Bisedoi: Denisa Canameti
Telefonë, smartfonë, tabletë, instagram, selfi. Janë këta termat që pushtojnë sot fjalorin e të rinjve. Rrjetet sociale duket se ndikojnë ccdo veprim të tyre, ndërsa nuk ka pak raste në të cilat një adoleshent ka zgjedhur edhe izolimin thjesht për shkak të përjashtimit nga këto rrjete. Psikologia Milena Turtulli flet në një intervistë për gazetën “Shëndet+” dhe portalin shendeti.com.al mbi adoleshentët, lidhjen e tyre me telefonat, sjelljen, maninë për të qenë të parët në rrjete sociale etj.
Prindi nuk do t’ia blejë telefonin fëmijës, por shokët e tij kanë celularin e fundit. Ky lloj diferencimi a nuk do t’i bënte keq fëmijës?
Nuk mund të ecim me këtë ide. Që vazhdimisht shoqëria të përcaktojë vlerat. Vlerat e një shoqërie në radhë të parë i përcakton qeliza bazë e saj, domethënë familja. Nëse ne ndikohemi shpesh nga shoqëria, edhe fëmijën do ta mësojmë të tillë. Shumë të ndikueshëm nga shoqëria. Nëse ne merremi më shumë me fëmijën, i mbushim atij kohën, atëherë ai do ta ndjejë më pak nevojën për të pasur një celular. Sepse çfarë nevoje ka për një smartfon një fëmijë në klasë të gjashtë ose të shtatë? E gjithë shoqëria e tij do të kufizohet te shokët e lagjes dhe te shokët e shkollës.
Mendoni se “Facebook”-u ka ndikim negativ?
Nuk e keni idenë se çfarë ndikimi negativ ka “facebook”-u te këta fëmijë. Një koment i thënë aty, në moshën e tyre, mund të rezultojë fatal. Adoleshentët janë të pamëshirshëm me njëri-tjetrin. I lëshojnë fjalët në mënyrë të tillë që vrasin. Kanë një aftësi therëse të të poshtërojnë, të të cenojnë. Me një koment të vetëm. Kemi patur raste kur fëmija thoshte do të vras veten për shkak të një komenti në facebook. Në atë plan virtual të shoqërisë, është shumë e vështirë të identifikosh vetveten.
Sa e njohin prindërit rëndësinë e rrjeteve sociale? Duke ditur që janë edhe vetë përdorues në pjesën më të madhe.
Shumë pak. Prindërit vetë dinë vetëm 2-3 funksione bazë dhe u mjafton ajo. Ndërsa pasojat që fëmijët e tyre mund të kenë nga përdorimi pa kufij i “Facebook”-ut, janë të mëdha. Prindërit e kanë të vështirë të vënë kufij. Në “facebook” mund të komunikosh me këdo, por “facebook”-u nuk është realiteti. Të rriturit komunikojnë me persona që i kanë njohur gjatë jetës së vet. Ndërsa fëmija nuk mund ta bëjë këtë dallim. Kam plot raste të fëmijëve që kanë përfunduar në marrëdhënie me pedofilë, me maniakë, me perversë, me njerëz që hyjnë me identitet të rremë.
Është më mirë të parandalosh se të kurosh…?
Vendet e tjera para nesh, që kanë pasur akses ndaj “facebook”-ut, rrjeteve sociale, smartfonëve pak më herët sesa ne, kanë arritur të vënë paksa në kontroll pjesën e moshës minimale që një fëmijë duhet të mbajë një celular. Është shumë e rëndësishme që të mësojmë nga vendet më të përparuara se ne. Ne kemi një të keqe: infektohemi shpejt nga një BUM-et dhe marrim nga ajo edhe të mirat, edhe të këqiat. Nuk jemi në gjendje t’i dallojmë. Prindi, që në momentin që mendon se fëmija ka nevojë për një celular, duhet të mendojë se çfarë fëmija kërkon realisht nga ky celular. Për çfarë po e merr? E do sepse do që të jetë gjithmonë në kontakt me fëmijën e tij? E do sepse nuk ka besim? E do sepse do t’i mbyllë gojën me një dhuratë të shtrenjtë? Në varësi të përgjigjes për secilën nga këto pyetje, ndryshon dhe problemi me të cilin kemi të bëjmë. Çdo përgjigje ndaj këtyre pyetjeve ne na kanalizon në një problem të ndryshëm. Ne duhet të merremi me problemin.
Muajt e fundit janë hequr disa mësues nga shkolla për shkak se nxënësit kanë filmuar një situatë dhune (reagimi ndaj dhunës është shumë pozitive). Por askush nuk është marrë me fenomenin e celularit në duart e një nxënësi në klasën e tretë?
Fenomeni i fëmijës me celular në shkollë ka dalë në plan në dytë, të tretë. Dhuna ka qenë fenomen anormal dhe ka lënë në hije pjesën tjetër. Në dy situata, njëra është shumë më e rëndë, përfaqëson diçka me të cilën duhet të merremi seriozisht. Patjetër që celulari do të kalojë në plan të dytë.
Ajo e celularit është një fenomen shoqëror, nuk ka lidhje vetëm me shkollën, vetëm me mësuesit. Rregullat strikte, të nivelit të mësuesve, të formimit të tyre, janë probleme shumë serioze. Janë fakte në shoqërinë tonë dhe duhet të merremi seriozisht me këtë pjesë. Askush nuk merret se sa të përgatitur janë këta mësues. Se sa e meritojnë vendin e punës që u është besuar.
Nuk duhet të harrojmë se mësuesit kanë një rol kryesor në formimin e individit të ri, pasi fëmija kalon në shkollë 6-7 orë. Figura që ka përpara (mësuesi), është shumë e rëndësishme për formimin e tij. Nëse kjo figurë është problematike, mbivendosim këtu edhe problemet shoqërore me të cilat përballet fëmijët, edhe vlerat që janë akoma në një kaos total, patjetër që ky fëmijë është në mes të një udhëkryqi.
Njerëzit kanë filluar të abuzojnë me rrjetet sociale duke ndërhyrë frikshëm në realitetin e secilit prej nesh. Pra, nëse dikujt nuk i pëlqen veshja ime tani, më bën një foto dhe unë e gjej veten gjithandej duke u komentuar. Sa i rrezikshëm është ky lloj “shfrenimi” ndaj së drejtës për të “denoncuar” pa filtra?
Është e vështirë të përcaktosh kufijtë midis privatësisë dhe shkeljes së drejtave të tjetrit. Kjo ndodh në çdo marrëdhënie, me apo pa celular në dorë, me apo pa kamera në dorë. Sigurish që të pasurit e një “aksesori” të tillë, të rrit fuqinë dhe ti kërcënon me celular dhe mendon se je gati ta vesh me shpatulla pas murit personin tjetër, të tallesh me të, ta paragjykosh. Këto janë fenomene botërore.
Para 10 ditësh lexova për një modele të famshme që në ambientet e palestrës së saj kishte fotografuar të pasmet e një femre tjetër dhe e kishte publikuar në profilin e saj në “Instagram”. Jo vetëm që kjo gjë nuk u përkrah, jo vetëm që u vu me shpatulla për muri dhe u denoncua publikisht, por asaj iu hoq e drejta për të ndjekur të gjitha filialet e palestrës. Pra, njerëzit më së fundmi kanë nisur të reagojnë. Por këto lëvizje po e bëjnë vende të cilat janë disa faza para nesh. Duhet të digjemi para se të fillojmë të reagojmë.
Njohje në rrjete sociale që përfundojnë në martesë, njohje në rrjete sociale që përfundojnë në shfrytëzime, abuzime…
Para një jave erdhi një vajzë e shoqëruar me të ëmën. Kishte njohur dikë nëpërmjet “facebook”-ut që i kishte dalë komplet tjetër njeri. Vajza ishte 18 vjeçe. Ai me të cilin fliste, i kishte thënë që ishte vetëm 19 vjeç. Një vit më i madh se ajo. Vajza nuk e kishte takuar asnjëherë. Ai i kishte premtuar që do ta merrte në Angli, e kishte futur në biseda intime, ua kishte bërë jetën një përrallë.
Djali kishte dërguar një person që thoshte se është i ati, për të kërkuar dorën. Vjehrri i kishte dhënë një celular dhe i kishte thënë: “Ti tani je e zënë. Me këtë celular do të marrësh vetëm mamin, babin dhe maksimumi tim bir. Nuk do të instalosh asgjë”. Vajza me kohën ka filluar të kuptojë se disa gjëra nuk shkojnë. Doli që djali ishte shumë më i madh në moshë. Fjalët filluan të dilnin ndryshe. Dhe kishte filluar të kishte frikë. Ishte kthyer me këmbë në tokë. Tani e ka kuptuar që nuk e do atë lidhje ashtu. Erdhën te vajza me mamanë dhe ma tregojnë gjithë këtë histori dhe me thonë: Çfarë të bëj unë tani?
Pra, vjen dikush dhe të thotë: “Kjo është jeta ime, lëmshi në të cilin jetoj, të lutem, merre dhe ma zgjidh”.
Çfarë mund t’i thoja unë? Sepse çfarëdo që t’i thuash, është thikë me dy presa. Se nuk e di me kë ke të bësh, me kë është ngatërruar. U them të ndalojnë hamendësimet dhe të fillojmë të flasim në bazë të fakteve që kemi. Atëherë e këshilloj të ndalojë çdo lloj forme komunikimi, të kthejë celularin mbrapsht. Prindërit të takohen me këtë zotërinë e t’i thonë që morëm për bazë fjalën e një fëmijë, por nuk është për të lidhur martesë.
Dhe ato më kthehen dhe më thonë: Pse kaq e thjeshtë është?!
Në mometin që ti i jep “facebook”-ut këtë lloj rëndësie, këtë lloj ndikimi në jetën tënde, atëherë fëmija pa dyshim që do të ketë frikë.
Shumë vajza kërcënohen sot me mesazhe intime që kanë dërguar në biseda me të panjohur, foto intime. Çfarë i gënjen kaq lehtë vajzat? A ka të bëjë fakti që familjet tona vazhdojnë të jenë të mbyllura dhe vajzat gjejnë lirinë e ëndërruar në rrjete sociale?
Mendoj që shoqëria jonë i ka në gjirin e saj të tre llojet e prindërimit. Të mesmen e artë dhe dy ekstremet. Ka qoftë atë prindërimin super mbrojtës, super konservator, super të mbyllur, super patriarkal, që nuk i jep fëmijës asnjë lloj lirie, si dhe prindërimin shumë liberal.
Unë jam për një të mesme të artë. Jam për një komunikim shumë të mirë për fëmijën. Nuk jam një nënë liberale, nuk jam një nënë që e lejoj fëmijën të bëjë çfarëdolloj gjëje që i kalon nëpër mendje.
Nuk mendoj që është kjo rruga e duhur për të rritur një fëmijë. Nuk mendoj që është e lehtë t’ia hedhësh një vajze. Ajo e nënkupton lirinë e saj në mënyrë të gabuar në këtë formë. Në vetvete, ajo e konsideron arritje faktin që mund të komunikojë me kë dëshiron ajo, faktin që është kaq intriguese të flasësh me një person që nuk e njeh, i duket mister, i duket vetja pjesë e një drame të Shekspirit. Ajo një Zhuljetë, ai një Romeo. Dhe këto janë pjesë e të menduarit adoleshencial. Pra, faza kur je akoma midis ëndrrës dhe realitetit.
Mos ndoshta kanë një botë “të varfër”, “boshe”?
Nuk doja ta thoja këtë, sepse do të ishte një humbje shumë e madhe dhe për ne që punojmë çdo ditë dhe përpiqemi vërtet të përcjellim vlera çdo ditë në punën tonë. Do të ishte humbje e madhe, por problematika të tilla shoqëria i ka pasur në të gjitha brezat. Që do të thotë: çdo brez ka pasur kotësitë e veta dhe plotësitë e veta. Çdo brez ka luftuar, si ai i gjyshërve tanë, si i prindërve tanë, si ai yni dhe i fëmijëve tanë. Nuk jam për ekstremet, nuk jam për ata që nuk kanë “facebook”, që nuk shohin televizor. Të gjitha këto përbëjnë botën në të cilën jetojmë. Nuk mund të jetosh i mbyllur, sepse jemi qenie sociale, kemi nevojë për të tjerët, kemi nevojë për të mirën dhe për të keqen që na falin të tjerët. Kemi nevojë për të mirën që të ndihemi të mbështetur, kemi nevojë për të keqen për t’u nxitur. Nuk e imagjinoj dot që të ndahemi nga fenomenet e mëdha, siç është “facebook”-u apo “tëitter”-i. Por hapësira që duhet t’u lëmë në jetën tonë, është temë krejt tjetër. Trendet janë trende.
“Trendet” e kanë lënë Bibliotekën Kombëtare bosh. Trend apo trembje?
Prindërit duhet të luftojnë që fëmijës t’i përcjellin një ide të qartë se çfarë i nevojitet dhe çfarë nuk i nevojitet për t’u rritur në një mënyrë të shëndetshme dhe që të mos ndihet as inferior ndaj miqve dhe shokëve.
Është e vështirë, por nëse ne vendosim të jemi këmbëngulës dhe të mos lëshojmë te ata, nuk është e paarritshme. Pra, duhet punuar që t’i përcjellësh fëmijës idenë që një libër në dorë është një dritare mbi botën. Dhe se orët e tëra mbi celular nuk kanë lidhje me lumturinë. Unë kam shumë fëmijë, me dhe pa problematika të zhvillimit, që prindërit thonë që kalojnë në acarim. Dhe kur i pyes me detaje, zbuloj që fëmija i tyre është fiksuar pas elektronikës. Acarohen kur luajnë me to dhe acarohen pasi ua heqin nga dora.
Është ky shkaku i nivelit të rritur të stresit të fëmijët, adoleshentët?
Patjetër. Sot fëmijët ankohen për dhimbje koke, probleme me sytë në një masë të madhe.
Ndërkohë sot kemi më shumë fëmijë me kancer…?
Po, dhe nuk e di pse këto nuk bëhen këmbana alarmi. Nuk e di përse akoma njerëzit janë kaq kokëfortë dhe vazhdojnë ta quajnë fitore kur i japin fëmijës një celular në dorë. Janë krenarë kur fëmija di ta përdorë perfekt celularin, smartfonin. Tani është përhapur edhe loja “Pokemon&go”.
Ç’do të thotë të vdesësh duke ndjekur një pokemon…?
A ka arsye më të kotë për të vdekur? Kjo është ta çosh jetën dëm. Nuk është rastësor momenti kur shpërthejnë këto gjëra. Është pikërisht moment kur vlerat kanë arritur pikën më të fundit. Lexoj dhe shikoj që thuhet: “Më së fundmi kjo lojë po i nxjerr të rinjtë nga shtëpia”. Është e frikshme. Nëse kemi ngelur në dorën e një loje me Pokemona, na ka marrë lumi.
Të vdesësh duke bërë një selfie…
Është e tmerrshme. Përpara disa kohësh kam dhënë një intervistë për selfien, në kohën kur ishte në pikun e vet dhe kam thënë që do të ketë një ngushtësim të moshës që e bën selfien. Dhe në fakt kështu po ndodh. Sepse çdo gjë ka pikun e vet dhe me kohën fillon e bie.
Vihet re një mani e vajzave të vogla për transformim të trupit dhe fytyrës me operacione plastike, a ka ndonjë lidhje me maninë për të “shkëlqyer” në “Facebook” apo rrjete të tjera sociale?
Nuk e ka fajin vetëm “facebook”-u. Është e gjithë media që punon shëmtuar në këtë drejtim. Nëse çdo media, çdo portal online i bën objekt të vëmendjes së të rinjve dhe të gjithë publikut, buzët e filan këngëtari apo pseudokëngëtari, jetën e shfrenuar e gjithçka të kësaj natyre, përcjell një model të gabuar të asaj se ç’do të thotë të jesh e suksesshme në ditët tona.
Çdo media punon që të ndajë rolet midis femrës dhe mashkullit në mënyrë krejt të gabuar. Kur flitet për femrën, vihet theksi mbi sensualitetin dhe seksualitetin e saj. Nëse media punon fuqishëm në këtë drejtim, ajo fëmija e vogël që është duke u formësuar dhe merr goditje nga revistat në këtë farë forme, nga interneti në këtë farë forme, nga televizori po ashtu, sigurisht që për të do të jetë më e vështirë që të pranojë fjalën e prindit që pamja nuk është gjithçka.
Kur mund të quhet vërtet e bukur një adoleshente në këndvështrimin tënd si psikologe dhe si nënë?
Mrekullohem kur shikoj adoleshente që janë të qeta në lëkurën e tyre. Që nuk kanë nevojë ta teprojnë me veshjen, me tualetin, që të luftojnë t’i përkasin një grupi, një klubi, klubi i atyre që kanë të dashur, i atyre që kanë bërë seks, i atyre që lyhen, i atyre që dalin për natë. Kënaqem kur shikoj adoleshente që janë akoma në kërkim të vetvetes, kanë një marrëdhënie të mirë me prindërit me motrat, me vëllezërit, me bashkëmoshatarët, komunikim të qetë, të hapur. Është një gjë që më kënaq.
A janë të suksesshme këto vajza?
Pa diskutim. Janë persona që kur kanë qenë të vogla, u është thënë: “Je shumë e mirë”, dhe jo “Je shumë e bukur”.