Kryefaqja Aktualitet De la Mata: Nuk ka vaksina të pasigurta

De la Mata: Nuk ka vaksina të pasigurta

1
Shpërndaje

Bisedoi: Arlinda Shehu

Lexoni: English

Nuk ka vaksina të pasigurta dhe zërat që i lidhin vaksinat me autizmin janë të rremë. Kështu shprehet Isabel de la Mata, këshilltarja kryesore për Menaxhimin e Shëndetit dhe Krizave në Komisionin Evropian. Për gazetën “Shëndet+” ajo flet lidhur me politikat e vaksinimit, sigurinë e tyre, lidhjen me autizmin etj.

Më poshtë mund të gjeni intervistën e plotë.

Znj. De la Mata, cilat janë politikat e Komisionit Evropian mbi vaksinimin? Pse duhet vaksinimi?

Vaksinimi është mjeti kryesor për parandalimin e sëmundjeve dhe një nga masat publike shëndetësore më kost-efektive.

Pavarësisht rekordeve të shkëlqyera, disa vende të BE-së dhe vendet fqinje po përballen aktualisht me shpërthime të paprecendenta të sëmundjeve të parandalueshme nga vaksina për shkak të normave të mbulimit të pamjaftueshëm të vaksinimit. Qasja e pabarabartë ndaj vaksinave dhe ulja e besimit të publikut ndaj vaksinimit janë shkak për shqetësim dhe një sfidë e madhe për ekspertët e shëndetit publik.

Politikat e vaksinimit janë kompetencë e autoriteteve kombëtare, por Komisioni Evropian i ndihmon vendet e BE-së në koordinimin e politikave dhe programeve të tyre.

Komisioni propozoi në prill 2018 një Rekomandim të Këshillit për të forcuar bashkëpunimin e BE-së për sëmundjet e parandalueshme nga vaksinat. Nisma synon të trajtojë hezitimin ndaj vaksinave, të përmirësojë koordinimin e prokurimit të vaksinave, të mbështesë kërkimet dhe inovacionin, dhe të forcojë bashkëpunimin e BE-së për sëmundjet e parandalueshme nga vaksinat. Vendet e BE-së janë të inkurajuara të zhvillojnë dhe zbatojnë plane kombëtare të vaksinimit me nisma për të përmirësuar mbulimin dhe për të futur kontrolle rutinore të statusit të vaksinimit. Shpresojmë se ky propozim do të miratohet nga Këshilli i Shëndetit më 7 dhjetor.

A ka vaksina jo të sigurta?

Jo. Vaksinat, si të gjitha produktet farmaceutike, miratohen pas kontrolleve të kujdesshme ose në Agjencinë Evropiane të Ilaçeve ose në agjencitë kombëtare të ilaçeve të Shteteve Anëtare. Cilësia dhe siguria janë përparësi dhe vaksinat nuk dalin në treg derisa këto karakteristika të jenë verifikuar me kujdes.

Ka shumë zëra që e lidhin vaksinimin me autizmin. A kanë ndikuar këta zëra në vaksinimin në mbarë botën? Si? A ka ndonjë zgjidhje për to?

Po, fatkeqësisht, këta zëra kanë vazhduar që prej 20 vjetësh dhe kanë pasur efekte serioze në uljen e mbulimit të vaksinimit. Zëra të tillë nuk kanë kuptim dhe tashmë janë hedhur poshtë nga shkenca. Megjithatë ata vazhdojnë. Informacioni i qartë dhe i saktë për publikun e gjerë, përmirësimi i njohurive shëndetësore dhe vazhdimi i luftimit të keqinformimit dhe dezinformimit janë pjesë e zgjidhjes. Është e nevojshme të rritet besimi në shkencë dhe në mesazhet e shkencës dhe të shëndetit të komunitetit.

Ata që kundërshtojnë vaksinën MMR thonë se tre vaksinat duhet të ndahen për të mos shkaktuar autizëm. Pse nuk e bëjmë një gjë të tillë për t’i heshtur këta zëra?

Sepse nuk është e vërtetë. Ka arsye të ndryshme për t’i bërë vaksinat së bashku, që nga shmangia e numrit të madh të shpimeve në marrjen e një reaksioni më të mirë. Ndarja e tre komponentëve të vaksinës MMR do të thotë që fëmijët të kenë gjashtë shpime në vend të dy. Dhe rezultatet do të ishin po njësoj.

Çfarë do të ndodhë nëse më shumë njerëz vendosin të mos vaksinojnë fëmijët e tyre apo të vaksinohen vetë?

Do të ndodhë që sëmundjet që janë në prag të eliminimit, do të rikthehen. Nuk e di nëse ju kujtohet vuajtja nga poliomeliti, për shembull, me mijëra fëmijë të vdekur apo të mbetur handikap përgjithmonë. Ose nga difteria apo meningjiti. Patëm një problem, tani kemi një zgjidhje. Ndërkohë që ka persona që nuk e duan këtë për fëmijët e tyre? Vërtet që nuk mundem ta kuptoj.

Ekziston gjithashtu një çështje e përgjegjësisë sociale, e solidaritetit, e të gjithëve ndaj të pambrojturve (bebe, të moshuar, të sëmurë, gratë shtatzëna …). Ju nuk vaksinoheni vetëm për veten tuaj. Ju vaksinoheni edhe për të tjerët (që të mos u përcillni atyre sëmundje).

Në Shqipëri 8.1% e personelit shëndetësor kanë hepatit B dhe 0.6% kanë Hepatitis C. Për më tepër, në punën tonë në terren kemi parë që shumë mjekë nuk vaksinojnë fëmijët e tyre. A ndodh e njëjta gjë në vendet e BE-së? A po e kundërshton edhe stafi shëndetësor procesin e vaksinimit? Cilat janë planet për ndryshimin e situatës?

Jo, jo në përgjithësi. Fakti që disa punonjës shëndetësorë paraqesin një sëmundje të parandalueshme të vaksinës nuk do të thotë se ata nuk besojnë në vaksinimin, por ndoshta kjo vaksinë nuk ishte e disponueshme në kohën kur ata duhet të kishin marrë atë dhe ata u sëmurën. Për hepatitin B, punëtorët shëndetësorë janë një popullsi e qartë në rrezik. Ata mund ta kenë marrë atë për shkak të punës së tyre dhe gjithashtu mund ta përhapin atë tek pacientët. Për hepatitin C, ende nuk ka vaksinë.

Në përgjithësi, personeli shëndetësor është trajnuar dhe di për vaksinat dhe vaksinimin. Ne vazhdojmë të punojmë me shtetet anëtare të BE-së, shoqatat profesionale dhe organizatat ndërkombëtare për të vazhduar trajnimin dhe informimin e punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe po planifikojmë të fillojmë një Koalicion të punëtorëve shëndetësorë për vaksinim, siç tregohet në Rekomandimin e Këshillit.

Çfarë rekomandoni për vendet jo-anëtare të BE-së, si Shqipëria, lidhur me procesin e vaksinimit?

Përpjekjet në parandalim prodhojnë rezultate të mira. Nëse rritni mbulimin tuaj të vaksinimit, do t’ju duhet të shpenzoni më pak në trajtim nga sëmundjet, fëmijët tuaj mund të jetojnë një jetë të shëndetshme, punëtorët nuk do të mungojnë në punë, rezistenca antimikrobike do të ulet, jetëgjatësia e tyre do të rritet dhe zhvillimi ekonomik do të rritet. Unë rekomandoj që vaksinimi të jetë prioritet dhe të angazhohen të gjithë në këtë proces: mjekët, infermierët, farmacistët, të gjithë punonjësit shëndetësor në përgjithësi, prindërit, publiku, palët e interesit, autoritetet … të gjithë.

Po ju a jeni e vaksinuar?

Sigurisht, dhe bijat e mia gjithashtu. Prindërit e mi e filluan vaksinimin tim me ato vaksina që ishin në dispozicion në atë kohë dhe unë vazhdova të vaksinohesha kur fillova të isha e pavarur.

Kush është Isabel de la Mata

Isabel de la Mata është Këshilltarja Kryesore për Menaxhimin e Shëndetit dhe Krizave në Komisionin Evropian. Më parë ka punuar si Këshilltare për Shëndetësinë dhe Konsumatorët pranë Përfaqësisë së Përhershme të Spanjës në BE, si Zëvendësdrejtore e Përgjithshme për Planifikimin e Shëndetit në Ministrinë e Shëndetësisë në Spanjë, si Këshilltare e Zëvendësministrit të Shëndetësisë dhe poste të tjera në Ministrinë e Shëndetësisë së Spanjës dhe Departamenteve Rajonale në Baskë dhe në Madrid. Përveç kësaj, ajo ka qenë anëtare e Komitetit të Përhershëm të OBSH-së Evropiane të Komitetit Rajonal dhe ka punuar me Organizatën Panamerikane të Shëndetit, Bankën Ndër-Amerikane për Zhvillim dhe Agjencinë Spanjolle për Bashkëpunim Ndërkombëtar./ Shendeti.com.al

 

1 Koment

Leave a Reply to De la Mata: There are no not-safe vaccines | GAZETA SHËNDETI Anullo përgjigjen

Please enter your comment!
Please enter your name here