U helmuan 139 persona në Fushë-Arrëz, ISHP konstaton ndotje në sistemin e ujit të pijshëm

Një raport i Institutit të Shëndetit Publik ka zbardhur gjetjet e hetimit epidemiologjik të zhvilluar pas rritjes së rasteve me diarre dhe simptoma gastrointestinale në Fushë-Arrëz.

Sipas raportit, gjatë periudhës 24 gusht–3 shtator 2026, në Qendrën Shëndetësore Fushë-Arrëz janë paraqitur 139 persona me shenja gastrointestinale. Prej tyre, 128 raste, ose 91.7%, janë banorë të Fushë-Arrëzit, me përqendrim të rasteve kryesisht në lagjet “Demokracia” dhe “Nushaj”.

Të gjitha rastet kanë pasur diarre, ndërsa 128 persona kanë raportuar të vjella dhe 81 kanë pasur temperaturë. Moshat e personave të prekur variojnë nga 2 deri në 94 vjeç.

Hetimi i ISHP-së ka vënë në fokus sistemin e furnizimit me ujë, pasi banorët e prekur kanë deklaruar se konsumojnë ujë nga rrjeti publik dhe furnizohen nga i njëjti sistem. Në të njëjtën kohë, gjatë periudhës së hetimit është konstatuar se furnizimi me ujë nuk është i vazhdueshëm dhe realizohet me orar.

Analizat laboratorike kanë konfirmuar ndotje mikrobiologjike në disa pika të sistemit të furnizimit. Në Depon nr. 1 u gjetën koliforme, E. coli dhe enterokokë, ndërsa në një pikë fundore pranë ish-Parkut u evidentuan koliforme, E. coli, enterokokë dhe Pseudomonas aeruginosa.

Një tjetër gjetje e rëndësishme lidhet me lëndën e përdorur për dezinfektimin e ujit. Analiza e hipokloritit të natriumit tregoi se klori aktiv ishte 9.04%, ndërsa kufiri i përcaktuar në raport është 13–15%, duke mos përmbushur kërkesat për përdorim në procesin e klorinimit dhe dezinfektimit të ujit të pijshëm.

Në kontrast me rezultatet e ujit, 17 mostrat klinike të marra nga personat e prekur rezultuan negative për patogjenët bakterialë dhe viralë të kërkuar, përfshirë Norovirusin, Rotavirusin, Adenovirusin, Astrovirusin dhe Sapovirusin.

ISHP vlerëson se përqendrimi i rasteve në zonën e furnizuar nga i njëjti sistem ujësjellësi, prekja e grupmoshave të ndryshme dhe evidentimi i ndotjes mikrobiologjike të ujit përbëjnë tregues të fortë për një burim të përbashkët ekspozimi të lidhur me sistemin e furnizimit me ujë.

Në përfundim, raporti e klasifikon ngjarjen si “shpërthim me transmetim hidrik”, duke e lidhur me moszbatimin korrekt të praktikave higjieno-sanitare që garantojnë cilësinë dhe sigurinë e ujit të pijshëm.

ISHP rekomandon ndër të tjera pastrimin dhe dezinfektimin e depove dhe linjave të furnizimit, forcimin e procesit të klorinimit, monitorimin sistematik të klorit mbetës dhe marrjen e masave për sigurimin e alternativave të sigurta të furnizimit me ujë deri në përmirësimin e situatës./tch

Postime të ngjashme

A mund të jesh obez pa komplikacione shëndetësore? Ja çfarë thotë mjekja
“Video të manipuluara me inteligjencë artificiale në emër të mjekut Flamur Topi”/ AMA ngre alarmin: Dyshohet për mashtrim me të dhënat bankare
Rasti i 13-vjeçarit me autizëm në QSUT, KMD nis verifikimet
VIDEO/ A është obeziteti i pashëndetshëm në të njëjtën formë?
Këto 8 ushqime mund të ulin rrezikun e goditjes në tru
A ndihmon uthulla e mollës në dobësim? Ja çfarë thonë studimet
Nobeli i Mjekësisë shkon për “çelësin e dritës” që ndez dhe fik neuronet
Gjashtë fëmijë të një kopshti përfundojnë në spital në Korçë, dyshohet për helmim