Një pilulë eksperimentale duket se do të shkaktojë më shumë humbje peshe se sa trajtimet ekzistuese me injeksione, siç janë Ozempic, Wegovy dhe Mounjaro.
Ilaçi, i quajtur amycretin, bëri që njerëzit të humbasin 13% të peshës së tyre brenda tre muajve, më shumë se dyfishi i sasisë që vihet re me Ozempic dhe Wegovy.
“Kjo qasje duket emocionuese, nga të dhënat e kufizuara që kemi,” thotë Daniel Drucker nga Universiteti i Torontos në Kanada.
Rezultatet janë nga një provë e kontrolluar me placebo që zgjati tre muaj, kështu që është ende herët për të ditur se si amycretin krahasohet me ilaçet e tjera për efikasitetin dhe sigurinë afatgjatë, thotë Drucker, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim, por ka dhënë sugjerimet për prodhuesin Novo Nordisk, si dhe për kompani të tjera farmaceutike.
Ilaçi për diabetin Ozempic dhe ilaçi për humbjen e peshës Wegovy funksionojnë duke imituar një hormon të zorrëve të quajtur GLP-1 që shpërndahet zakonisht pas ngrënies. Ky hormon bën që njerëzit të ndjehen të ngopur, redukton oreksin dhe rrit lirimin e hormonit insulinë që rregullon nivelin e sheqerit në gjak.
Semaglutide çon në humbjen e rreth 15% të peshës së trupit pas një viti përdorimi, megjithatë, pesha pastaj qëndron në një pikë dhe njerëzit duhet të vazhdojnë injeksionet afatgjata ose pesha ka tendencë të rritet përsëri.
Një injeksion tjetër për humbjen e peshës u lançua vitin e kaluar, i quajtur Mounjaro, gjithashtu i njohur si tirzepatide ose Zepbound. Ky imiton GLP-1 dhe një hormon të tjetër të zorrëve të quajtur GIP. Mounjaro duket se çon në humbjen e rreth 21% të peshës gjatë vitit të parë.
Amycretin, megjithatë, imiton GLP-1 dhe një hormon tjetër të quajtur amylin, i cili duket se e bën më të fuqishëm – të paktën gjatë tre muajve të parë të trajtimit. Njerëzit që morën amycretin humbën 13% të peshës së tyre gjatë kësaj periudhe. Ata që morën pilulat placebo humbën 1%. Kjo është më shumë se shifrat ekuivalente për Wegovy dhe Ozempic, që janë 6%, dhe për Mounjaro, që është rreth 7.5%.
Një tjetër rezervë është që ilaçet që funksionojnë duke imituar hormonin GLP-1 janë përdorur për më shumë se një dekadë për të trajtuar diabetin tip 2 dhe, për këtë arsye, profili i sigurisë së këtyre ilaçeve është i njohur.
Kjo nuk është e njëjtë për ilaçet që imitojnë amylin, sepse siguria e këtyre ilaçeve nuk është e njohur aq mirë, pasi ato janë më të reja dhe duhet më shumë kohë për të grumbulluar të dhëna të plota mbi efektet anësore dhe sigurinë.
Novo Nordisk gjithashtu ka thënë se efektet anësore të amycretin ishin të ngjashme me ato të Wegovy, të cilat zakonisht përfshijnë të vjella dhe diarre, veçanërisht për ata që rrisin dozën shumë shpejt.
Të qenit në formë pilule do të ishte një avantazh i madh për ata që nuk pëlqejnë injeksionet, thotë Daniel Chancellor, analist global i biznesit farmaceutik. “Një pilulë orale është shumë tërheqëse.”
Përveç këtyre tre ilaçeve, ilaçe të tjera për humbjen e peshës që imitojnë hormone të tjera të zorrëve janë gjithashtu në zhvillim./Shendeti.com.al


