Blertina Koka, gazeta “Shëndet+”
Numri i fëmijëve të lindur me defekte në kokë në Brazil po rritet për shkak të përhapjes së një virusi të quajtur “Zika”. Ky virus kalon nga nëna tek fëmija gjatë periudhës së shtatzënisë.
Foshnjat e lindura me këtë defekt kanë kokë më të vogël se normalja dhe truri i tyre nuk zhvillohet normalisht. Disa fetuse mund të abortohen dhe shumë të tjerë vdesin gjatë lindjes ose jetojnë shumë pak. Ata që arrijnë t’i mbijetojnë kësaj sëmundjeje, vuajnë nga problemet shëndetësore dhe të zhvillimit.
Sipas autoriteteve braziliane, që nga tetori e deri tani janë shënuar 3893 raste. Ky numër mund të rritet edhe më shumë në ditët në vazhdim. Autoritetet shëndetësore kanë nisur punën për zbulimin sa më parë të vaksinës.
Ndërkohë, për momentin, mënyra më e mirë për të parandaluar transmetimin e virusit është qëndrimi larg ujërave të ndenjura ku rriten instektet.
Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjes po i këshillojnë gratë shtatzëna të shmangin udhëtimet në Brazil dhe në disa shtete të tjera amerikane ku është shfaqur virusi Zika.


