Nga Maria Zoto, mjeke Alergologe/Imunologe pranë Spitalit Hygeia
Organizata Botërore e Alergjisë i dedikoi këtë vit javën botërore te alergjisë rritjes së ndërgjegjësimit ndaj dermatitit atopik. Çfarë është dermatiti atopik?
Dermatiti atopik, i cili quhet ndryshe ekzemë ose rrjebull, është sëmundja kronike më e shpeshtë e lëkurës. Ajo mund të shfaqet në të gjitha moshat, por është më e shpeshtë në fëmijëri. Shpesh shfaqet që në muajt e parë të jetës, duke u bërë kështu manifestimi i parë i alergjisë tek fëmijët. Dermatiti atopik prek në nivel global 5-30% të fëmijëve dhe 1-10% të adulteve.
Cilat janë simptomat e dermatitit atopik dhe si diagnostikohet?
Karakteristikë në rrjebull është lëkura e thatë që shoqërohet me të kruara. Në zonat e acaruara lëkura është e ashpër, e skuqur, me flluska të vogla që lëngëzojnë. Në qoftë se këto persistojnë për kohë të gjatë, lëkura në këto zona paraqitet e trashë, me shenja të gërvishtjes dhe hiperpigmentim. Lëkura e thatë nxit të kruarat dhe kruajtjet apo fërkimet rrisin irritimin e lëkurës. Të kruarat mund të jenë shumë shqetësuese, aq sa të vështirësojnë fjetjen.
Tek foshnjat, dermatiti atopik shfaqet më shpesh në kokë dhe fytyrë. Te fëmijët më të rritur dhe tek adultet është karakteristike shfaqja në palosjen e bërrylave, gjunjëve dhe qafe.
Të gjitha këto karakteristika klinike ndihmojnë në vendosjen e diagnozës së dermatitit atopik. Testet e alergjisë ndihmojnë për të përcaktuar faktorët acarues, si dhe për të ndihmuar në diagnostikimin e sëmundjeve të tjera alergjike bashkëshoqëruese.
Cilat janë shkaqet e dermatitit atopik?
Dermatiti atopik është një sëmundje inflamatore e lëkurës në të cilën është prishur barriera mbrojtëse. Kjo bën që lëkura të humbasë lagështinë dhe të bëhet e thatë. Këtu luan një rol të rëndësishëm trashëgimia. Në shumicën e rasteve, ata që vuajnë me dermatit atopik kanë një anëtar të familjes me dermatit, astmë apo rinit alergjik. Fëmijët me dermatit atopik mund të shfaqin alergji ushqimore, astmë ose rinit alergjik.
Ndër faktorët e jashtëm që ndikojnë ne acarimin e dermatitit atopik përfshihen: detergjentët, ndryshimet e temperaturës dhe lageshtisë në ambient, alergenet ushqimore në fëmijërinë e hershme dhe me pas alergenet e ajrit (mikroorganizmat e pluhurit të shtëpisë, polenet, epitelet e kafshëve shtëpiake), stresi, etj.
Disa këshilla për trajtimin e dermatitit atopik
Qëllimi kryesor i trajtimit është përmirësimi i cilësisë së jetës. Nuk duhet të lejohet që simptomat të influencojnë në ndjekjen e shkollës, punës apo aktivitet sociale. Gjithashtu gjumi duhet të bëhet i qetë.
Hapi i pare është shmangia e faktorëve irritues, si detergjentët, sapunët e fortë, kimikatet. Duhet të përdoren rroba të buta, të shmangen temperaturat e larta dhe të ulëta në ambient, të përdoret krem me faktor të lartë mbrojtës gjatë ekspozimit në diell, etj.
Edhe pse dermatiti atopik mund të acarohet nga ushqimet, vendimi për heqjen e ndonjë ushqimi nga dieta e fëmijës do të merret vetëm pas konsultimit me mjekun alergolog. Gjithashtu mjeku alergolog mund të japë këshilla mbi shmangien e alergeneve të ajrit (mikroorganizmat e pluhurit të shtëpisë, polenet e bimëve, epitelet e kafshëve shtëpiake etj).
Përdorimi i kremrave hidratues është thelbësor në kujdesin ndaj dermatitit atopik. Ato duhet të aplikohen vazhdueshëm në lëkurë, por veçanërisht pas larjes.
Në trajtimin medikamentoz përfshihet trajtimi lokalisht me kortizonike apo me inhibitorët e kalcineurines, antihistaminiket oral, preparatet imunosupresor etj. Këto duhet të përdoren vetëm pas përshkrimit nga mjeku./ Shendeti.com.al
Dr.Maria Zoto
Mjeke Alergologe/Imunologe
Tel: 04 23 90 000