urgjenca 2

Veprimtaria e urgjencës mjekësore siguron shërbim urgjent për të gjithë qytetarët dhe organizohet e zbatohet në nivel parësor, nivel dytësor dhe qendra referente (spitalet rajonale, spitalet universitare).

Shërbimi i urgjencës mjekësore duhet të realizohet në kohë optimale përcaktuar sipas protokolleve dhe rregullave të miratuara.

Në klinikat e urgjencave të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) ky shërbim ofrohet për të gjithë qytetarët, 24 orë pandërprerë dhe PA PAGESË.

Në shërbimet e urgjencave QSUT trajtohen urgjencat mjekësore të referura dhe ato ekstreme, të cilave u ofrohet shërbim nga një staf i specializuar dhe mirëtrajnuar për të vepruar me profesionalizëm dhe diagnostikuar në kohë optimale, për stabilizimin e tyre dhe mbajtjen nën vëzhgim deri në stabilizimin e gjendjes dhe transferimin në shërbimet të tjera në varësi të gjendjes klinike, apo kthimin në shtëpi pasi gjendja gjykohet përfundimisht e stabilizuar.

Rastet e përcaktuara si urgjenca mjekësore ekstreme paraqiten direkt në spitalin përkatës, ndërsa patologjitë e tjera që kërkojnë vëmendje të menjëhershme mjekësore paraqiten në urgjencat e spitaleve përkatës pas orarit të ambulatorëve.

Rastet e përcaktuara si urgjenca mjekësore që referohen për trajtim spitalor nga shërbimi ambulator duhet të ketë rekomandimin nga mjeku i përgjithshëm dhe i familjes, ndërsa ata të dërguar nga spitali i rrethit për në spitalin rajonal ose spitalet universitare, duhet të kenë epikrizën përcjellëse të firmosur dhe vulosur nga mjeku i rojes dhe shefi i shërbimit përkatës.

Për ekzaminimet diagnostike që kryhen jashtë situatës urgjente, personat të cilët nuk janë të siguruar apo nuk zbatojnë sistemin e referimit përfitojnë shërbime sipas tarifave të shërbimit shëndetësor të miratuara nga Ministri i Shëndetësisë dhe të afishuara në institucionet shëndetësore publike.

 

Urgjenca

127

Urgjenca (për Tiranën)

+355 4 2222235

Shërbimi i Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme

Spitali i Urgjencave, QSUT

+355 4 2349178

Shërbimi i Urgjencës Pediatrike, QSUT

+355 4 2349444

Shërbimi i Urgjencës Kirurgjikale, QSUT

+355 4 2349336

Urgjenca e Sëmundjeve Infektive, QSUT

+355 4 2349258

Operatori i çentralit të telefonisë, QSUT

+355 4 2349499