Përshtati në shqip për “Shendeti.com.al”: Blertina Koka
Edhe pse e dinë që duhani dëmton shëndetin, shumica e duhanpirësve janë të pavetëdijshëm për elementet toksike që përmban një cigare, përveç nikotinës. Një studim i ri ka zbuluar se shumica e tyre nuk e kanë idenë se çfarë kimikatesh thithin.
“Nga 7000 përbërës të cigareve, 93 prej tyre në mënyrë të veçantë janë mjaft toksikë”, shprehet dr. Kurt Ribisl nga Qendra e Kancerit në Universitetin e Karolinës së Veriut në SHBA.
“Është shumë e habitshme se si kaq pak njerëz kanë dëgjuar për to, edhe pse shumica prej tyre ishin të interesuar të dëgjonin më shumë rreth tyre” deklaroi Ribisl gjatë një interviste të dhënë për prestigjiozen “Reuters”.
Mesazhi më i thjeshtë dhe më i mirë për të lënë duhanin, sipas tij, është të listohen përbërësit kimikë që përmban duhani dhe efektet e tij shëndetësore. Për shembull, duhani përmban arsenik, që shkakton dëmtim të zemrës dhe kancer në fyt.
Ribisl dhe kolegët e tij anketuan gati 5000 amerikanë me telefon. Gati një e katërta e të anketuarve raportuan se ishin duhanpirës, pjesa më e madhe të cilëve ishin duhanpirës të rregullt.
Hulumtuesit zgjodhën 24 kimikate të dëmshme në cigare dhe i ndanë në gjashtë grupe me nga katër. Çdo pjesëmarrës iu përgjigj pyetjeve në lidhje me një grup prej katër kimikatesh, të zgjedhur në mënyrë të rastësishme.
Më shumë se një e katërta e të anketuarve thanë se do të kishin dashur të shfaqeshin më shumë informacione mbi paketat e cigareve.
Vetëm 8% e të anketuarve dinin të paktën 3 nga 4 kimikatet për të cilat u pyetën.
“Shumë njerëz kërkojnë informacione për përbërësit e duhanit, por nuk kanë ku t’i gjejnë”, thotë dr. Reinskje Talhout, nga Instituti Kombëtar për Shëndetin Publik dhe Mjedisin tek Qendra për Mbrojtjen e Shëndetit në Holandë.
“Nëse njerëzit do të dëgjonin rreth këtyre përbërësve, do të shokoheshin”, shton ajo.
Tek faqja zyrtare e Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave mund të gjeni listën e plotë të këtyre kimikateve të dëmshme për shëndetin (lexo këtu).
Burimi: Reuters / https://shendeti.com.al/


