Denisa Canameti, Elena Beta
Edhe pse një pjesë e mirë e kopshteve publike në Tiranë i janë nënshtruar rikonstruksionit të plotë apo të pjesshëm, ka midis tyre, si në rastin e kopshtit 34, që janë komplet jashtë standardeve. Veç hapësirave të kufizuara për shkak të një konflikti pronësie, mureve me myk dhe lagështirë, shqetësues është forma e ngrohjes së kopshtit, me sobë drush. Sobat e druve të shqyera, të vjetruara e të ndryshkruara janë dyfish problematike dhe ngrenë pikëpyetje serioze për ndikimin në shëndetin e fëmijëve. “Si në kohën e Gjolekës”, thonë drejtuesit e kopshtit 34 në Kombinat, Tiranë.
Fëmijët flenë në një dhomë, disa me krevate marinari, me këmbë hekuri, ngjitur me njëri-tjetrin në një ambient mbytës. Edukatoret nën zë pranojnë problemet me sistemin elektrik deri në gradën ku marrin flakë telat. Tapeti shumë i konsumuar dhe po ashtu edhe moblijet apo mjetet e pakta didaktike. Sipas tyre, ndërhyrja e vetme e bërë në këtë kopsht ka qenë në vitin 2000 nga kisha ortodokse, ku është vendosur çatia dhe është lyer ambienti i jashtëm.
Edukatoret: Fëmijët sëmuren shpesh, çdo ditë numri i mungesave është i lartë
Edukatoret e këtij kopshti shprehen se çdo ditë numri i mungesave është shumë i lartë. Dhe numri më i madh i mungesave justifikohet me problemet shëndetësore. Brenda një ndërtese të tillë ku fëmijët kalojnë pjesën më të madhe të ditës, duket fat i madh të mos sëmuresh. “Na sëmuren shumë shpesh fëmijët. Sidomos ata që duhet të rrinë gjithë ditës. Thuajse gjysma mungon çdo ditë, një pjesë i marrin që në drekë, dhe një numër më i vogël duhet të rrijë gjithë ditën për shkak se i kanë prindërit në punë. Soba e druve na bën edhe më vigjilentë, sepse mund të shkojë ndonjë fëmijë e të djegë duart. Gjithashtu e dimë që nuk është aspak e shëndetshme. As hapësira të jashtme nuk është se kemi që fëmijët të paktën të dalin e të marrin ajër kur bie diell”.
Sipas nenit 4 të Konventës mbi të Drejtat e Fëmijëve, Shtetet Palë marrin masa që institucionet, shërbimet dhe qendrat që përgjigjen për kujdesin dhe mbrojtjen e fëmijëve, të veprojnë në përputhje me normat e caktuara nga autoritetet kompetente, veçanërisht në fushën e sigurisë, të shëndetit, të numrit dhe aftësive të personelit të tyre, si dhe të kontrollit të duhur.
Në këtë rast mund të thuhet se institucionet përgjegjëse i kanë shkelur të drejtat ligjore të fëmijëve.
Prindërit: Pamundësia ekonomike, aryseja pse i lëmë fëmijët këtu
Të pyetur sesa të kënaqur janë me kushtet në të cilat kalojnë ditën fëmijët e tyre, prindërit rrudhin buzët. Ata shprehen se pamundësia ekonomike është arsyeja e vetme që i detyron që t’i sjellin fëmijët këtu. Megjithatë, ata nuk ngurrojnë që të shprehin vlerësim për punën e edukatorëve, duke dashur t’i shkarkojnë ata nga përgjegjësia e fajit.
Fatbardha Prençi, e cila ka djalin 5 vjeç, thotë:
“Im bir ka 2 vjet që e frekuenton çdo ditë kopshtin. Nuk jemi aspak të kënaqur me kushtet: ka shumë lagështi, krevatet dhe dyshekët janë në gjendje skandaloze. Duhet të bëhet gjithçka e re. Sa për sobën e drurit që përdoret për t’u ngrohur në stinën e dimrit, bën tym dynjaja dhe fëmijët shpesh bllokohen.
Ka fëmijë që janë alergjikë të cilët e përjetojnë akoma më keq. Fëmija im është gjithashtu alergjik ndaj lagështirës dhe në sezonin e dimrit e kap astma. Për shkak të lagështirës fëmijët këtu janë gjatë gjithë kohës me kollë. Nuk kam parë kurrë ndonjë ndihmë të jashtme në këtë kopsht. Veç të tjerave, brenda godinës jetojnë edhe familje të tjera. Duke qenë se është godinë shtetërore, këto familje kanë që prej vitit 1998 që janë vendosur këtu.
“Unë banoj në këtë lagje, jam pa punë dhe jemi familjarisht në gjendje të vështirë ekonomike, ndaj kam qenë e detyruar të regjistroj djalin në këtë kopsht. Sa për edukatoret, mund të them se janë shumë të mira dhe bëjnë të pamundurën për të lehtësuar gjendjen në të cilën ndodhet godina”.
Ndërkohë, nga ana tjetër, vetë prindërit thonë se nuk janë organizuar asnjëherë për të kërkuar llogari ndaj institucioneve përgjegjëse që të kthejnë vëmendjen te ky kopsht.
Mjeku Habazaj: Ngrohja me dru, shkak për sëmundje të mushkërive
Mjekët pneumologë pranojnë se ngrohja me dru është problematike për shëndetin. Altin Habazaj, mjek pneumolog pranë Spitalit Universitar të Traumës, pyetur për çështjen në fjalë, sqaron:
“Druri është biomasë, djegia e drurit formon grimca që përhapen në ambient dhe këto grimca janë shkaktarë për sëmundje pulmonare, të cilat për momentin mund të jetë akute, por me kalimin e kohës mund të kronicizohet.
“Grimcat që lëshohen nga djegia e drurit thithen në rrugët e ajrit, duke dhënë ndryshim të cilat janë të ngjashme me pirjen e duhanit. Te pacientët që ne kemi me sëmundje pulmonare, krahas duhanit, një nga faktorët e tjerë shtesë është edhe nëse janë ngrohur me dru. Ose vazhdojnë të ngrohen me dru. Te fëmijët e vegjël ndikimi është akoma më i madh, sepse aparati respirator i fëmijëve është në formim e sipër”, përmbyll Habazaj.
Konsumi i lartë i druve të zjarrit, ndikime kritike në shëndet
Në një analizë mjedisore të kryer në Kosovë, evidentohet qartazi se konsumi i lartë i druve të zjarrit shkakton reduktimin e rezervave pyjore dhe ka ndikime kritike në mjedis dhe shëndet. Përdorimi i gjerë i sobave të drurit të projektuara dobët dhe joefiçientë (si në rastin në fjalë) dhe kaldajat shpesh të ngrohura nga dru zjarri dhe linjiti që nuk është tharë sa duhet, çon deri në një nivel të lartë të ndotjes lokale dhe grimcat e emisioneve që shkaktojnë kancer dhe reagime astmatike, thuhet në analizë. Nga perspektiva mjedisore është shumë e rëndësishme të zëvendësohen stufat (pra, sobat) dhe kaldajat e vjetra me njësi të reja të projektuara për të ofruar efiçiencë më të lartë dhe më pak ndotje. Përveç kësaj, është e rëndësishme për të informuar popullsinë në lidhje me rreziqet dhe përfitimet potenciale nga shfrytëzimi i drurit të zjarrit të thatë dhe linjitit, si në aspektin e eficiencës së përmirësuar, ashtu edhe në ndotjen e reduktuar.
Ndotja e ajrit mund të jetë: ndotje e jashtme dhe ndotje e brendshme. Ndotja e brendshme e ajrit shkaktohet edhe nga drutë e zjarrit, të cilat rëndom përdoren në stinën e dimrit në zonat malore. Shkencëtarët janë të mendimit se ndotja e ajrit në mjedisin e brendshëm mund të jetë më e rrezikshme sesa ndotja e ajrit në mjediset e jashtme./ Shendeti.com.al
“Ky botim u realizua me mbështetjen e LëvizAlbania. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e LëvizAlbania”.
[…] Shkrimi i plotë: Shëndeti.com.al […]
[…] Kopshti numër 34, kopshti numër 17 dhe kopshti Kodër Kamëz, janë përballur prej vitesh me ngërçe të tilla që kanë vështirësuar punën e personelit, si edhe qëndrimin e fëmijëve. Kjo problematikë, e pasqyruar në median e shkruar, por edhe e artikuluar në forumet e realizuara me përfaqësues të Bashkisë, duket se ka vënë në lëvizje këta të fundit të cilët kanë nisur menjëherë nga puna për marrjen e masave. […]