Kryefaqja Të rinjtë Aktivitete Bisedimet për anëtarësim, Shqipëria përpara një sfide të re

Bisedimet për anëtarësim, Shqipëria përpara një sfide të re

0
Shpërndaje

Arselajda Nikollaj

Integrimi në familjen evropian ka qenë një nga objektivat më madhore të Shqipërisë në tri dekadat e fundit. Me gjithë dëshirën e shqiptarëve për t’iu bashkuar Unionit, procesi i pranimit ka kaluar në një rrugëtim të gjatë me ulje, ngritje dhe ndalesa, herë për ‘faj’ të faktorit politik shqiptar, dhe herë të tjera për probleme të brendshme të vetë Unionit. Më në fund, një muaj më parë, kur më në fund, Shqipëria mori ftesën për hapjen e bisedimeve me Bashkimin Evropian. Në progres-raportet vjetore të Komisionit Evropian për Shqipërinë gjatë procesit të anëtarësimit, në një seksion të veçantë të tij paraqitej një analizë e aftësisë së Shqipërisë për të marrë përsipër detyrimet e detajuara të anëtarësimit, strukturuar sipas 33 kapitujve të legjislacionit (acquis) të BE-së. Për çdo kapitull, Komisioni shqyrtonte situatën e vërejtur në vitin korespondues të raportit dhe perspektivën e afërt dhe të largët të përafrimit me legjislacionin e BE-së, duke vlerësuar përparimin e arritur gjatë periudhës raportuese.

Raportet evidentonin katër nivele përparimi për çdo sektor: (i) nuk ka përparim; (ii) përparimi është i kufizuar; (iii) ka përparim; (iv) është arritur përparim i mirë.

Prej pak muajsh, BE hapi bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por kohëzgjatja e bisedimeve dhe mbyllja e procesit që pritet të finalizohet me anëtarësim, nuk ka garanci pasi varet nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Ndër faktorët e brendshmën mund të përmenden stabiliteti politik dhe ekonomik, shpejtësia dhe serioziteti i hartimit dhe implementimit të reformave dhe në mënyrë të veçantë i përafrimit të legjislacionit vendas me atë të Comunitetit (acquis communautaire).

Në një dokument të hartuar dhe publikuar nga Delegacioni Europian në Tiranë “Manuali për qytetarët’[1], është bërë një vlerësim paraprak i përgjithshëm i ecurisë së procesit bazuar në 33 kapitujt e legjislacionit të BE. Sipas këtij vlerësimi, (i) 18, 20, 25 dhe 26 janë kapitujt të lehtë dhe nuk duhet të paraqesin vështirësi, për shkak se këto fusha janë kryesisht përgjegjësi e vetë shteteve dhe legjislacioni i BE-së është i pakët, pavarësisht se Shqipëria aktualisht është në një fazë të hershme në kapitullin për shkencën dhe kërkimin (kapitulli 25) dhe përgatitja në sektorin e statistikave (kapitulli 18) është i limituar. Në lidhje me kapitujt 20 dhe 26 (respektivisht atë për ndërmarrjet dhe politika industriale, si dhe kapitullin për arsimin dhe kulturën) është arritur një përgatitje modeste. (ii) Kapituj ku nuk priten vështirësi të mëdha janë kapitulli 3 (e drejta e vendosjes dhe liria për të ofruar shërbime), 4 (lëvizja e lirë e kapitalit), 5 (prokurimi publik), 7 (e drejta e pronësisë intelektuale), 9 (shërbimet financiare), 10 (shoqëria e informacionit dhe media), 17 (politika ekonomike dhe monetare), 21 (rrjetet transevropiane), 28 (mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit), 30 (marrëdhëniet me jashtë), 31 (politika e jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes). (iii) Kapitujt 32 (Kontrolli Financiar), 22 (Politikat Rajonale dhe Koordinimi), 13 (Peshkimi), 29 (Bashkimi Doganor) janë kapituj teknikë, të cilët kanë të bëjnë me detaje se si funksionon Bashkimi Evropian në këto fusha. Gjithsesi, vetëm sektori i peshkimit është në një fazë të hershme, ndërsa tre kapitujt e tjerë kanë një përgatitje modeste. (iv) Kapitujt, të cilët mund të kërkojnë një kohë më të gjatë bisedimesh pasi janë substanciale dhe paraqesin interes për publikun e gjerë dhe grupet e interesit kanë të bëjnë me sektorë të rëndësishëm për vendin, janë: kapitulli 1 (lëvizja e lirë e mallrave), kapitulli 2 (lëvizja e lirë e kapitalit), kapitulli 6 (e drejta e shoqërive tregtare), kapitulli 16 (tatimet), kapitulli 8 (politika e konkurrencës), kapitulli 19 (politika sociale dhe punësimi), kapitulli 15 (energjia), kapitulli 14 (politikat e transportit). Kapituj të tjerë parashikohen të jenë një sfidë për Shqipërinë, pasi ose janë çështje politike, si rasti i kapitujve 23 (gjyqësori dhe të drejtat themelore) dhe 24 (drejtësia, liria dhe siguria), ose janë çështje kryesisht financimi, si rasti i kapitujve të mjedisit (kapitulli 27) dhe të dispozitave financiare dhe buxhetore (kapitulli 33), ose kanë rëndësi jetike për vendin, si rasti i kapitullit të bujqësisë dhe zhvillimit rural (kapitulli 11). E sigurt është që kapitulli 23 dhe 24 do të hapen të parat dhe do të mbyllen të fundit, gjë që do të përcaktojë ecurinë e procesit të anëtarësimit

Këshilli Evropian dhe vendi kandidat analizojnë ligjet kombëtare dhe ato të BE-së për të përcaktuar dallimet mes tyre. Pas këtij procesi Këshilli përcakton hapjen e bisedimeve për kapitujt përkatës në fushat ku legjislacioni i BE dhe vendit kandidat ka bazë të përbashkët e të mjaftueshme për përmirësim dhe plotësime nëpërmjet procesit të bisedimeve dypalëshe. Janë pikërisht bisedimet dypalëshe mundësia që vendet kandidate kanë për të bindur BE-në se aftësia administrative e vendit të tyre është e gatshme të zbatojë ligjin Evropian. Bisedimet kanë në qendër të tyre hartimin, miratimin dhe zbatimin e gjithë legjislacionit të Unionit. Ecuria e këtij procesi monitorohet dhe vlerësohet nga Komisioni Evropian. Secili nga 33 kapitujt diskutohet më vete dhe në bazë të situatës ose ecurisë, mund të përcaktohen kritere/standarde të matshme për hapjen dhe mbylljen e secilit kapitull. Për çdo kapitull bisedimet mbyllen vetëm pasi çdo qeveri e vendeve të BE-së të jetë e kënaqur me përparimin e vendit kandidat në atë fushë/sektor, sipas analizës/vlerësimit nga Komisioni Evropian. Kapitulli quhet i mbyllur kur të dy palët kanë rënë dakord se ai është zbatuar mjaftueshëm. Bisedimet organizohen në Konferenca Ndërqeveritare Dypalëshe që zhvillohen katër herë në vit. Në këto bisedime marrin pjesë përfaqësuesi i shteteve anëtare të BE-së që është ministri apo ambasadori në BE i shtetit që ka Presidencën e BE-së dhe përfaqësuesi i vendit kandidat, që mund të jetë nga zëvendësshefi i delegacionit të shtetit kandidat, ministri përgjegjës për çështjet e BE-së ose nga krye-negociatori.

Vendit kandidat i hapet drita jeshile nga BE për nënshkrimin e Traktatit që i jep statusin e vendit në anëtarësim, vetëm pasi bisedimet dhe reformat shoqëruese kanë përfunduar kënaqshëm për dy palët dhe kjo është konfirmuar në një proces shqyrtimi për të gjithë kapitujt. Pas nënshkrimit të Traktatit nga të gjitha vendet anëtare, vendi kandidat bëhet anëtar me të drejta të plota në BE.

Shqipëria është përgatitur të përballet me një proces shumë sfidues dhe aspak të lehtë, por që shpresohet të mos jetë po aq i gjatë sa proceset paraardhëse dhe që të zbehin dëshirën dhe ëndrrën e shqiptarëve të lodhur për ta parë vendin e tyre pjesë të familjes evropiane.

[1] file:///C:/Users/User/Doënloads/Manuali_per_Qytetaret_Anetaresimi_i_Shqi.pdf

 

“Gender mainstreaming in the socio-economic policies of the municipalities in the region of Lezha” project, implemented by Together for Life organization, has been supported by Reactor – Research in Action and their partners through the Action “Furthering Gender Equality through the EU Accession Process”. This Action is funded by the European Union and co-funded by the Swedish International Development Cooperation Agency.

The contents of this post are the sole responsibility of the Together for Life organization and do not necessarily reflect the views of the European Union or the Swedish International Development Cooperation Agency.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here