Bisedoi: Denisa Canameti
Doktor Gerald Kola, punon në urgjencën e spitalit të Durrësit. Nëse keni dëgjuar për incidentin që ndodhi në këtë spital para disa muajsh, ku njëri prej mjekëve u dhunua nga të afërmit e një pacienti, bëhet fjalë pikërisht për doktor Geraldin. Dhuna ndaj bluzave të bardha është një nga problematikat më të shprehura nga ana e personelit mjekësor. Përmirësimi i marrëdhënies mjek pacient aktualisht është prioritet i politikave shëndetësore. Gazeta Shëndet plus, ka kontaktuar doktor Geraldin, për ta pyetur lidhur me ecurinë e punës pas këtij incidenti. Në intervistën e mëposhtme doktori flet gjithashtu për fenomenin e dhunës në spitale, si dhe planet për tu larguar nga Shqipëria.
Doktor, sa vite keni që ofroni shërbim në sistemin tonë shëndetësor publik? Në sistemin shëndetësor publik u bënë afërsisht 7 vjet dhe 3 vjet në sistemin shëndetësor privat. Cili është specialiteti juaj ?
Po, aktualisht unë punoj si mjek urgjence
Cilat kanë qenë pritshmëritë tuaja kur mbaruat specializimin: si e mendoni mjekësinë?
Të them të drejtën, pak a shumë në këto kushte e kam menduar, nuk është se kam pasur ndonjë pritshmëri ndryshe për mjekësinë shqiptare dhe mendoj se është naivitet të mendosh me optimizëm për këtë gjendje.
A keni menduar ndonjëherë që do të merrnit ndonjë shuplakë (në kuptimin e parë të fjalës) nga ata që përpiqeni t’u shpëtoni jetën?
Që nga koha e Fakultetit kemi dëgjuar gjithmonë histori të tilla dhe madje mund të them që tashmë na është bërë si pjesë e punës!
Çfarë keni menduar ne momentin qe ka ndodhur ai incident?
Shyqyr që nuk kisha të bëja fare nga ana profesionale, sepse do më mbetej peng nëse ai incident do kishte ndodhur për shkak të veprimeve të mia profesionale.
Çfarë mendoni sot, a ka ndryshuar diçka në këndvështrimin tuaj lidhur me atë situate?
Pothuajse nuk e mendoj fare, unë ndërgjegjen time e kam të qetë, ndërsa agresorët i faltë ai që i ka kompetencat për ti falur.
Krahas ngarkesës emocionale që kanë qytetarët kur vijnë në urgjencë, çfarë e përkeqëson marrëdhënien e tyre me personelin mjekësor (kujtojmë se është një nga shërbimet ku ka më shumë incidente)?
Kryesorja është padija e popullatës, e dyta janë politikat qeverisëse denigruese ndaj mjekut, e treta pandëshkueshmëria e agresorëve, indiferentizmi i punonjësve mjekësor (95% e agresioneve nuk denoncohen fare nga bluzat e bardha).
Cili është roli i mjekut në marrëdhënien me pacientin kur paraqitet në shërbimin e urgjencës?
Roli i mjekut është minimal, pasi shpesh pacienti apo familjarët, apo ndonjëherë edhe persona pa lidhje fare me pacientin i fillojnë sharjet dhe dhunën verbale akoma pa hyrë në spital, akoma pa u përballur me personelin mjekësor. Shajnë veten e tyre!
Qytetarët janë të pabindur apo të painformuar (apo rrjedhojë e njëra tjetrës)?
Të dyja, janë të painformuar, janë të pabindur, por ka edhe një të tretë, janë përfitues. Pacientët janë të ndërgjegjshëm për këtë situatë amullie që ekziston dhe përpiqen që nëpërmjet presioneve të ndryshme të marrin shërbime mjekësore të pamerituara.
Doktor, sa ndikon organizimi i punës në urgjencë në këto situata që raportohen..
Organizimi ka pjesën e vet të barrës, por 95% është qasje e gabuar e pacientit ndaj shërbimit shëndetësor, të gjithë përpiqen të anashkalojnë sistemet e referimit në shërbimin shëndetësor
Çfarë duhet përmirësuar, që ju si mjek e propozoni për tu ri-parë nga politik-bërësit e shëndetësisë?
Urgjentisht duhet eleminuar slogani “mjekësi falas” pasi nuk ekziston fare si term në jetën reale. Është thjesht një terminologji demagogjike, por që është utopi për t’u implementuar në realitet, aq më tepër në një vend të botës së tretë siç jemi ne. Në këtë botë, gjithçka është kërkesë – ofertë, gjithkujt i duhet dhënë ajo çka meriton, nuk ka vend për përgjithësime.
Doktor, keni menduar ndonjëherë të largoheni nga Shqipëria?
Aktualisht jam në nivelin A2 të gjuhës Gjermane!
Çfarë keqkuptojnë njerëzit kur vjen puna tek “shëndetësia” ?
Praktikisht nuk ka gabime mjekësore (me dashje), mund të ketë paksa neglizhencë mjekësore, por shumica e ngjarjeve të pakëndshme në mjekësi ndodhin pasi organizmi i njeriut është aspak i parashikueshëm dhe ndryshon nga personi në person. Njeriu është një qenie multidimensionale (trup, mendje, shpirt), mjekësia konvencionale njeh vetëm 1/3, e si mund të pretendosh maksimalizma kur ke kaq pak njohuri. Mjekësia konvencionale është një praktikë empirike dhe simptomatike, aq më tepër në Shqipëri ku mungojnë shumë faktorë ndihmës, pra mjeku shqiptar përpiqet të bëjë aq sa ka mundësi me kushtet që i janë vënë në dispozicion, ndërsa kur gjykohen, gjykuesit vënë në përdorim protokollet e Mayo Clinic (klinika më e specializuar dhe më e modernizuar në botë) nga këtu lind i gjithë monstruoziteti pastaj. Njerëzit janë totalisht të painformuar, i shtohet kësaj edhe urrejtja patologjike ndaj punonjësve shëndetësor dhe krijohet një situatë që nuk ka Zot ta zgjidhë. Ideja është që, të gjithë janë të pakënaqur nga sistemi shëndetësor publik, janë të pakënaqur mjekët, janë të pakënaqur pacientët, janë të pakënaqur familjarët e tyre, është i pakënaqur i gjithë opinioni publik dhe ajo që është më e tmerrshmja është se askush nuk përpiqet të bëjë një përpjekje minimalisht për ta ndryshuar këtë situatë. Unë personalisht mendoj që situata sa vjen e përkeqësohet!