Manjola Liko, mjeke kardiologe
Për shkak të epidemisë së obezitetit në fëmijëri, ka pasur një rritje të prevalencës së hipertensionit te fëmijët dhe adoleshentët. Obeziteti i lidhur me hipertensionin është ndër fenomenet më të përhapura te adoleshentët. Rreth 30% e adoleshentëve që janë obezë kanë luhatje të tensionit të gjakut ose hipertensionit. Për adoleshentët deri në 13 vjeç, nivelet e tensionit të gjakut luhaten mes 120 deri 129/<80 mm Hg. Faza e parë e hipertensionit është ≥130 deri 139/80 to 89 mm Hg, ndërsa faza e dytë është ≥140/90 mm Hg.
Obeziteti kontribuon në tensionin e lartë të gjakut. Megjithatë duhet thënë se mekanizmat psikologjikë që shkaktojnë tension të lartë të gjakut janë shumë të komplikuar, dhe jo të gjithë fëmijët që janë mbipeshë ose obezë janë hipertensivë, ashtu siç edhe fëmijët me peshë normale mund të kenë tension të lartë.
Për fëmijët që janë mbipeshë ose obezë është e nevojshme që të kryhen kontrolle të tensionit të gjakut. Trajtimi i parë i hipertensionit, i lidhur me obezitetin, është rënia në peshë duke bërë ndryshime në mënyrën e jetesës, si me dietën ushqimore dhe me aktivitet fizik. Edhe pse është e vështirë të arrihet, edhe një rënie e vogël në peshë mund të përmirësojë gjendjen. Dieta duhet të jetë e pasur në fruta, perime, fibra dhe produkte bulmeti të ulëta në yndyra, ndërsa duhet të pakësohet kripa. Monitorimi i rregullt i tensionit të gjakut është i nevojshëm për menaxhimin e hipertensionit të lidhur me obezitetin tek adoleshentët.
Diagnoza e hipertensionit tek adoleshentët
Hipertensioni është quajtur “ sëmundje e fshehtë” për faktin se sëmundja është e pranishme, por pacienti nuk është në dijeni të pranisë së saj. Adoleshentët obezë janë më të rrezikuar që të kenë hipertension të fshehtë krahasuar me të rinjtë me indeks normal të peshës trupore.
Rekomandohet matja ambulatore e tensionit të gjakut për të konfirmuar diagnozën e hipertensionit tek fëmijët që kanë luhatje të niveleve të tensionit të gjakut.
Përgjithësisht rekomandohen 3 vizita klinike për diagnozën e hipertensionit te fëmijët dhe adoleshentët, nëse pacienti është simptomatik.
Rezistenca ndaj insulinës dhe sindroma metabolike
Sindroma metabolike, si një grumbull i faktorëve të ndërlidhur, mendohet se në esencën e patogjenezës së saj e ka rezistencën ndaj insulinës dhe obezitetin visceral. Dy faktorë të tjerë, dislipidemia dhe hipertensioni, janë rrjedhojë e dy të parëve. Obeziteti dhe rezistenca ndaj insulinës janë shumë të ndërlidhura me njëri-tjetrin, prandaj është e vështirë për të folur për rolin mbizotërues në patogjenezën e sindromës metabolike. Obeziteti është i lidhur me pasoja të shumta negative shëndetësore, si sëmundjet e zemrës, diabeti, hipertensioni, dislipidemia. Obeziteti sot konsiderohet si problem në rritje në gjithë botën, si rezultat i ndryshimit të stilit të jetesës dhe mënyrës së të ushqyerit të cilin e dikton jeta bashkëkohore.
Fëmijët obezë kanë një rrezik më të lartë për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare: ata kanë nivele të larta të tensionit sistolik dhe diastolik të gjakut dhe evidencë më të lartë të dislipidemisë dhe rezistencës ndaj insulinës. Rreth 70% e fëmijëve obezë kanë të paktën një faktor rreziku të sëmundjeve kardiovaskulare, ndërsa 39% kanë 2 ose më shumë. Këta faktorë rreziku, së bashku me obezitetin, nuk lidhen vetëm me sëmundjet e zemrës në fëmijëri (ateroskleroza dhe hipertrofi të ventrikulit të majtë), por lidhen gjithashtu me një rritje të prevalencës së faktorëve të rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare te adoleshentët – duke rritur kështu rrezikun e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare.
Indeksi i masës trupore (BMI), i cili përllogaritet nga matja e gjatësisë dhe peshës, është raporti peshë në kilogramë pjesëtuar me gjatësinë në metra katrorë (kg/m2).
Trajtimi i hipertensionit të lidhur me obezitetin te fëmijët
Hapi i parë që duhet ndërmarrë për trajtimin e hipertensionit të lidhur me obezitetin duhet të jetë arritja e një peshe normale të trupit. Krahas vlerësimit të statusit ushqimor, duhet përfshirë edhe vlerësimi i stilit të jetesës.
Rekomandohet rënia në peshë për fëmijët mbi 6 vjeç nëse BMI është në kategorinë e obezitetit dhe mbajtja nën kontroll e peshës nëse BMI është në kategorinë e mbipeshës. Rënia në peshë është sidomos e rëndësishme për fëmijët që vuajnë nga hipertensioni i lidhur me obezitetin. Studime të ndryshme të kryera te fëmijët mbipeshë dhe obezë të grupmoshës 6-16 vjeç kanë treguar efektshmërinë e rënies në peshë te fëmijët me tension të lartë të gjakut. Të gjitha këto studime kanë përfshirë dietën, aktivitetin fizik, edukimin dhe sesionet këshilluese, dhe kanë treguar një rënie të nivelit të hipertensionit sistolik përgjatë një periudhe prej 5-12 muajsh.
Ndryshimet në dietë kanë gjithashtu një aspekt tjetër i rëndësishëm në ndryshimet e mënyrës së jetesës të nevojshme për të trajtuar hipertensionin e lidhur me obezitetin.
Rekomandohet:
- Rritja e konsumimit të perimeve dhe frutave të freskëta, si dhe produktet e bulmetit të ulëta në yndyra.
- Pakësimi i karbohidrateve, yndyrës dhe sheqernave të përpunuara.
- Kufizimi/shmangia e pijeve të ëmbëlsuara me sheqer
- Rritja e konsumimit me përmbajtje të lartë të fibrave dietike (mosha + 5 = gramë/ditë deri në 14 g/1000 kcal).
Këto ndërhyrje dietike kanë rezultuar në rënie të niveleve të tensionit të gjakut te të rriturit.
Aktiviteti fizik gjithashtu është i rëndësishëm për rënien në peshë dhe përmirësimin e shëndetit kardiovaskular.
Çdolloj aktiviteti fizik është i dobishëm, ku mund të përfshihen ushtrime aerobike, vrapim, ecje, ushtrime të kombinuara. Rekomandohet aktivitet fizik i moderuar me 30-60 minuta për të paktën 5 ditë në javë. Për adoleshentët obezë, rekomandohet që rritja e aktivitetit fizik të bëhet gradualisht për të shmangur lëndimet. Adoleshentët obezë nuk duhet të mënjanohen gjithashtu nga programet sportive./ Shendeti.com.al