Dana dhe Valdetja

Bisedoi: Denisa Canameti

T’i shpëtosh syrit të drejtorit që të bësh “ndonjë shkelje” të vogël, është ëndrra e çdo punonjësi. Por kur punon në një zyrë me drejtuesin, kjo “ëndërr” thuajse nuk bëhet kurrë realitet. Dana Bregu është infermiere në Poliklinikën e Specialiteteve numër 3 në Tiranë. Dana punon në një zyrë me drejtoreshën e institucionit, doktoreshë Valdete Malajn. Në një intervistë për “Shëndet +”, Dana na tregon për marrëdhënien e saj me drejtoreshë Valin, si dhe mikeshën e saj prej shumë vitesh.

Në një zyrë me drejtoreshën e institucionit, çfarë do të thotë kjo?

Është privilegj shumë i madh të punoj së pari me miken time që prej shumë vitesh, dhe dyfish lumturi që është shefja ime, sepse, si të thuash, jam dëshmitare e arritjeve të saj të merituara.

Por është gjithashtu edhe përgjegjësi. Valdetja dhe unë njihemi që në shkollë. Kemi bërë të dyja të mesmen në Vlorë. Pas gjimnazit rrugët tona u ndanë, edhe pse nuk i humbëm kontaktet asnjëherë. Fati deshi të takohemi prapë e të jemi në këto pozicione. Jam vërtet shumë e lumtur që punoj me Valin, se kështu e thërras jo vetëm unë, por të gjithë ne që punojmë këtu. Kjo tregon që drejtoresha, së pari është shoqja e të gjithëve ne, është ajo që rri gati për çdo kërkesë tonën, na dëgjon dhe ka një teknikë të shkëlqyer që na bën edhe ne të ndihemi vërtet mirë dhe të vlerësuar.

Si është marrëdhënia juaj brenda orarit të punës, veç marrëdhënies si shoqe/mike?

Vali pjesën më të madhe të kohës e kalon në zyrë, duke kryer detyrën si mjeke. Ndërsa unë, bëj detyrën time si infermiere, duke regjistruar pacentët dhe duke i orientuar ata. Përpiqem ta bëj punën time mirë, pasi e di se edhe për të është vështirë të bëjë njëkohësisht mjeken dhe drejtuesen. Janë dy fjalë me peshë të madhe, që kanë përgjegjësi të madhe.

Ka hatërmbetje?

Hatërmbetje? Në fakt, Valin e karakterizon qetësia. Plus nuk merr vendime kur është me nerva. E vë re këtë gjë me të gjithë, jo vetëm me mua. Nuk mund të ketë hatërmbetje, sepse edhe nëse ndodh një keqkuptim gjatë orarit të punës, se dhe fluksi është i madh, përpiqemi të merremi vesh edhe me sy. Normalisht, jemi njerëz dhe diçka në një moment mund të na duket e padrejtë.

Jashtë ambientit të punës, cila është marrëdhënia?

Kemi hyrje-dalje familjare. Nuk mungojmë në asnjë gëzim të njëra-tjetrës. Nuk harrojmë asnjë ditëlindje jo vetëm tonat, por as të fëmijëve. Edhe kur ikën jashtë vendit gjithmonë më kujton, më sjell diçka dhe unë e vlerësoj shumë.

Ndodh të të marr mendim drejtoresha në vendimet për institucionin?

Unë mund të jem një këshilluese shumë e mirë morale. Por, kur bëhet fjalë për vendimet e saj si drejtuese, ajo ka një këshillues më të mirë se unë, ligjin. Nuk ndërhyj asnjëherë.

Të tjerët, a të shohin me sy tjetër meqë jeni kaq e afërt me shefen?

Pyesni të tjerët (qesh). Sinqerisht nuk më kanë shprehur asgjë asnjëherë. Mund të duket  e pabesueshme, por doktoreshë Vali është shumë e vëmendshme në marrëdheniën që krijohet brenda zyrës mjek-infermier. E quan detyrë të sajën edhe këtë, edhe pse është një detyrë që si të thuash e kryen në distancë, pa ndërhyrë drejtpërdrejt. Vërtet jam afër me të, por të tjerët nuk janë më larg. Përpiqem të respektoj çdokënd që hyn në dhomë për ta takuar, edhe kur janë kolegët tanë. Mund të tërhiqem për të bërë një punë, për të plotësuar ndonjë dokument. Nuk më pëlqen “të fus hundët”, as të abuzoj. Në punë jemi në punë.

Ç’marrëdhënie keni me koleget e tjera?

Shumë të mira. Marrëdhënie korrekte pune dhe miqësore.

Nëse nuk do të ishte Valdetja, me kë do të donit të punonit tjetër?

(Qesh). Ja që nuk e paskam menduar kurrë këtë pyetje. Tani që e mendoj… S’e di. Megjithatë mund të them një gjë: të gjithë ata që punojnë në këtë Poliklinikë janë mjekë të mirë, mjekë që punojnë pa marrë parasysh sa pacientë, pa marrë parasysh oraret, mjekë që punën dhe pacientët i kanë në plan të parë dhe si të tillë, të gjithë janë drejtues. Sa kohë që unë jam këtu, që nuk është pak kohë, nuk kemi pasur asnjëherë probleme me mjekët, ankesa.

Kur janë kaq në harmoni me veten, me pacientët, sigurisht që janë një ndihmë e mirë edhe për drejtoreshën. Merita e një pune të mirë nuk është vetëm e një personi apo dy personave, është meritë e të gjithëve. Se sikur një dru i shtrembër të dalë, e prish gjithë harmoninë, prish edhe imazhin e Poliklinikës. Ne për fat nuk kemi dru që na shëmtojnë stivën.

Ka drejtoresha të preferuar dhe më pak të preferuar midis mjekëve dhe infermierëve?

Është njeri para së gjithash dhe sigurisht që me dikë mund të krijojë më shumë afërsi dhe me dikë më pak. Por kjo vlen për jashtë derës së kësaj poliklinike. Brenda derës dhe brenda orarit të punës jemi të gjithë të pëlqyer njësoj prej saj. Nuk e ka zakon të “kërcasë takat në korridor” me askënd dhe për askënd.

Këtë intervistë ajo do ta lexojë me të dalë të hënën. Si mendon se do ta “lexojë” ajo?

E para do të habitet që unë kam dhënë intervistë, se nuk e kam zakon të flas për mediat. Ndoshta do t’i vijë pak çudi kur t’i lexojë mendimet e mia “në këtë formë”.

Do t’i lëmë ndonjë mesazh?

Çfarë mund të them?! Dua ta falënderoj për energjinë pozitive që ka. Jam shumë e lumtur që ndaj tavolinën me të.

Por, ç‘thonë kolegët për Danën?

Të kontaktuar nga gazeta “Shëndet+” kolegët e Danës i vendosin raportit me të një emërues të përbashkët.

“Një person që rri e qeshur gjithmonë. Nuk ndjen lodhje në punën që ajo bën dhe… është një organizuese shumë e mirë ekskursionesh.

“E mirë,  e shkathët. E gjendur për çdo gjë dhe të mbaron punë.

“Dana është një infermiere që di të mbrojë me vendosmëri çdo detaj të punës së saj.

“Thjeshtësia është gjëja më e bukur dhe ajo rri bukur te Dana. Çdo fjalë vlerësimi maksimal nuk vjen vetëm nga unë apo një tjetër, apo një tjetër, por nga të gjitha koleget dhe nga vetë drejtoresha.