteve në temperatura të larta gjatë verës, përveç që ndikon në humbjen e  cilësisë dhe të mos reagojë si terapi, mund të kenë edhe kundërefekte.

Çdo bar i “kontrabanduar” bart rrezikun për falsifikim, pasi që nuk përmban fare substancë aktive, përmban sasi më të vogël – efekt farmakologjik i  pamjaftueshëm apo përmban sasi më të madhe të substancës aktive – efekt toksik.

Edhe nëse produkti është origjinal, bart rrezikun për degradim të përmbajtjes si rezultat i kushteve joadekuate të ruajtjes ose distribuimit – efekte toksike më të theksuara (p.sh. Herceptina mund të degradohet nëse tundet gjatë transportit). “Medicrime” – Konventa e Bashkimit Evropian për barnat e falsifikuara, çdo produkt “kontrabandë” e konsideron krim.

Lidhur me kushtet e ruajtjes dhe transportimit të medikamenteve, kreu i Urdhrit të Farmacistit, Diana Toma, thotë: “Për arsye të ruajtjes së efektshmërisë së këtij bari, është shumë i rëndësishme që ai të transportohet dhe të ruhet në kushte optimale, pasi ndryshimi i temperaturës mund ta shkatërrojë strukturën e atij bari, e pastaj lëre që s’ka efekt, por mund të ketë edhe efekte negative. Barnat barten me kamion-frigorifer. Ky kamion për çdo 15 minuta e mat temperaturën, e shtyp dhe e ruan shiritin dhe ai shirit kur vjen te ne, e shohim në çfarë temperature është transportuar bari gjatë gjithë rrugës. Gjithashtu edhe në depo, nëse ndryshon vetëm pak temperatura, aktivizohen alarmet njoftues”.

Pulla e kontrollit e lëshuar nga Agjencia, është garanti i vetëm i sigurisë dhe cilësisë së barit.

Pulla e kontrollit të barnave

Udhëzim

Nr.2, datë 15.1.2013

Mbi procedurat e prodhimit, kodimit, stampimit, shpërndarjes dhe monitorimit të pullave të kontrollit të barnave

1.3 Aplikimi i pullës së kontrollit të barnave të mundur identifikimin e sasisë së barnave, përmirëson siguron dhe autenticitetin e barnave në interes të përdoruesve të tyre, synon të bëjë të mundur gjurmimin e barnave në të gjithë vendin, në mënyrë që të identifikojë origjinën dhe ligjshmërinë e tyre, si dhe të eliminojë prodhimet e kundërligjshme, sikurse prodhimin dhe tregtimin të falsifikuara.

2.6 “Pulla e kontrollit të barnave” është pulla e Republikës së Shqipërisë, e miratuar nga Autoriteti, e cila aplikohet detyrimisht mbi të gjitha barnat që prodhohen në vend me destinacion tregun shqiptar, si dhe barnat që importohen nga jashtë, me destinacion tregun vendas, në përputhje me ligjin për barnat, ligjin për miratimin e kontratës së koncensionit dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tyre.

Pulla e kontrollit të barnave në formatin e pullës së vetme përmban, detyrimisht, elementet, si: Ministria e Shëndetësisë, Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave, emrin dhe formë dozën e barit, çmimin e shitjes me pakicë të barit (përfshirë TVSH-në) një kod dyshifror për identifikimin e mbajtësit të autorizimit të tregtimit, të prodhuesit apo të importuesit të autorizuar, numrin serial të dukshëm të referencës, si dhe një barkod (Sicpadata Code) të lexueshëm nëpërmjet lexuesve Sicpamobile Reader.

2.7 “Pulla e dyfishtë e kontrollit të barnave është pulla e Republikës së Shqipërisë”, e miratuar nga Autoriteti, e cila aplikohet detyrimisht mbi të gjitha barnat që prodhohen në vend me destinacion tregun shqiptar, si dhe barnat që importohen jashtë, me destinacion tregun vendas, në përputhje me ligjin për barnat, ligjin për miratimin e kontratës së koncensionit dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tyre. Pulla e dyfishtë e kontrollit të barnave përmban, detyrimisht, në një nga pjesët e pullës që mbetet në paketimin e barit, elementet, si: Ministria e Shëndetësisë, Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnjave, emrin dhe formë-dozën e barit, çmimin e shitjes me pakicë të barit (përfshirë TVSH-në), një kod dyshifror për identifikimin e mbajtësit të autorizimit të tregtimit, të prodhuesit apo të importuesit të autorizuar, numrin serial të dukshëm të referencës, si dhe një barkod (Sicpadata Code) të lexueshëm nëpërmjet lexuesve Sicpamobile Reader.

Pjesa e pullës që shkëputet dhe vendoset në recetën e mjekut, përmban detyrimisht, elementet, si: emrin dhe formëdozën e barit, çmimin e shitjes me pakicë të barit (përfshirë TVSH-në) një kod dyshifror për identifikimin e mbajtësit të autorizmit të tregtimit, të prodhuesit apo të importuesit të autorizuar dhe numrin serial të dukshëm të referencës.

(Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Vepro tani! Denonco korrupsionin në sistemin shëndetësor, i cili zbatohet nga shoqata “Together for Life”, dhe mbështetet nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autor-it/ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit)

2 Komente

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here