Ka disa kushte që çojnë në krijimin e gastritit dhe në kalimin e tij në gjendje më të rëndë. Mjeku Ilir Kajo shpjegon për “Shëndet+” lidhur me masat që duhet të marrim për t’u kujdesur për shëndetin tonë
Aishe Thartori
Funksionet e stomakut janë të shumta dhe sigurisht ai tretës është lehtësisht i njohur dhe i perceptueshëm prej çdokujt. Stomaku nëpërmjet sekrecioneve të tij si acidi klorhidrik dhe pepsina bën të mundur tretjen e ushqimeve që konsumojnë gjatë përditshmërisë sonë. Shpeshherë për shkak të kequshqyerjes, kapërcimit të vakteve, mungesës higjieno-sanitare apo abuzimit me alkoolin prishet balanca në brendësi të stomakut dhe për rrjedhojë shpeshherë prekemi prej patologjive të ndryshme. Një ndër patologjitë që haset gjerësisht në popullatë, është edhe gastriti. Për të folur rreth gastritit, mënyrës sesi shfaqet ai, kë prek dhe si kurohet mjeku gastroenterolog pranë Spitalit të Traumës prof. asc. Ilir Kajo në një prononcim të dhënë për gazetën “Shëndet Plus” pohon se stomaku në organizëm luan rolin e një “rezervuari”, i cili vazhdimisht përpunon produktet ushqimore. Sipas gastroenterologut, mpleksja e një morie faktorësh dhe mosfunksionimi i mirë i tyre shpeshherë prishin balancat në brendësi të stomakut, duke sjellë për pasojë patologji të ndryshme siç është gastriti.
Doktor, çfarë është gastriti?
Gastriti është një sëmundje e cila prek cipën e stomakut ose atë që në terminologjinë mjekësore quhet mukozë. Pikërisht inflamacioni i mukozës së stomakut sjell gastrit.
Cilat janë format e shfaqjes së gastritit?
Gastriti shfaqet në dy forma: në gastrit akut dhe kronik. Në rastet kur inflamacioni zgjat deri në gjashtë muaj kemi gastrit akut, ku inflamacioni zgjat mbi gjashtë muaj atëherë kemi gastrit kronik. Tek gastriti kronik, i cili nënkupton vijueshmërinë mbi 6 muaj të inflamacionit në mukozën e stomakut, shkak për krijimin e tij bëhet prishja e ekuilibrit midis faktorëve agresivë (acidi klorhidrik dhe pepsina që janë lëndë që prodhon stomaku) dhe faktorëve mbrojtës të cipës së stomakut. Në momentin e prishjes së këtij ekuilibri krijohet gastriti kronik. Vetë muri i stomakut ka katër shtresa dhe nga gastritet preket vetëm shtresa e parë. Në rast se preken edhe shtresat e tjera, atëherë nuk ka më gastrit, por kemi patologji të tjera, të cilat do t’i trajtojmë më vonë.
Pse krijohet gastriti?
Shkak për krijimin e gastritit bëhet helikobakteri pylori (virus) të cilin njeriu e merr në rrugë orale (nëpërmjet gojës) me anë të ushqimeve. Ky virus, sipas statistikave botërore, prek rreth 50 % të popullatës mbi moshën 50-vjeçare. Sa më të ulëta të jenë kushtet hijeno-sanitare të një vendi, aq më shumë rritet mundësia për t’u prekur nga gastriti. Virusi helikobakteri pylori prish elementet e barrierës mbrojtëse të mukozës së stomakut, duke bërë të mundur që acidi klorhidrik të penetrojë në qelizat e stomakut dhe të japë gastrit. Ky bakter nuk është përgjegjës vetëm për gastritin. Në fakt, OBSH e ka klasifikuar edhe si përgjegjës për ecurinë e gastritit drejt ulçerës dhe kancerit të stomakut në rast se gastriti nuk kurohet. Nisur nga këto fakte, lind nevoja e diagnostikimit sa më të hershëm dhe trajtimit të tij me ato mënyra të sakta dhe bashkëkohore që janë aktualisht edhe në Shqipëri.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e 16 shkurtit të gazetës “Shëndet+”)


