Kryefaqja Lajm kryesor Dhimbja e thembrës, si ta trajtojmë

Dhimbja e thembrës, si ta trajtojmë

1
Shpërndaje

Bisedoi: Elona Tereziu

Fasciti plantar është shkaku më i zakonshëm i dhimbjeve në pjesën e poshtme të thembrës. Megjithëse studimet kanë treguar se nuk ka një shkak të mirëfilltë se pse ndodh, nga ana mjekësore dhimbja mund të shpjegohet me një këputje të pjesshme të membranës që ndryshe quhet fascia plantare.  Zakonisht haset në dekadën e 5 të jetës dhe prek kryesisht femrat. Simptoma kryesore është dhimbja, e cila është shumë e shprehur sidomos në hapat e para në mëngjes. Por, ndonjëherë mund të shoqërohet edhe me mpirje të shputës dhe gishtave të këmbës. Tahir Çela, kirurg ortoped në Spitalin Universitar të Traumës tregon për gazetën “Shëndet+” format e trajtimit konservativ, ndërkohë që kirurgjia është ajo që jep zgjidhjen përfundimtare në rastet kur kjo e para nuk ka funksionuar.

Çfarë është fasciti plantar?

Ka shumë pacientë (sidomos femra), zakonisht të  moshës mbi 50 vjeç që ankojnë për dhimbje të shputës së këmbës. Dhimbje kjo më e shprehur në hapat e para që hedhin në mëngjes sapo zgjohen nga gjumi. Zakonisht, kjo dhimbje shqetësuese ndihet vetëm gjatë lëvizjes, jo në qetësi, kur qëndrojnë ulur apo shtrirë.

Për të kuptuar se nga vijnë këto dhimbje, do na duhet të bëjmë fillimisht një shpjegim të shkurtër të anatomisë së shputës së këmbës.

Njeriu, për dallim nga gjitarët e tjerë, është një krijesë që ecën me dy këmbë. Kështu që, një ngarkesë shumë e madhe e peshës trupore, bie tek shputa e këmbës. Në anatominë e saj, shputa e këmbës ka një hark, pra nuk është e sheshtë plotësisht. Këmba e njeriut është e harkuar si një urë dhe këtë hark e krijojnë kockat e këmbës por gjithashtu dhe një membranë që gjendet poshtë lëkurës, menjëherë sipër shputës e cila quhet fascia plantare. Është një membranë që gjendet menjëherë nën lëkurën e shputës dhe një nga funksionet e saj është ruajtja e këtij harkut të këmbës në mënyrë që pesha e trupit të njeriut të bie në disa pika të caktuara. Kryesisht pesha tek këmba bie më shumë tek thembra, pjesa anësore e këmbës dhe pjesa e gishtave, pra jo në pjesën e brendshme të shputës.

Rastet më të shpeshta të dhimbjes së shputës janë ato dhimbje që këta pacientë i ndiejnë në pjesën e shputës por sidomos shumë pranë thembrës. Aty ku bie pesha dhe kjo dhimbje e ka burimin pikërisht nga kjo membranë, fascia plantare, e cila është vërtetë shqetësuese.

Cilët janë shqetësimet kryesore që ndjen pacienti?

Simptoma kryesore është dhimbja. Është shumë e shprehur sidomos në hapat e para në mëngjes ose pasi ka qëndruar për një kohë të gjatë dhe në momentin e parë që çohet dhe në vazhdim të ecjes ndjen dhimbje. Ndonjëherë shoqërohet edhe me mpirje të shputës dhe gishtave të këmbës.

Çfarë e shkakton dhe nga vjen kjo dhimbje?

Studimet kanë treguar që nuk ka një shkak të mirëfilltë, pra që të jetë e lidhur me profesionet (personat që qëndrojnë për një kohë të gjatë në këmbë, sportistët, etj.) por është një sëmundje degjenerative që ndodh tek disa njerëz me kalimin e viteve pa ndonjë shpjegim.

Nga ana  mjekësore, dhimbja buron nga një këputje e pjesshme e kësaj membranës që ne e quajmë fascia plantare. Pra janë këto këputje që e prodhojnë dhimbjen.

Cila është mosha që preket më shumë?

Studimet por edhe ajo që ne vëmë re nga praktika e përditshme, pacientët zakonisht janë mbi 50 vjeç dhe sidomos femra, pra pjesa kryesore, por nuk përjashtohet mundësia që të ndodhi dhe tek një më i ri.

Pse më shpesh tek femrat, ka ndonjë lidhje mes përdorimit të takave të larta dhe fascitit plantar?

Studimet nuk kanë arritur të shpjegojnë se pse kjo sëmundje prek më shpesh femrat se sa meshkujt. Por janë identifikuar disa faktorë rreziku që shtojnë mundësinë për t’u prekur nga kjo sëmundje, siç janë: përdorimi i këpucëve të modës me taka të larta, obeziteti (mbipesha), sportet me impakt, si: sportet e vrapimit etj.

Çfarë komplikacionesh mund të sjellë kjo për pacientin?

Fasciti plantar nuk sjell ndërlikime të tjera për shëndetin e pacientit, përveç dhimbjes dhe kufizimit të lëvizjes.

Cilët janë ekzaminimet që vendosin diagnozën?

Fasciti plantar është diagnozë klinike, që do të thotë se kjo diagnozë vendoset nga mjeku ortoped vetëm me anë shenjave të sëmundjes dhe prekjes me dorë të zonave të dhimbshme. Rrallë herë ne kërkojmë dhe grafi, dhe shumë më rrallë ekzaminime më të sofistikuara, siç janë skaner apo rezonancë, por kryesisht diagnoza vihet thjesht me vizitë, pra duke e pyetur pacientin dhe duke e vizituar.

Ku konsiston trajtimi i kësaj sëmundje?

Zakonisht trajtimi fillestar është konservativ. Funksionojnë shumë mirë në këto raste ato që ne i quajmë plantare. Lloje suportesh që vendosen tek shputa e këmbës dhe janë të prodhuara  posaçërisht për këtë problem. Mund të gjenden lehtësisht në farmaci.

Janë të prodhuara në mënyrë të tillë që merren dhe vendosen brenda çdo këpuce që mund të ketë pacienti.  Synimi i tyre është lehtësimi i dhimbjes, duke bërë një mbështetje të mirë të harkut të këmbës. Pra, atë që ne e thamë më lart, këmba e njeriut normalisht ka një hark dhe ky hark kërkon mbështetje të mirë që të ulet dhimbja, dhe një nga mënyrat është përdorimi i këtyre plantareve.

Një tjetër këshillë që ne rekomandojmë është që këta pacientë mos të veshin këpucë shumë të sheshta. Është parë një lidhje midis përdorimit të këpucëve shumë të sheshta dhe rëndimit të kësaj sëmundje (jo shkaktimit). Prandaj nuk rekomandohet të përdoren këpucë shumë të  sheshta, por ortopedike, që bëjnë një mbështetje të mirë të harkut.

Një rekomandim tjetër mund të jetë edhe përdorimi i atleteve sidomos ato të projektuara për vrap, që kanë një mbështetje të mirë të harkut, kanë gomë shumë të butë dhe të përkulshme që bëjnë të  mundur absorbimin e mirë të goditjes gjatë ecjes.

Tjetër këshillë shumë e rëndësishme, që hyn tek trajtimi konservativ, është edhe kryerja  edisa ushtrimeve të cilat pacienti mund t’i bëjë vetë. Janë bërë studime në këtë drejtim dhe është parë që ka shumë sukses trajtimi me disa ushtrime specifike për shtrirjen e fascies plantare./ Shendeti.com.al

1 Koment

Leave a Reply to Dhimbja e thembrës, format e trajtimit | GAZETA SHËNDETI Anullo përgjigjen

Please enter your comment!
Please enter your name here