Kryefaqja Aktualitet Elbasani, qyteti historikisht famëkeq lidhur me ndotjen e ajrit. 16.7 herë më...

Elbasani, qyteti historikisht famëkeq lidhur me ndotjen e ajrit. 16.7 herë më e lartë se norma e lejuar prania e grimcave të imëta të pluhurit PM2.5 në ajër!

0
Shpërndaje
Stadtansicht Elbasan

Historikisht, kemi dëgjuar e lexuar për Elbasanin dhe lidhjen e pashmangshme të këtij qyteti të Shqipërisë së mesme me fabrikën e metalurgjikut, si edhe ankesat e vazhdueshme të qytetarëve të tij lidhur me problematikat e shkaktuara nga industria e rëndë, duke e etiketuar si një ndër qytetet më të ndotura në vend. Shpesh ankesat kanë rënë në vend të shurdhët. Problematike mbeten ende fshatrat e Elbasanit si Balldre apo Barashesh, duke qënë se janë fshatra me vendndodhje afër fabrikave me aktivitet të lartë të shkarkimit të gazrave të dëmshëm në ajër.

“Unë banoj në fshatin Balldren, afër fabrikës dhe aty vjen gjithmonë era naftë dhe sidomos sa herë fryn erë, futet komplet era e naftës në shtëpi” – shprehet Dritan Sino, banor i fshatit Balldren në Elbasan.

“Kam banuar për 16 vite në fshtatin Barashesh pranë fabrikës së metalurgjikut. Aktualisht vuaj nga diabeti. Shtëpia jonë ishte anës rrugës dhe tymi që lëshohej nga fabrika ishte kudo në ajër dhe më shumë rrinim brenda në shtëpi për shkak të erës së keqe. Fatmirësisht, tani jetoj në një fshat tjetër dhe e ndjej diferencën sepse këtu ajri është më i pastër” – shprehet një ish banore e fshtatit Barashesh, Elbasan

“Unë kam punuar prej vitesh në fshatin Mollas të Elbasanit dhe shumica e banorëve që paraqiteshin për t’u vizituar vuanin nga problemet pulmonare, bronkit kronik, ulçera etj dhe kjo përbënte një shqetësim madhor” – shprehet Sami Sula, Mjek familjeje në pension.

Duke vlerësuar edhe faktorët e tjerë të ndotjes bazuar mbi faktin që Elbasani është qyteti i tretë më i madh në Shqipëri dhe me popullsinë më të madhe pas Tiranës dhe Durrësit, fatkeqësisht është e pashmangshme që lëvizja e dendur e automjeteve të banorëve lokalë në përditshmëri dhe gjithashtu edhe ajo e banorëve të qyteteve të tjera që kalojnë nga qyteti i Elbasanit si urë lidhese me qytetet e tjera si Durrësi dhe Tirana, të mos ndikojë si faktor ndotës. Kjo, shtuar faktin që sipas DPSHTRR në Elbasan është rritur numri i mjeteve të regjistruara që nga viti 2021 në vitin 2022 me në total 8631 mjete, duke ndikuar edhe në krijimin e një kaosi më të madh në trafik në akset dalëse dhe hyrëse të qytetit të Elbasanit, por edhe në rrugët kryesore të brendshme të tij.[1] Nga ana tjetër, cilësia e karburanteve me të cilat furnizohen makinat lë për të dëshiruar. Imagjinohet se si ndikon ndotja nga këta faktorë tek kalimtarët që janë të detyruar të ecin në rrugët kryesore të Elbasanit për të kryer aktivitetet e përditshme.

“Unë jetoj në një zonë të njohur të qytetit të Elbasanit dhe nga shtëpia ime duket nga lart e gjithë shtellunga e bardhë e tymit që mbulon qytetin. Duket qartë që vjen nga zona e metalurgjikut dhe drejtohet për në qytet, por e shkakton edhe mbingarkesa e trafikut në rrugët kryesore sidomos në stinën e verës. Shpesh ndjejmë këputje, dhimbje koke, apo simptoma të tjera të cilat nuk i kuptojmë nga na vijnë, por duke e menduar më mirë besoj se na ndikon shumë edhe ajri i ndotur. Ndonjëherë më duket se kemi fituar imunitet nga ndotja dhe nuk e kuptojmë.” – shprehet një banore e qytetit Elbasan me inicialet K.M

16.7 herë më e lartë se norma e lejuar ka rezultuar prania e grimcave të imëta PM2.5 në ajër në Bashkinë Elbasan e regjistruar në orët e pasdites, vlera kjo më e lartë e gjeneruar nga të dhënat e nxjerra në kohë reale nga monitorimi i vazhdueshëm përmes pajisjes së instaluar IQAir. Monitorimi i cilësisë së ajrit mundësohet në kuadër të projektit “Ajër i pastër, jetë e shëndetshme” zbatuar nga organizatat partnere, Milieukontakt Shqipëri, Shoqata Together for Life, GO2 Shkodër dhe Qendra EPER Korçë. Projekti zhvillohet në kuadër të “Green-AL”, një projekt i financuar nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim me fondet e Qeverisë Suedeze, i zbatuar nga Co-PLAN Institute for Habitat Development në bashkëpunim me VIS Albania, COSV – Cooperazione per lo Sviluppo dhe CISP – Sviluppo dei Popoli.

Të dhënat e gjeneruara lidhur me praninë e lartë të grimcave PM 2.5 në ajër janë shqetësuese, duke marrë parasysh pasojat negative që shkakton niveli i lartë i ekspozimit ndaj tyre tek target-grupet vulnerabël siç janë të sëmurët kronikë, duke qënë se këto grimca sulmojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të shpejtë sistemin e frymëmarrjes. Siç u përmend më lart, këto vlera janë regjistruar në orët e pasdites ku edhe shumica e kalimtarëve dalin nga puna ose dalin për një shëtitje. Vlera të përafërta janë regjistruar edhe here të tjera, kështu që imagjinojmë ndikimin negativ tek ta. Kjo, bashkëshoqëruar edhe me nivelin e lartë të pranisë së NO2, sic cilësohet me detaje edhe më poshtë.

Ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj grimcave PM2.5 është vërtetuar që është një ndër shkaktarët kryesorë të sëmundjeve respiratore kronike. Fatkeqësisht, institucionet përgjegjëse shtetërore nuk kanë të dhëna konkrete të fundit mbi pasojat që jep ndotja e ajrit në shëndetin e njerëzve dhe në mjedis. Megjithatë, sipas të dhënave të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) të vitit 2021, prevalenca e astmës bronkiale ndër të sëmurët kronikë, ka rezultuar në nivelin më të lartë në qytetin e Elbasanit.[2]. Duke marrë në konsideratë këtë pjesë, marrim parasysh edhe dëmet që ka sjellë ajri i ndotur në sistemin shëndetësor në përgjithësi, por edhe në ekonominë e qytetarëve.

“Mendimi im është se ajri i pastër është jetë dhe ne abuzojmë duke përdorur vetëm makina. Shoqëria jonë është bërë dembele, nuk ecin më në këmbë apo të përdorin biçikleta. Të bërit e një jete moderne ka dëmtim të shëndetit. Pasojat negative i kam vënë re tek fëmijët e mi, pasi së pari më sëmuren shpesh dhe së dyti preket ekonomia, pasi mjekimet kushtojnë. Unë punoj tek komisioni i vlerësimit të personave me aftësi të kufizuar në Elbasan dhe është rritur numri i rasteve të reja të të sëmurëve kronikë, si fëmijë ashtu edhe të rritur”. – shprehet Rudina Dopi, banore e qytetit Elbasan

Nga ana tjetër, rezultate mbi ndotjen e ajrit janë arritur edhe përgjatë periudhës së verës në Gusht 2022, nga matjet alternative përmes pajisjes Aeroqual të realizuara nga aktivistët e Shoqatës Together for Life. Janë monitoruar në total 150 pika/stacione në Bashkinë Elbasan, duke përfshirë rrugët dhe lagjet kryesore të qytetit. Fatmirësisht, lidhur me praninë e grimcave të përthithshme PM10 dhe PM2.5 të dhënat tregojnë rezultate brenda normave. Ndonjëherë grimcat e pluhura shpërndahen nga era, e duke qënë se Elbasani karakterizohet nga erëra të forta, mund ta konsiderojmë si faktor ndihmues. Nga ana tjetër, duke marrë parasysh edhe problematikat shqetësuese lidhur me ndotjen në përgjithësi Elbasan, ka edhe reagime pozitive nga ndërhyrjet e Bashkisë lidhur me përmirësimin e politikave pro mbrojtjes së mjedisit, siç është edhe ajo e asgjësimit të mbetjeve.

“Diçka e mirë ka ndodhur në qytetin tim në vitin 2015. Djegia e mbetjeve në vitin më parë bëhej në një fushë që shkaktonte një tym dhe erë tëpër të keqe, ajër shumë i ndotur. Tani Elbasani ka landfillin modern të mbetjeve dhe ndotja e ajrit është përmirësuar në krahasim me vitet e mëparshme” – shprehet Rudina Dopi, banore e qytetit Elbasan.

Ndërkohë që janë vënë re nivele shqetësuese të pranisë së NO2 (duke arritur deri në 67 μg/m3 nga standarti 40 μg/m3) dhe sidomos të CO2 që ka arritur vlerat maksimale nga norma standarte në të gjitha pikat/stacionet e matura (duke arritur deri në 461 ppm/m3 nga standarti 350 ppm/m3). CO2 çlirohet nga djegja e lëndëve fosile dhe praninë e tepërt të tij në ajër mund ta ndërlidhim pikërisht me problemin e mbingarkesës së trafikut në zonat ku aktiviteti është më i lartë dhe emetimit të gazrave nga industria. Konkretisht janë vënë re vlera maksimale në zonën jugore të qytetit të Elbasanit. Përgjatë kësaj hapësirë gjendet unaza jugore e qytetit. Lëvizja e dendur e mjeteve dhe sidomos e mjeteve të peshave të rënda që e përdorin shumë këtë rrugë, ndikon negativisht. Gjithashtu, kryqëzimet kryesore të qytetit, konkretisht kryqëzimi në daljet perëndimore dhe jugore të qytetit shënojnë po ashtu vlera të larta të ndotjes.

Duke theksuar ndikimin në shëndet, ajri me një përqendrim të lartë të NO2 mund të irritojë rrugët e frymëmarrjes dhe ekspozimi gjatë periudhave të shkurtra mund të përkeqësojë sëmundjet e frymëmarrjes, veçanërisht astmën, duke çuar në simptoma të tilla si kolla ose vështirësia në frymëmarrje. Ekspozimi më i gjatë ndaj përqendrimeve të larta të NO2 mund të kontribuojë në zhvillimin e astmës dhe potencialisht të rrisë ndjeshmërinë ndaj infeksioneve të frymëmarrjes.

Për fat të keq, ekspozimi për një periudhë të gjatë, rrit rrezikun për arrest kardiak dhe stroke. Gjithashtu, ndikon në problematika kronike të hipertensionit, bronkit dhe tumor. Sic u cilësua më lart, prevalenca e astmës bronkiale ndër të sëmurët kronikë, ka rezultuar në nivelin më të lartë në qytetin e Elbasanit.dhe pas parashtrimit të mësipërm, ky fakt është relevant[3].

Nga monitorimi rezultojnë edhe zona me ndotje më të ulët që ndodhen më në periferi, edhe kjo vjen për arsye se këto zona kanë një prani më të madhe të gjelbërimit, që ndihmon në përmirësimin e cilësisë së ajrit. Sipas burimeve të publikuara në faqen zyrtare të Bashkisë Elbasan, Agjensia e Shërbimeve Publike ka vijuar punën e fokusuar në rikonstruksionin e infrastrukturës rrugore dhe mbjelljes së pemëve në zona të ndryshme të qytetit, në bashkëpunim edhe me projektet me fokus mbrojtjen e mjedisit.

Nga ana tjetër, një tjetër nismë që do të ishte shumë me dobi në këtë kuadër do ishte edhe lehtësimi i trafikut të ngarkuar në rrugët dhe akset kryesore të qytetit. Duket se edhe kjo pjesë do jetë ndër prioritetet e pushtetit qëndor dhe lokal për vitin 2023. Nga komunikimet mediatike të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, një ndër projektet që do t’i japin zgjidhje edhe trafikut të vazhdueshëm shqetësues dhe pëmirësimin e infrastrukturës do jetë edhe ndërtimi i bypass-it të Elbasanit. Gjithashtu, sipas një komunikimi të Kryetarit të Bashkisë Elbasan: “Bypass-i i Elbasanit është një projekt ambicioz infrastrukturor që do të largojë të gjitha mjetet e rënda nga qyteti dhe do t’i japë aksit nacional Tiranë – Durrës – Elbasan një koncept të ri të zhvillimit të integruar urban dhe rural”.

Sigurisht, do ishte e nevojshme për t’u ndërmarrë masa në vijim lidhur me realizimin e matjeve të vazhdueshme në zona të ndryshme të territorit të Elbasanit, për të mundësuar një vlerësim me të gjërë të gjendjes së ndotjes së ajrit dhe zbatimit të masave në kohë reale. Edhe vetë Agjensia Kombëtare e Mjedisit, sipas komunikimeve, sugjeron se duhen shtuar investimet dhe konkretisht duhet shtuar rrjeti i monitorimit me stacione të reja për të patur një panoramë më të qartë të ndotjes në matjet e ardhshme. Të dhënat e fundit të publikuara në faqen zyrtare janë ato të vitit 2021, por as ato nuk janë të dhëna të plota dhe Elbasani nuk rezulton fare ndër qytetet e monitoruara[4]. Sipas AKM: “Nuk mungon iniciativa, por duke patur mungesë fondesh matjet nuk bëhen të plota dhe nuk mund të publikojnë të dhëna që nuk janë tërësisht të qarta dhe të sakta. Stacionet e ajrit kanë nevojë për mirëmbajtje vjetore, e cila për shkak të procedurave dhe buxhetit të limituar, ka pasur raste që nuk është kryer e plotë.

Rekomandime të forta lidhur me këtë pjesë janë theksuar prej kohësh edhe nga Kontrolli i Lartë i shtetit. Në raportin e tyre, përfaqësuesit e KLSH theksuan ndër të tjera mos akreditimin e procesit të monitorimit të cilësisë së ajrit në vendin tonë, numrin e pakët të stacioneve të monitorimit si dhe besueshmërinë e ulët qe kanë Raportet e Gjendjes së Mjedisit (veçanërisht për cilësinë e ajrit) në Shqipëri. Po ashtu, kontrolli dhe reduktimi i shkarkimeve të substancave ndotëse nga impiantet industriale nuk mund të arrihet, për sa kohë nuk kryhet kontrolli i monitorimit të shkarkimeve industriale nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit.[5]

Për të bërë një përmbledhje, për qytetin e Elbasanit, është e nevojshme të merren masa për rregullimin e trafikut dhe gjetjen e alternativave të lëvizjes gjatë orarit të pikut, si edhe kontrollin e cilësisë së karburantit të automjeteve, bazuar mbi standartet sipas ligjit. Nga ana tjetër, duhet zbatuar masa të rrepta kontrolli lidhur me shkarkimet industrial në ajër. Përgjegjësitë për zbatimin e legjislacionit mjedisor duhet të përcaktohen më qartë dhe vetë zbatimi duhet të forcohet shpejt, veçanërisht për aktivitetet e pakontrolluara dhe abuzive ndaj mjedisit.

Një ndër sfidat madhore që pasqyrohen në Bashkinë e Elbasanit, ashtu si edhe në bashkitë e tjera, lidhet me adaptimin dhe zbatimin e planit të veprimit për cilësinë e ajrit në nivel vendor. Mungesa e këtij plani në nivel qëndror, bën që ky adaptim të mungojë edhe në Bashkinë e Elbasanit. Gjithashtu, strategjia Kombëtare e Cilësisë së Ajrit pavarësisht miratimit në vitin 2014, nuk është vënë në zbatim dhe nuk është e shoqëruar me Planin e Veprimit. Nuk mund të lihet pa përmendur edhe fakti se Drejtoritë Rajonale Shëndetësore raportojnë në ISHP statistika mbi sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë e popullatës, por nuk ka të dhëna studimore mbi lidhjen shkak pasojë midis ndotjes së ajrit dhe impaktin në shëndetin e popullatës. [6]

Të gjitha problematikat më lart janë këmbana që duhet të dëgjohen dhe të arrihet shpejt në veprime konkrete. Një ndër gjërat pozitive lidhur me qytetin e Elbasanit në Programin Kombëtar të Mbrojtjes së Mjedisit 2023 të publikuar në faqen zyrtare të AKM në kapitullin e parë mbi Monitorimin e Cilësisë së Ajrit, është se është cilësuar si prioritet për vitin 2023 përmirësimi i cilësisë së ajrit në qytetet e cilësuara si të ndotura, ndër të cilat edhe Elbasani.

 

[1] DPSHTRR Open Data – Mjete aktive në Regjistrin Kombëtar Shqiptar: 30/06/2022 › Dashboard Mjeti (google.com)

[2]Numri i njerëzve të sëmurë, burimi FSDKSH

[3]Numri i njerëzve të sëmurë, burimi FSDKSH

[4] Raporti Për Gjëndjen e Mjedisit 2021 – Agjencia Kombetare e Mjedisit (akm.gov.al)

[5] phpoQHbjU.pdf (klsh.org.al)

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here