Elona Tereziu / Shëndet+

Spitali i Traumes

”Zoti na ruajt”! Mjafton kjo lutje dhe ”banorët” e Spitalit të Traumës kapërcejnë dritaret e thyera për të varur rrobat e lara në tarracë.

Pacientët e këtij spitali kanë improvizuar një litar të lidhur në dy skajet e tarracës dhe kapërcejnë dritaret e thyera të  korridoreve  për të vendosur rrobat e lara. Tarraca qëndron një kat më poshtë pjesës tjetër të spitalit.

Janë pikërisht ato pacientë të cilët ”fati” i ka sjellë nga qytetet e largëta dhe pamundësia ekonomike i detyron të improvizojnë mënyra nga më të ndryshme për higjienën e tyre.

spitali i traumes2

Rrëfimi i një zonje nga Saranda

Kam bashkëshortin të shtruar prej dy javësh në këtë spital. Do flasin, s’do flasin ku di unë e shkreta, unë sot i nxora për herë të parë, por kam parë dhe të tjerë që i vendosin aty. Kam burrin të shtuar nga 15 ditë këtu. Vajti të punonte për një thes miell e ra nga motori. Unë si çoj dot nga këtu në Sarandë teshat për t’i larë. Nuk ka ujë në banjo, uji është me orar.  Në darkë nuk ka fare, vjen në mëngjes.

Spitali i Traumes3

Personeli spitalor, indiferent

“Të mos vendoset asgjë jashtë dritares”. Ky është urdhri i shkruar në murin afër dritares, i cili injorohet haptazi nga pacientët. Edhe pse një veprim i tillë mund t’u marrë jetën pacientëve, personeli i spitali qëndron krejt indiferent. Vetëm pak metra larg saj qëndron roja, ndërsa mjekët lëvizin  nëpër kate. Një sjellje e tillë, e përsëritur siç thonë pacientët, atyre u duket normale.