Për gazetën Shëndet+ dhe Shëndeti Online: Kozeta Hoxha, mjeke infeksioniste në Poliklinikën e Specialiteteve Nr.1, Tiranë

Ulja e temperaturave në ditët e fundit ka shtuar dhe numrin e rasteve të prekura nga virozat në popullatë.  Ndërkohë, mbrojtja e vetme mbetet vaksinimi. Por, a jemi të gjithë të imunizuar pas vaksinimit? Kozeta Hoxha, mjeke infeksioniste në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 1, tregon se efektshmëria e vaksinës varet nga kordanca mes shtamit (virusit të marë për eksperimet) dhe atij të rënë. Në rastin kur ato përputhen mbrojtja është 100% në të kundërt mbrojtja nuk është më e plotë, por diku tek 50%.

vaksina e gripitNdërkohë, të vetmet kundërindikacione janë hiperndjeshmëria, e cila shfaqet me shenjat e zakonshme të një reaksioni (skuqje, kruarje, vështirësi në frymëmarrje) dhe dhënia e sëmundshmërisë (minigripi) që është fare e papërfillshme.

Çfarë është gripi dhe cilët janë ndërlikimet më të zakonshme të tij?

Gripi është një sëmundje infektive akute e shkaktuar nga viruset A, B dhe C.  Sëmundja karakterizohet nga fillimi i menjëhershëm dhe shoqërohet me: temperaturë, dobësi trupre, dhimbje muskulare dhe artikulare, pezmatim të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe të konjuktivave, dhimbje të forta koke dhe mesi.

Në rastet e pandërlikuara sëmundja shërohet vetvetiu brenda një jave, ndërsa në disa raste, kur ndërlikimet janë të rënda dhe zhvillohen në persona që vuajnë edhe nga sëmundje të tjera, mund të shkaktojë edhe vdekjen. Virusi A shkakton epidemi dhe pandemi, tipi B shkakton epidemi të kufizuar dhe raste sporadike, ndërsa virusi C shkakton infeksione të padukshme dhe epidemi të padukshme tek fëmijët e vegjël.

Ndëlikimet më të shpeshta janë ato pulmonare, dhe në një numër më të vogël ato neurologjike. Ndërmjet ndërlikimeve të rrugëve të frymëmarrjes, më kryesore janë: bronkopneumonitë bakterore, sekondare dhe  pneumonitë  primare virusale gripale.

Shfaqjet klinike:

Periudha e inkubacionit është zakonisht e shkurtër: 1 – 3 ditë, fillimi është i menjëhershëm dhe aq karakteristik, sa të sëmurët mund të thonë kohën e saktë të tij. Ethet dhe të dridhurat mund të jenë shenjat e para, por më shpesh ato paraprihen nga dhimbjet e kokës dhe mialgjia. Temperatura arrin në 38-39  gradë C ose më shumë, disa orë pas fillimit të sëmundjes. Temperatura e lartë pas 2-3 ditësh bie, por në disa raste mund të pësojë një ngritje tjetër në nivelin e mëparshëm, duke i dhënë asaj karakterin bifazik. Dhimbjet e kokës të përqendruara në pjesën ballore shpesh shoqërohen me dhimbje prapa kokërdhokëve të syrit, çka bëhet më e theksuar gjatë lëvizjes së tyre, kur i sëmuri shkon anash ose lart. Dobësia e përgjithshme, mungesa e oreksit, fytyra e skuqur, në disa raste përshtjellimet, injektimi i sklerave, lotimi, rrjedhja e hundëve, lëkura e nxehtë dhe të vjellat janë shenja të tjera të sëmundjes. Dhimbja muskulare dhe artikulare janë më të shprehura në anësitë e poshtme, në muskujt e gjatë të shpinës dhe në mes.

Epidemiologjia:

Gripi përhapet me anë të spërklave të eliminuara në mjedisin e jashtëm nga njeriu i infektuar, nëpërmet kollitjes apo teshtitjes, por në disa raste mund të bëhet drejtpërsëdrejti edhe nëpërmjet  kontakteve të ngushta ndërnjerëzore. Këtë e favorizon vendosja e viruseve në rrugët e sipërme të frymëmarrjes si në hundë dhe grykë që në fillim të sëmundjes. Përhapja e infeksionit favorizohet nga stina e freskët dhe nga grumbullimet e njerzve në kopshte, shkolla, konvikte e ambiente të mëdha pune. Aftësia e virusit të gripit për t’u përhapur është shumë e madhe. Infeksioni fillon në mënyrë të menjëhershme, ndërsa nivelin më të lartë e arrin brenda 2-3 javësh nga moment i shfaqjes së rasteve të para dhe zgjat 5-6 javë. Mund të preken rreth 40% e popullatës dhe numrin më të lartë e përbëjnë moshat 5-16 vjeç. Më pak të ekspozuar janë moshat mbi 40 vjeç, ndoshta për shkak të pranisë më të madhe të të antitrupave mbrojtëse.

Cilët persona janë më të prirur për të bërë ndërlikime të gripit?

Gripi zakonisht prek atë pjesë të popullatës që ka imunitet të dobët. Këtu mund të përmendim: fëmijët e vegjël, të sëmurët kronik, hipertensivët, diabetikët, kardiopatët, neuropatët dhe moshat mbi 70 vjeç. Për t’u mbrojtur nga gripi, këta persona duhet të vaksinohen patjetër.

Çfarë është vaksina e gripit?

Vaksina është një virus i dobësuar që futet në organizmin e njeriut,  për ta bërë  atë që të reagojë duke prodhuar antitrupa.

Prodhohet duke marrë shtamet (një pjesë të virusit për eksperiment) e një viti më parë, ku gjejmë se çfarë gripi ishte A, B apo C dhe prodhojmë vaksinën për vitin tjetër.

Në botë qarkullojnë dy lloje vaksinash për gripin: Vaksina me shtamin e gjallë por të dobësuar, e cila administohet si spraj në hundë  dhe vaksina me shtamin e inaktivizuar, e cila aplikohet në muskujt e krahut  nëpërmjet injeksiont. Në Shqipëri deri më tani qarkullon forma inaktive e vaksinës, e cila është dhe forma e përdorur më gjerësisht në botë.

Kur duhet bërë vaksina e gripit?

Vaksinimi bëhet zakonisht në vjeshtë, para shfaqjes së gripit të parë, rreth dy ose tre javë, para se të mendohet se mund të bjerë gripi në popullatë, pasi vetë vaksina që të veprojë  (ta bëjë trupin imun) do të paktën 1 deri në 2 javë.

Ka dhe një periudhë tjetër që bëhet, në pranverë, por që më tepër se grip, në këtë periudhë kemi problemin e alergjive nga lulet dhe poleni.

Kush e ka prioritet marrjen e vaksinës?

Vaksinimi parapëlqehet në disa grupe të popullatës të cilët janë imunodepresive, ose që kanë imunitet më të dobët se pjesa tjetër e popullatës, siç janë: fëmijët e vegjël, personat që janë në kontakt të vazhdueshëm me popullatën (punonjësit e shëndetësisë) të sëmurët kronikë, hipertensivët, diabetikët, kardiopatët, neuropatët, gratë shtatzëna në tremujorin e  tretë të barrës dhe moshat mbi 70 vjeç.

Sa efektive është ajo?

Vaksina ka mbrojtje 100%. E vetmja moskordancë është tek lloji i gripit të rënë dhe lloji i shtamit të marrë. Pra, nëse vaksina është marë nga një shtam i virusit A dhe në popullatë bie po prapë virusi A, mbrojtja është 100%. Por, nëse në popullatë bie një tip tjetër gripi, B ose C, atëherë mbrojtja nuk është më 100%, por diku tek 50%. Gjithsesi, vaksina në secilin rast është efektive, pavarësisht kësaj moskordance, e cila nuk mund të parashikohet.

A ka vaksina efekte negative?

Të vetmet kundërindikacione të vaksinës janë hiperndjeshmëria, e cila shfaqet me shenjat e zakonshme të një reaksioni (skuqe, kruarje, vështirësi në frymëmarrje) dhe dhënia e sëmundshmërisë, që është fare e papërfillshme.

Pse ndodh që persona të caktuar, edhe pse të vaksinuar, të sëmuren?

Sepse vetë vaksina është virus i dobësuar, është virus që futet në organizmin e njëriut, për t’i thënë trupit reago, duke prodhuar antitrupa. Prandaj ndodh që të kemi ndonjëherë edhe sëmundshmëri, por që është njëfarë minigripi në formë shumë të lehtë.