Rreziku i helmimit me akullore gjatë verës, mjekja ngre alarmin: Simptomat që nuk duhet të injoroni

Me nisjen e sezonit të verës dhe rritjen e konsumit të akullores, ekspertët e shëndetit publik po ngrenë alarmin për një rrezik serioz që lidhet me këtë produkt: helmimi nga akullorja. Një ushqim i dashur për të rritur e sidomos për fëmijë, po shihet gjithnjë e më tepër si një potencial burim toksik nëse nuk ruhet dhe prodhohet sipas standardeve higjieno-sanitare.

E ftuar në emisionin “7pa5” në Vizion Plus, mjekja Ilirana Agolli paralajmëroi për përmbajtjen e kimikateve të dëmshme në akullore, të cilat përdoren për qëndrueshmëri, ngjyrë dhe shije. Ajo përmendi komponentë si magnezium sulfat, potasium sorbat dhe polisorbat 80, që ndodhen në shumë produkte akulloreje industriale.

“Akullorja, ndonëse ruhet në temperatura të ulëta, mund të kontaminohet shumë lehtë nëse ka pasur ndërprerje në zinxhirin e ftohjes. Ky proces, shkrirja dhe ringrirja e produktit , e bën atë veçanërisht të rrezikshëm për konsum,” tha Agolli.

Mjekja theksoi se prindërit duhet të jenë shumë të kujdesshëm me akulloret që u japin fëmijëve, pasi organizmat e vegjël janë më të ndjeshëm ndaj ekspozimit kimik dhe bakterial, për shkak të sistemit imunitar ende të zhvilluar.

Simptomat që mund të tregojnë helmim nga akullorja përfshijnë:

-të vjella,

-diarre,

-dhimbje barku,

-marrje mendsh,

-lodhje dhe në raste më të rënda, edhe humbje ndjenjash.

“Ajo që nuk dimë, na dëmton më shumë. Sa më shumë informacion të kemi për produktet që konsumojmë, aq më mirë do ta mbrojmë shëndetin tonë dhe të fëmijëve tanë,” theksoi mjekja.

Ajo u bëri thirrje konsumatorëve të:

-shmangin akulloret që shiten në rrugë apo në ambiente me pluhur,

-lexojnë me kujdes etiketat dhe datat e skadencës,

-preferojnë shijet klasike si çokollatë dhe vanilje, të cilat zakonisht përmbajnë më pak ngjyrues artificialë.

Gjithashtu, ruajtja e akullores në shtëpi duhet të bëhet me kujdes. “Nëse merret akullore për ta konsumuar më vonë, nuk duhet mbajtur më shumë se një apo dy orë në frigorifer. Edhe në ngrirje, koha e ruajtjes duhet të jetë sa më e shkurtër,” rekomandon mjekja.

Për çdo shenjë helmimi, prindërit këshillohen të kontaktojnë menjëherë mjekun dhe të sigurojnë lëngje dhe ushqime të lehta për fëmijët. /vizionplus.tv

Postime të ngjashme

Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele