Apendisiti, shenjat dhe diagnostikimi

Agron Domi, kirurg i përgjithshëm

Apendisiti si sëmundje kirurgjikale haset mesatarisht në 12% të burrave dhe 25% të grave. Përgjithësisht është sëmundje e moshave të reja, sepse 40% e rasteve hasen në kufijtë moshore nga 10 deri 29 vjeç. Frekuenca e operacionit për heqjen e apendiksit aktualisht është 10 për 10000 pacientë në vit.

apendisitiShenjat klinike të apendisitit janë:

-Dhimbja e barkut është shenja e parë dhe më e hasur. Ajo paraqitet si dhimbje mesatarisht e fortë deri e fortë, e qëndrueshme në intensitet dhe kohëzgjatje nga 1 – 12 orë, mesatarisht 6 orë. Vendosja e dhimbjes është në pjesën e poshtme të barkut, kryesisht djathtas, por edhe në fundin e barkut dhe karakteristike është se ajo aty mbetet.

Megjithatë, edhe lokalizimi i dhimbjes është i lidhur ngushtë me variacionet si të vendosjes së apendiksit, ashtu edhe shkallës së infektimit të tij.

-Humbja e oreksit, e cila është e pandarë thuajse nga dhimbja. Pacientët e identifikojnë këtë si largim të dëshirës për të, ndërkohë që më përpara kanë pasur oreks.

-Të vjellat hasen në 75% të pacientëve, por nuk janë konstante, sepse mund të jenë edhe thjesht të përziera.

-Temperatura trupore mund të jetë e rritur lehtësisht.

-Përkeqësimi i gjendjes së përgjithshme

Mënyra e diagnostikimit

Natyrisht që ndihmesë të madhe jep marrja me kujdes e historisë së sëmundjes nga i sëmuri duke këmbëngulur në çdo detaj, sidomos të fillimit të saj.

Gjetjet laboratorike janë të rëndësishme, sidomos analiza e gjakut për rruazat e bardha, të cilat luhaten nga 10000 deri 18000, madje në rastet e komplikuara mund të shkojë edhe mbi këtë shifër.

Analiza e urinës ka rëndësi më tepër përjashtuese.

Ndihmë të konsiderueshme sot japin ekzaminimet radiologjike, ku e para vjen ekoja e barkut, e cila tregon përmasat e apendiksit, trashësinë e mureve të tij, praninë e lëngut ose edhe qelbit të lirë në bark, si dhe raportet e apendiksit të infektuar me organet afër tij. Ekoja e barkut vlerësohet se e vendos diagnozën në 55 – 96% të rasteve.

Radiografitë e drejtpërdrejta të barkut japin ndihmesë për përcaktimin e një pamje të përgjithshme të barkut në rastet kur dyshohet për apendisit.

Më përparimin e teknologjisë mjekësore, sot përdoret gjerësisht ekzaminimi skanerik i barkut me pajisje skanerike me rezolucion të lartë duke përdorur ose jo kontrast. Ekzaminimi skanerik i kujdesshëm jep të dhëna mjaft të vlefshme për apendiksin, si dhe për raportet e tij me zorrën e trashë dhe me atë të hollën.

Po kështu, skaneri është sot një mënyrë e shkëlqyer përcaktimi dhe identifikimi e një grumbulli sëmundjesh të tjera që, ose fshehin apendisitin, ose kanë shenja klinike si ky i fundit.

Duhet thënë se asnjë nga shenjat e mësipërme të marra veçmas nuk e vë diagnozën e apendisitit, po kështu edhe metodat e diagnostikimit kanë përqindjen e vet të gabueshmërisë dhe diagnoza e saktë vendoset vetëm kur kombinohen marrja e historikut të kujdesshëm të sëmundjes nga vetë pacienti me shenjat klinike të sipërpërmendura, të dyja këto të plotësuara nga pozitiviteti i analizave laboratorike dhe ekzaminimeve imazherike.

Postime të ngjashme

Mjeku Sotiraq Lako: Preparatet me bazë hekuri për mjekimin e anemisë
Përfitimet e lëngut të Aloe Verës për shëndetin: Çfarë thotë shkenca
Testi i thjeshtë që zbulon në pak minuta nëse një fëmijë ka autizëm
Era e trupit, kur sinjalizon probleme shëndetësore
Anemia, rrezik i fshehtë për shëndetin! Simptomat që nuk duhet t’i injoroni
Paralajmërim për ata që vuajnë nga astma: Përdorimi i inhalatorëve në kohë të caktuara të ditës mund të rrisë rrezikun e sulmit
Artriti: Shenjat dhe simptomat e zakonshme
Anemia, një problem mjekësor i keqvlerësuar dhe i keqmjekuar