Pagesa të dyfishta te hemodializa, KLSH zbulon shkeljet me koncesionin që ka fituar kompania e Klodian Allajbeut: Mori para pa dhënë shërbime

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar shkelje dhe abuzime deri në pagesa të dyfishta në shërbimin e hemodializës, e cila është dhënë me koncesion nga shteti për pacientët me probleme renale në 5 qendra si Shkodër, Vlorë, Lezhë, Elbasan e Korçë.

Të pesta qendrat i janë dhënë me koncesion kompanisë Dia Vita në pronësi të biznesmenit Klodian Allajbeu, pronar edhe i spitalit privat Amerikan, i cili sipas auditit të ushtruar nga KLSH ka marrë pagesa nga shteti edhe kur nuk ka ofruar shërbim dialize.

KLSH ka publikuar rastin e një qytetari, i cili kryente seanca dialize në qendrën e koncesionit në Lezhë.

Pacienti rezulton se kishte ndryshuar vendbanim dhe shërbimin e dializës e ka marrë në një spital jo publik, i cili ka kontratë me Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe paguhet për këtë.

Por nga ana tjetër Fondi ka paguar edhe qendrën e Lezhës, ku qytetari e merrte më parë këtë shërbim. Auditi ka konstatuar se raportimet nga koncesionari për seancat e dializës janë bërë në bazë të projektimeve dhe jo seancave faktike të dializës që kanë kryer pacientët, duke bërë që në arkën e Allajbeut të depozitohen para nga buxheti i shtetit, edhe për shërbime të paofruara.

Në qendrat e hemodializës të koncesionarit auditi i KLSH ka konstatuar se nuk kishte të punësuar mjek nefrolog, me kohë të plotë të domosdosshëm për pacientët me probleme renale, por me kohë të pjesshme.

Po kështu nuk kishin një dietolog për ushqimin që duhet të kosumojnë pacientë në dializë.

Nga ana tjetër qendrat e hemodializës së koncesionarit nuk pranojnë pacientë me probleme renale akute, të cilët kanë nevojë për seanca dialize urgjente, por ata dërgohen njëherë në shërbimin e nefrologjisë në QSUT, duke shkaktuar sorollatje të pacientëve edhe në rastet kur kanë urgjencë.

Koncesioni i hemo-dializës, i cili u vlerësua nga shteti me vlerë fillestare 86 milion dollar, në 10 vjet ka të përcaktuar se në 4 vitet e fundit kompania koncesionare, në këtë rast Dia Vita duhet të investojë për blerjen e aparaturave të reja të hemodializës, që i mbeten si pasuri spitaleve publike në përfundim të kontratës.

Sipas raportit të KLSH ky investim as që ka nisur ndërkohë që kontrata përfundon në mars të vitit 2026.

KLSH raporton se qendrat e dializës së koncesionarit nuk janë monitoruar as për kostot dhe as për cilësinë e shërbimit që kanë ofruar.

Dhe kur kanë mbetur edhe pak muaj nga përfundimi i këtij koncesioni nuk ka një raport mbi kosto eficensën e tij./tch

Postime të ngjashme

Dietë apo aktivitet fizik? Cila është më e rëndësishme për rënien në peshë?
Zhvillime të mëtejshme në dizenjimin e barnave për trajtimin e infeksioneve virale
Kur duhet të kërkojmë ndihmë profesionale për humbjen e peshës?
Ethet e Nilit në Korçë, ISHP në terren pas konfirmimit të rastit të parë në Shqipëri. Hetime dhe depistim për parandalimin e infektimeve
A mund të kalojë diabeti i tipit 2 në remision pas humbjes së peshës?
Mjeku Tritan Kalo zbulon dy parazitët që “fshihen” në zorrë gjatë verës: Ja si dallohen dhe çfarë pasojash shkaktojnë
Si ndikon vaji i ullirit në ngopje dhe kontroll të oreksit
Konfirmohet rasti i parë i Virusit të Nilit Perëndimor në Shqipëri