Kryefaqja Box 6 Psikolog në shkollë apo shkollë edhe me psikologë

Psikolog në shkollë apo shkollë edhe me psikologë

0
Shpërndaje

Denata Toce

Psikologu shkollor në shkollë është pjesë e shërbimit psikologjik brenda shkollës, shërbim i cili është i udhëhequr prej tij dhe i përbërë VETËM prej tij. Parimisht do të duhet të kishte dhe aktor të tjerë pjesëmarrës si punonjësi social p.sh, por ky është një “lluks” i tepruar përballë realitetit të hidhur. Ky realitet na ka treguar se ka jo vetëm një psikolog në shërbimin psikologjik, por ka VETËM një psikolog për minimalisht tre shkolla. Ndërkohë një normativa ligjore e vitit 2013, neni 45 thotë: “Njësia përbëhet nga psikologë dhe punonjës socialë, numri i të cilëve përcaktohet sipas normave për nxënësit e institucioneve arsimore publike.” A mendoni se psikologët e shkollave sot janë të mjaftueshëm sipas normave të nxënësve? Në të vërtetë, psikologu sot, endet në shkollat e Tiranës dhe qyteteve të tjera, sikur të ishte faturues dritash, ku në mënyrë sasiore tregon punën e kryer mbi fëmijët, prindërit dhe mësuesit që ka takuar. Dikush prej psikologëve, kolegë të mi, të pasionuar pas punës së tyre, mundohet cilësisht të sjellin më të mirën për të ngritur dhe mirëmbajtur këtë shërbim. Ata meritojnë një BRAVO! të madhe. Por pyetja ime është: A mjafton vetëm një psikologë për t’i asistuar gjithë shkollës bashkë dhe a mjafton vetëm një psikolog për t’i asistuar tre shkollave së bashku? Cilësisht probleme si këto do të anashkaloheshin pa dashur, pasi sistemi i ngritur është i mbrapsht që prej fillimit të kësaj praktike të cunguar duke i lënë psikologët shkollore të ndjehen të paaftë për t’ia dalë mbanë.

Funksioni i psikologut shkollor

Ja çfarë thuhet për rolin dhe funksionin e psikologut ne shkollë: “Psikologu, në shërbimin që ofron, njihen si personi ky në veprimtarinë arsimore në të gjitha institucionet shtetërore të edukimit. Veprimtaria e tij zhvillohet në lidhje dhe bashkëpunim të ngushtë me stafin pedagogjik dhe drejtues të shkollës, me prindërit dhe komunitetin, ku ndodhet shkolla. 

Qëllimi kryesor i punës së specialistit të shërbimit psikologjik në shkollë fokusohet në promovimin dhe zhvillimin mendor e fizik të nxënësve si dhe në ndihmesën dhe mbështetjen që jep për rritjen e cilësisë së procesit të mësimnxënies dhe mësimdhënies. Specialisti i shërbimit psikologjik bashkëpunon me personelin administrativ dhe pedagogjik për konceptimin dhe realizimin e shërbimeve që lidhen me vlerësimin e rezultateve të nxënësve, me orientimin e karrierës dhe me zhvillimin social dhe personal të nxënësve. Detyrat e tij shtrihen në proces këshillimi të stafit pedagogjik, këshillimit të nxënësve individualisht dhe në grup, përpilimin e planeve të ndërhyrjes si nga mësues-nxënës dhe aktorëve të tjerë pjesëmarrës, bashkëpunon me shërbime të ndryshme dhe referon kur është e nevojshme. Gjithashtu, psikologu shkollor merr pjesë në edukim profesional të vazhduar, që të jenë në koherencë dhe të përditësuar me literaturën e praktikën bashkëkohore.” (FAGAN, THOMAS K., and WISE, PAULA S., 2000)

Përshkrimi i mësipërm, qartëson detyrën e psikologut shkollor si një shërbim që ndodhet kaq pranë nevojave të fëmijëve, dhe mbi të gjitha promovojnë cilësinë me të cilin do të duhet të vij ky shërbim. Por më thoni ju, fëmijë, prindër, mësues, kolegë dhe qytetarë të tjerë, a është ky profesionisti që njohim ne nëpër këto institucione edukimi? A shikojmë ne të jetë kaq pranë nevojave të fëmijëve tek prezenca e bullizmit, gjithëpërfshirës në dallimet që ka midis nxënësve me nevoja të veçanta apo me AK (aftësi të kufizuar), episode e sjelljeve problem, vështirësitë tek fëmijë të grupeve sociale të varfër apo me dinamika të ndryshme social-familjare, dhe të tjera si këto, profesionistin që duam? Sigurisht që jo! Edhe pse me vullnetin apo zellin e mirë të një psikologu shkollor, nevoja për trajnime të vazhduara, që prej fillimit të këtij misioni qëllim-mirë, vënia në dispozicion të punës së psikologut në ndërtimin e shërbimit dhe të profesionistëve të tjerë që mbulojnë problematikën në terren siç është punonjësi social, sigurimi i burimeve njerëzore në ndërtimin e këtij shërbimi psikologjik specifikisht të kualifikuar dhe jo mësues historie apo biologjie, apo sociologjie, mbi të gjitha, mjaft me psikologë shkollorë që enden sa në një shkollë në tjetër duke humbur mundësinë edhe më të pakët post problemeve të tjera, për të siguruar një shërbim cilësor dhe të vazhduar, por thjesht sa konstatojnë problemet, ose ku ndoshta edhe kjo e fundit nuk ndodh.

Si përfundim, mendoj se do të kemi ende fëmijë në shkollë në nevojë të dëshpëruar për t’ia dalë suksesshëm në rrugëtimin e tyre të edukimit, që janë vulnerabël ndaj shumë faktorëve social-kulturor, që janë pre e kësaj shoqërie mjerisht e rrafshuar në thepin e tranzicioneve të njëpasnjëshme politike dhe rrjedhimisht sociale, e ku i përplas individët të kërkojnë për më mirë, ndaj dhe fenomeni i lëvizjeve demografike, prezencës së varfërisë, prezencës së diversiteteve kulturore e krahinore, do të jenë pranë nesh, dhe pritet prej një profesionisti, që këto vështirësi, dinamika të cilat i kalojnë fëmijët të cilët përballen me një rutinë sociale të përditshme, të jenë sa do pak të amortizuara për një të ardhme sa më të shëndetshme të tyre. “Premtoj” se nuk ka fëmijë të këqinj, të paedukuar, të zhurmshëm, të ndrojtur, të dobët, të paaftë, të padenjë, katundar, malok, jugor, etj. Thjesht ka fëmijët të cilët janë të ndryshëm dhe unik, sikundër e kam shkruar edhe në një prej artikujve të mi në këtë rubrikë. Një mësues dhe psikolog i drejtë, human dhe profesionist, kryen një punë direkte dhe indirekte për t’i “zbutur” këto dallime dhe për t’i njësuar me kërkesat që ka një proces edukimi.

Motivimi, ky është çelësi i çdo fëmije për të qenë i sigurt se do t’ia dalë. Ky motivim do të duhet të mbahet nën vëzhgim dhe i kuruar kujdesshëm prej mësueseve dhe mbi të gjitha prej profesionistëve të shërbimit psikologjik në shkollë. Bashkëpunimi midis aktorëve mësues, psikolog dhe prind, është trio, harmonia e të cilës arrihet me vullnetin e mirë dhe mbështetjen e sistemi të edukimit që aderon një shoqëri më të mirë, dhe jo të mbuluar prej “egoizmit për mbijetesë” që po karakterizon gjithnjë e më tepër shoqërinë tonë. Pra, sot ia dolëm, kismet nesër! Ndërkohë që nesër, varet e gjithë ndërgjegjja jonë kolektive, i gjithë morali jonë social, dhe për kolegët e mi, morali profesional!/portalishkollor

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here