85 HEC-e në Librazhd?! Banorët pa ujë!

Takim me Prefektin, ElbasanShqetësimi për ndërtimin e HEC-eve pa fund në zonën e Librazhdit po sjell shkatërrimin e parkut kombëtar, si dhe banorët po ndiejnë që tani pasojat e këtyre ndërtimeve

Alisa Peçi

Në vazhdën e fushatave ndërgjegjësuese për të mbrojtur parkun Kombëtar Shebenikë –Jabllanicë nga një dyndje e frikshme e licencave që janë dhënë për HEC-e, rrjeti mjedisor “ECIM” zhvilloi më 5 dhjetor 2013 një takim me prefektin e Qarkut Elbasan,  Arben Kamani. Ndonëse që nga viti nga viti 2008, me vendim të Këshillit të Ministrave Parku u shpall zonë e mbrojtur, fatkeqësisht në realitet shikojmë që ai nuk është mbrojtur.

Rrjeti shprehu shqetësimin se është një dëm kolosal që po i shkaktohet natyrës dhe zhvillimit të turizmit në këtë park. Parku gëzon një status të veçantë pikërisht për bukuritë përrallore që të ofron, për larminë e biodiversitetit që i jep vlera unike këtij parku. Ndërsa në fakt këto burime po shfrytëzohen keqmas dhe jo në dobi të komunitetit.

Sipas Xhemal Matos, “Parku Shebenikë Jabllanicë përbën shembullin më kritik dhe më të rëndë në tërë Shqipërinë, sepse janë dhënë më shumë licenca për HEC-e se në çdo zonë tjetër. Ndërsa një HEC në vetvete mund të mos përbëjë problem, pasi nga pikëpamja e vlerësimit mjedisor mund të jetë në rregull, disa HEC-e në një burim sjellin një efekt akumulativ, me pasoja tepër të dëmshme në bujqësi, biodiversitet dhe turizëm. Ky park është pasuria më e madhe e Librazhdit dhe është pikërisht ky park ai që do t’u sjellë realisht të ardhura banorëve të Librazhdit”.

Në këtë kuadër janë zhvilluar takime të ndryshme me komunitetin për t’i informuar dhe ndërgjegjësuar mbi pasojat katastrofale që do të sjellë ndërtimi i rreth 85 HEC-eve në rrethin e Librazhdit. Ajo që është më shqetësuese, është fakti se 45 licenca për HEC-e përfshihen në Parkun Kombëtar Shebenikë-Jabllanicë, disa prej të cilave kanë filluar të ndërtohen.

Komuniteti ka filluar të ndërgjegjësohet dhe të zgjohet duke zhvilluar protesta, pasi  ka filluar që tani t’i ndiejë pasojat e mungesës së ujit të pijshëm. Imagjinoni ç’do të ndodhë nëse do të ndërtohen të gjitha HEC-et?!

Pyetjes nëse komuniteti do të ketë më tepër dobi nga HEC-et apo zhvillimi turistik i zonës, Mato iu përgjigj: “Duhen bërë studime të integruara. Ndërtimi i HEC-eve është shumë i mirë për Shqipërinë, por ruajtja e parkut natyror për këtë zonë është një pasuri dhe vlerë shumë më e madhe. Edhe turizmi, edhe energjia janë të rëndësishme për zhvillimin e vendit, por duhet të jenë të ekuilibruara. Ky lloj zhvillimi  i bazuar vetëm në  energji nuk është i barazpeshuar dhe do të sjellë ndikim në zhvillimin që do të ishte më i miri për këtë rajon, ruajtjen e kësaj pasurie për turizmin”.

Takimi u mbyll me shprehjen e një gatishmërie nga ana e prefektit të qarkut Elbasan, Arben Kamani, për të bashkëpunuar me rrjetin “ECIM”. Kështu, me praninë edhe të prefektit, mbas disa ditësh do të zhvillohet një tjetër takim me kryetarët e komunave që përfshihen në Parkun Kombëtar Shebenikë-Jabllanicë dhe zonave përreth tij.

Postime të ngjashme

EUAR- veprim dhe reflektim për të njohur mjedisin
Ndryshimi i klimës mund të çojë në probleme të frymëmarrjes, rinitit alergjik dhe kollë kronike
Ndotja e ajrit po shkakton depresion, thotë një studim i ri
Koplik/ Mbetje të rrezikshme spitalore, mbuloheshin me dhe
Gati 50 milionë profesionistë shëndetësorë bëjnë thirrje për ajër të pastër për një shëndet më të mirë
Pesticidet po rrezikojnë bimët e kafshët
Mbetjet mjekësore: ana e errët e kujdesit shëndetësor
Për herë të parë në video bimët që “flasin” me njëra-tjetrën