Mjekja endokrinologe Bariola Duro, e ftuar në ciklin e podcasteve “Obeziteti, le të flasim për të”, ka shpjeguar nëse për rënien në peshë është më i rëndësishëm aktiviteti fizik apo dieta.
Sipas saj, të dyja janë të rëndësishme dhe duhet të funksionojnë së bashku, pasi nuk duhet të shihen si alternativa ndaj njëra-tjetrës.
“Këta janë dy komponentë që nuk duhet të jenë asnjëherë në garë me njëri-tjetrin, por duhet të jenë në bashkëpunim që të arrijnë qëllimin final që është rënia në peshë”, shprehet Duro.
Në fazën e parë, dieta mund të duket më e rëndësishme për humbjen e peshës, pasi reduktimi i kalorive përmes ushqimit mund të jetë më i lehtë sesa djegia e tyre përmes aktivitetit fizik.
Megjithatë, aktiviteti fizik ka përfitime që shkojnë përtej rënies në peshë. Ai ndihmon në përmirësimin e rezistencës ndaj insulinës dhe në uljen e rrezikut kardiovaskular.
Sipas mjekes, aktiviteti fizik bëhet veçanërisht i rëndësishëm në afatgjatë, kur qëllimi është ruajtja e peshës së humbur, një nga fazat më të vështira për pacientët.
“Dieta dhe aktiviteti fizik janë të dyja paralelisht për të arritur qëllimin final. Nuk duhen parë se cila është më e rëndësishme se tjetra”, thekson Duro.

