Një vajzë e mitur ka humbur jetën në QSUT në Tiranë, si pasojë e prekjes nga meningjiti akut.
Burime nga Spitali Rajonal Durrës bëjnë me dije se ditën e djeshme është paraqitur në gjendje të rëndë shëndetësore 17-vjeçarja me inicialet N.Ç. Në këto kushte ajo është dërguar urgjent për në Tiranë për një mjekim më të specializuar, por ka qenë e pamundur mbajtja e saj në jetë.
Dhe për shkak se meningjiti është ngjitës, mësohet se po trajtohen me profilaksi edhe familjarët e 17-vjeçares së ndjerë, si dhe personeli mjekësor që e trajtoi atë.
Ndërkohë, pritet përfundimi i analizave laboratorike në ISHP për të përcaktuar nëntipin e saktë të shtamit, gjë që do të ndihmojë në vlerësimin e rrezikut dhe ndalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje infektive.
Zyra Vendore e Arsimit në Durrës bën me dije për Top Channel se masa po merren edhe në gjimnazin “Leonik Tomeo,” ku mësonte 17-vjeçarja. Ambientet e shkollës do të dezinfektohen, ndërsa autoritetet shëndetësore po gjurmojnë personat që kanë pasur kontakte me të. Gjimnazistja humbi jetën në shërbimin infektiv të QSUT, pasi gjendja e saj u përkeqësua me shpejtësi.
Mjekët e spitalit të Durrësit, jashtë kamerave, kanë deklaruar se kjo formë e meningitit nuk ishte shfaqur prej kohësh në qytet. Autoritetet shëndetësore po hetojnë për të kuptuar burimin dhe për të parandaluar raste të tjera.
Ndërsa ka pasiguri dhe shqetësim në komunitet, Njësia Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Durrës nuk ka dhënë asnjë njoftim për media mbi masat e marra.
Sipas mjekëve, kjo formë e rëndë e meningitit shfaqet për herë të parë pas shumë vitesh në Durrës dhe rikthen vëmendjen te domosdoshmëria për forcimin e masave parandaluese në mbrojtje të shëndetit publik.
Meningjiti është një infeksion i membranave mbrojtëse që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore. Mund të prekë këdo, por është më e zakonshme tek foshnjat, fëmijët e vegjël, adoleshentët dhe të rriturit e rinj. Meningjiti mund të jetë shumë serioz nëse nuk trajtohet shpejt.
Infeksionet virale janë shkaku më i zakonshëm i meningjitit. Bakteret, parazitët dhe kërpudhat gjithashtu mund ta shkaktojnë atë. Ndonjëherë meningjiti përmirësohet brenda disa javësh pa trajtim. Por meningjiti gjithashtu mund të shkaktojë vdekje. Shpesh ka nevojë për trajtim të shpejtë me antibiotikë.
Kërkoni menjëherë kujdes mjekësor nëse mendoni se ju ose dikush në familjen tuaj ka meningjit. Për meningjitin e shkaktuar nga bakteret, trajtimi i hershëm mund të parandalojë komplikime serioze.
Kërkoni menjëherë kujdes mjekësor nëse ju ose dikush në familjen tuaj ka simptoma të meningjitit si:
- Ethe
- Dhimbje koke që nuk largohet
- Konfuzion
- Të vjella
- Qafë e ngurtë
Faktorët e rrezikut për meningjitin përfshijnë:
- Mosbërja e vaksinave. Rreziku rritet për këdo që nuk i ka bërë të gjitha vaksinat e fëmijërisë ose të të rriturve.
- Mosha. Meningjiti viral më së shpeshti shfaqet tek fëmijët më të vegjël se 5 vjeç. Meningjiti bakterial është i zakonshëm tek ata më të rinj se 20 vjeç.
- Të jetuarit në grupe. Studentët që jetojnë në konvikte, njerëzit në baza ushtarake dhe fëmijët në çerdhe dhe kopshte janë në rrezik më të madh të meningjitit meningokokal. Kjo është ndoshta sepse mikrobi përhapet shpejt nëpër grupe të mëdha.
- Shtatzënia. Shtatzënia rrit rrezikun e një infeksioni të shkaktuar nga bakteret listeria, e cila gjithashtu mund të shkaktojë meningjit. Infeksioni rrit rrezikun e abortit, lindjes së vdekur dhe lindjes së parakohshme.
- Sistemi imunitar i dobësuar. SIDA , çrregullimi i përdorimit të alkoolit, diabeti, ilaçet që ulin sistemin imunitar dhe faktorë të tjerë që ndikojnë në sistemin imunitar rrisin rrezikun e meningjitit. Heqja e shpretkës gjithashtu rrit rrezikun. Për njerëzit pa shpretkë, një vaksinë mund të ulë rrezikun.


