Elona Tereziu
Unë sot u dorëzova! Nuk dua më asnjë trajnim nga shteti, trajnimin ma kanë dhënë 30 vite punë. Dua të zbatohet ligji, dua të zbatohen rregullat që firmosin e vulosin ministritë! Edukatore Pranvera
Sipas një vëzhgimi të bërë nga Shoqata “Together for life”, në 43 kopshtet e Tiranës rezulton të ketë rreth 80 fëmijë me nevoja të veçanta (me spektër të autizmit dhe sindromën daun), 21 prej të cilëve të padeklaruar nga prindërit, por të identifikuar nga edukatoret.
Ndërkohë që në shumë prej tyre prania e psikologut (sipas caktimit) bëhet një herë në javë, në disa të tjerë thjesht figuron i emëruar.
Konkretisht, në kopshtin nr.56, Kopshtin Kodër Kamëz dhe Kopshtin Shkozë (pranë banesave sociale) psikologu mungon prej më shumë se 6 muajsh.
Dispozita normative për arsimimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara!
‘’Për ato edukatore që në grupet e tyre kanë fëmijë me nevoja të veçantë, duhet të kenë 3-5 fëmijë më pak’’.
Ky është një “akt nënligjor” që, sipas edukatoreve të kopshteve, por dhe vetë drejtueseve të këtyre institucioneve ekziston, u është komunikuar dhe duhet zbatuar. Ndërkohë që dispozitat normative për arsimin parauniversitar të vitit 2013, në nenin 97 pika 1, saktësojnë:
“Sipas normës së përcaktuar nga ministri dhe vlerësimit nga komisioni pranë DAR/ZA-së, në klasat e zakonshme që kanë fëmijë me AK, punojnë mësuese ndihmëse”
Ndërkohë që neni sqaron se: “Kur nxënësi me AK nuk ka mësues ndihmës, detyrat e mësipërme janë për mësuesin e grupit/lëndor”.
Rrëfimi i edukatoreve:
Pranvera: Unë sot u dorëzova! Nuk dua më asnjë trajnim nga shteti, trajnimin ma kanë dhënë 30 vite punë. Dua të zbatohet ligji, dua të zbatohen rregullat që firmosin e vulosin ministritë!’’
“Rregulli thotë që për edukatoret të cilat kanë fëmijë me nevoja të veçanta në grup, duhet të kenë 5 fëmijë më pak. Sa kam unë?! Kam 43 fëmijë të regjistruar dhe më e pakta që më vijnë janë 33 fëmijë në ditë. Kam 1 fëmijë autik të deklaruar dhe tre të tjerë me spektër të lehtë autizmi. Me kë të merrem më parë? Me fëmijët parashkollorë që duhet t’i përgatis për klasë të parë, me fëmijët e grupit të dytë se e kam grup të përzier, apo me fëmijët me probleme?! Unë sot u dorëzova! Ju e patë vetë që parë kur thirra psikologun për ndihmë (një nga fëmijët me spektër të rëndë autizmi pësoi krizë). Kur nuk e përballoj dot unë, po ai fëmija 5-vjeçar që trembet?!
Luljeta, një tjetër edukatore, ngre po të njëjtin problem.
“Në të gjitha vitet e punës sime (30) unë kam kaluar vetëm katër fëmijë autikë. Ky është rasti i pestë dhe është invalid epsepsik që s’e kam fare idenë si duhet të merrem me të, sepse ndryshe është sindromi daun, ndryshe autizmi, e ndryshe epilepsia.
Mua më duhet edukatore ndihmëse patjetër në klasë, të paktën për ne që kemi fëmijë me probleme. Le të vënë këto të rejat (i referohet studenteve praktikante) dhe mësohen për vete dhe na ndihmojnë ne. Mua më sëmuret fëmija në klasë dhe ç’të bëjmë më parë, të merrem me të apo të qetësoj fëmijët e tjerë të cilët tremben/ ka dhe nga ata që fillojnë e qajnë.
Kur kemi ngritur zërin, qoftë për këto probleme, qoftë për kapacitetin që punojmë, na kanë thënë po deshe rri, po deshe ik.
A janë edukatoret e kopshteve të trajnuara për t’u kujdesur për fëmijët me nevoja të veçanta?
Drejtoresha e kopshtit nr. 20, Miranda Kokona, shprehet se stafi i saj është trajnuar disa herë nga qendra të ndryshme sociale, por që kjo nuk e justifikon mungesën e psikologut apo kujdestarit.
“Në përgjithësi stafi ynë është i trajnuar, kemi bërë herë pas here trajnime të ndryshme nga qendra sociale, plus këshillimit që na bën psikologja jonë. Megjithatë kjo nuk e justifikon praninë e psikologut në kopsht.
Ne kemi katër fëmijë të deklaruar me aftësi të kufizuara dhe i kam shpërndarë në të katër grupet, duke iu përafruar dhe moshës që ka caktuar psikologu, por që është shumë e vështirë të punosh me fëmijët e tjerë kur në grup ke fëmijë me nevoja të veçanta.
Anastasi Hoti: Puna e psikologut në kopsht duhet të jetë e përditshme!
Anastasi Hoti është psikologe klinike pranë kopshti nr.20. Veç punës në këtë kopsht, ajo rrëfen se asiston edhe në tre institucione të tjera. (Kopshti nr. 20, Kopshti nr.29, Shkolla Androkliko Stallari, Shkolla Servete Maçi).
“Në kopshtin që unë asistoj, konsiston që ka vërtet shumë raste që kanë nevojë të merren në mbikëqyrje. Këtu kemi fëmijë të sindromës daun, fëmijë të spektrit të autizmit (njëri prej të cilëve me autizëm të nivelit të theksuar), fëmijë me epilepsi, fëmijë me zhvillime të vonuara fizike që nuk arrijnë të bëjnë as lëvizjet më minimale.
Janë raste që kanë nevojë për mbikëqyrje dhe përkujdesje të veçantë. Çdo rast kërkon minimalisht 45 minuta trajtim, dhe një ditë në javë që vijmë ne këtu kuptohet se çfarë mund të bëjmë. Përveç kësaj mungon dhe baza materiale, sado që ne përpiqemi t’i sigurojmë dhe vetë disa gjëra, por të paktën në këtë kopsht ka një zyrë psikologu.’’
E pyetur nëse edukatoret e kopshteve janë të trajnuara sa duhet për t’u marrë me këta fëmijë, ajo shprehet: “Di që u kanë bërë disa trajnime, dhe unë vetë jam munduar t’i mbledh disa herë, por me të drejtë ankohen se u bëjnë vetëm teori dhe këtu nuk vjen t’u bëjë njëri praktikë që të dinë si të veprojnë kur përballen me këto raste.
Një edukatore nuk mund ta menaxhojë kurrsesi e vetme një klasë nëse në grup ka fëmijë me probleme. Fëmijë të tillë duhet të kenë patjetër një shoqërues që t’u rrijë gjatë gjithë kohës aty, dhe sigurisht psikologu duhet çdo ditë. Një praktikë e mirë do të ishte dhe caktimi i studenteve praktikante nëpër kopshte, çka do të sillte një përfitim të dyanshëm, por me sa di këtu tek ne nuk aplikohet”, përmbyll psikologja./ Shendeti.com.al
“Ky botim u realizua me mbështetjen e LëvizAlbania. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e LëvizAlbania”