unfpa-tfl

Për gazetën “Shëndet+”, Polikron Çelo, pediatër

Në shumë raste sjellja e fëmijës është pasqyrimi i edukimit familjar. Shumë prindër përpiqen t’i edukojnë fëmijët me moral: “Mos u sill keq! Mos përdor fjalë të pista! Mos vidh! Mos…! Mos…! Mos…!” Por a edukohen fëmijët me moral? Fëmija e merr modelin në familje. Nëse një nënë është shumë e vrazhdë, të njëjtat tipare do të trashëgojë edhe fëmija. Nëse bashkëshortët debatojnë dhe i kundërpërgjigjen njëri – tjetrit në sy të fëmijës, të njëjtin model do të marrë dhe ai. Nëse babai ose nëna sjell diçka në shtëpi jashtë fuqive, nesër pasnesër edhe ky fëmijë do të kërkojë t’i fitojë gjërat në rrugë të lehta.

Dr. Polikron Çelo duke folur për "Shëndet+"

Dr. Polikron Çelo duke folur për “Shëndet+”

Ku i mësojnë fëmijët fjalët e pista!? Do të sjell vetëm një shembull, që e kam përmendur më parë.

Po bëhej një fejesë dhe midis dy krushqive prindërit e djalit kishin shkuar tek shtëpia e vajzës për t’i kërkuar dorën. Aty ishte dhe një vajzë e vogël 3-4 vjeçe dhe ky krushku me përkëdheli e merr dhe e pyet. “Çfarë do të bëhesh kur të rritesh ti, të keqen xhaxhi?” Vajza e vogël i përgjigjet: “Do të bëhem kurvë si mami”. Të tërë iu vërsulën vajzës. Por, a ka faj vajza!? Absolutisht që jo. Ajo diku e ka dëgjuar. Por kush e tha!? Fëmijët janë si regjistrues dhe mbajnë mend gjithçka, ndaj duhet kujdes kur flisni në prani të tyre.

Përveç familjes, në ditët e sotme po flitet kaq shumë edhe për ndikimin jashtë saj, duke filluar që nga media, shoqëria, interneti e vendi ku rriten. Sot është bërë e modës që fëmijëve t’u vendosësh televizor tek dhoma e gjumit, ndërkohë që vendin e lodrave e kanë zënë smartfonat. Por televizori është i mbushur me banalitete dhe lakuriqësi. Është e domosdoshme që çdo gjë të ketë orar dhe kontroll.

Fëmija është shëmbëlltyrë e edukimit që merr në familje, ndaj prindërit duhet të punojnë fort për t’u dhënë atyre shembullin më të mirë!