Kutia e zezë e tragjedive mjekësore

-Përtej rastit të fundit me nënën e re Aida-

Nga Isuf Kalo

Ja pra, kaq ishte. Si gjithmonë. Zgjati vetëm tre-katër ditë. Pastaj heshtje, harrim. Familjarët e Aidës, gruas së re shtatzënë dhe Aurorës, foshnjës në bark të saj që humben të dyja tragjikisht jetën në Maternitetin “Koço Gliozheni” të Tiranës u shokuan, qanë, shanë. U ankuan. E u zhgënjyen. Pastaj të dërrmuar varrosën, me dhimbje e lot dy të dashurat e tyre dhe pritën të hutuar, të trullosur ngushëllime. Ata mbase ende presin. Përveç fjalëve të ngrohta inkurajuese nga të afërmit e miqtë ndofta akoma presin diçka që as ata vet nuk e dinë se çfarë. Nga drejtësia? Nga shëndetësia? Nga qeveria?artikull

Po ne bashkëqytetarët e tyre, që fat i keq mund të na bëj një ditë si ata viktima mynxyrash të ngjashme, a duhet pasivisht vetëm të presim, të shpresojmë, apo do duhet të kërkojmë të ndërmerren masa konkrete të mundshme për të mbrojtur paraprakisht veten dhe të dashurit tanë? Sepse ngjarja që ndodhi nuk është e veçuar. As episod i rrallë. Ajo është aspekt i një fenomeni që haset jo rrallë në mjekësi. Me të po përballen kudo me seriozitet të madh si asnjëherë më parë sistemet shëndetësore. Fjala është për rreziqet, gabimet, pasigurinë dhe dëmet shëndetësore që u ekspozohen e pësojnë të sëmurët sidomos në spitale prej praktikës jo korrekte mjekësore.

Organizata Botërore e Shëndetësisë që prej vitit 2004 e ka vendosur rritjen e sigurisë për të sëmurët si një nga prioritet e saj’ Një Aleancë Botërore e posaçme për Sigurinë e pacientëve është iniciuar prej saj me objektiv minimizimin e rreziqeve, gabimeve dhe dëmeve të evitueshme ndaj të sëmurëve. Në të formalisht merr pjesë edhe shëndetësia jonë.

Kronologji e zezë

Ngjarja e përmendur më lart hyn në serinë e ashtuquajtur “Skandalistikë mjekësore”. Ajo ndodhi jo në ndonjë humbëtirë mes malesh, por në qendër të Tiranës, në kryeqytetin e vendit. Dhe jo në ndonjë ambulancë të braktisur fshati, por në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik ‘Koço Gliozheni’, një qendër kjo mjekuese pedagogjike dhe shkencore e “nivelit më të lartë”.

Gruaja shtatzënë erdhi aty me urgjencë në orët e natës me foshnjën ende gjalle në bark për një dhimbje që ndjente në gjoks. Dy mjekët roje specialistë me eksperiencë për shtatzëninë u ndodhën përpara një “enigme diagnostike” jo të zakontë për eksperiencën klinike të tyre. Përgjatë rreth 7 orësh vëzhgimi, analizash e përpjekjesh përkushtuese të tyre si dhe të kolegëve roje në dy spitale të tjera, atë të QSUT dhe atë të Pneumologjisë ku ata të dy e dërguan pacienten me ambulancë ulëritëse nëpër natë, diagnoza u evidentua vetëm kur ishte tepër vonë. Kur pacientja dhe foshnja e saj patën humbur jetën. Në fakt diagnoza ishte nga ato mjaft të rralla, “çarje e shpretkës”. Por realisht vdekja nuk ndodhi prej saj. Njerëzit mund të jetojnë me shpretkë të çarë, madje edhe fare pa të. Shkaku që u mori dy viktimave jetën ishte i mirënjohur që në lashtësi: Hemorragjia e brendshme e nënës. Vdekjet ndodhin shpesh prej saj në luftë, në aksidentet rrugore, apo dhe në shtëpi. Por rrallë në spital. Sidomos në një Spital Universitar të kryeqytetit.

Flakë e borë”

Kështu titullohej një këngë e jona e viteve ‘80. Ajo m’u kujtua tek ndiqja zhurmën kontradiktore publike që pasoi ngjarjen e mësipërme.

Gazetat, portalet, blogjet, kanalet tona TV u përdezën prej saj. “Mënxyra” të tilla janë ushqim i preferuar i tyre. Ato përpihen, gëlltiten e ripërtypen nga një numër i madh lexuesish. Të eksituara mediat zhurmuan me shkrime, intervista, debate me akuza mbi fakte reale apo të sajuara, me mllef dhe egërsi, me thirrje për dënime, vënie në pranga dhe mallkime për mjekët “fajtorë” (edhe pse ishin ende të pagjykuar). Kurse të tjerë miq, simpatizantë apo kolegë të tyre përkundrazi reaguan me shkrime e melodrama emocionale patetike e deri limonata solidariteti sentimental. Më pas si e velur me to, zhurma u mek. U platit. Flaka emocionale nisi të pakej nga dita në ditë. Tre, katër… derisa u shndërrua e u shua ngadalë. Në hi pa prush…

Reaguan domosdo dhe institucionet e organizmat shtetërore si dhe individë, mjekë, qytetarë, drejtues, akademikë. Secili prej tyre me opinione dhe qëndrime kritike të hidhura, ose përkundrazi, me fjalë të ëmbla ekzaltuese ndaj dy mjekëve protagonistë të spitalit ‘Koço Gliozheni’ si dhe ndaj mjekësisë tonë të sotme në përgjithësi. Disa si “benzinë” për ta shtuar flakën e bërë më vizibël ngjarjen. Edhe veten. Të tjerë përkundrazi si “ujë e akull” për ta shuar e zhbërë tragjedinë si jo domethënëse ose fare si e paqenë.

Ministria e Shëndetësisë nxitoi t’i hidhte ujë të ftohtë emocioneve. Bëri thirrje të qetësohen e të shuhen ato. Ajo u distancua nga përgjegjësia e hamendësuar me stilin e Pilatit: “E sëmura u transportua gjatë natës kudo me ambulancë dhe personel mjekësor (sikur kjo qenkej gjithçka që duhej!). Kemi vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin për ngjarjen. Le ta gjykojë drejtësia atë”.

Të tre spitalet universitare në Tiranë, ai “Koço Gliozheni”, QSUT Nënë Tereza dhe Spitali Universitar i Pneumologjisë të cilat padashur patën rol në këtë tragjedi duke ja pasuar njëri-tjetrit nëpër natë pacienten pa diagnozë si pingpong, u shfajësuan publikisht po ashtu. Ata qenkëshin specialistë e rrjedhimisht përgjegjës respektivisht ose vetëm për mitrën, ose vetëm për zemrën ose për mushkërinë, por asnjeri për shpretkën “fajtoren” e vërtetë (të ketë vallë diku specialist të posaçëm vetëm për të?!).

Ndërkohë hetuesia dhe prokuroria treguan dhëmbët. Ata arrestuan nxitimthi dy mjekët protagonist të maternitetit (për “të qenë brenda?”, për t’i qetësuar?, apo për t’i ndezur më tej emocionet publike?).

“Urdhri i mjekut” u vu mes “flakës dhe borës”. Bëri thirrje për përmbajtje dhe i kujtoi drejtësisë parimin e “prezumimit të pafajësisë” të dy kolegëve ende të pagjykuar. Dhe që atmosfera e konfliktualitetit të ekzagjeruar mjek-pacient të mos nxehej prej tyre më tej.

Kurse Komiteti Shqiptar i Helsinkit i cili gjeti edhe ai një kauzë në atë ngjarje, reagoi ashpër si ndaj mjekëve “fajtorë” dhe vetë Urdhrit që “po i merrte në mbrojtje të gabuar” ata. Organizata jo qeveritare, individë, qytetarë, apo mjekë kolegë sipas përjetimeve me mjekësinë tonë u shprehën disa pro fajësisë dhe disa kundra ndëshkimit të dy mjekëve në ngjarje. Dallimet në thelb evidentuan dy koncepte, ekuacione apo këndvështrime të ndryshme. Njëri se “shëndetësi = mjek” (mjeku bën mrekullinë, ai bën “qametin”, ai është heroi dhe fajtori); tjetri “shëndetësi = sistem” (sistemi të nderon, sistemi të turpëron. Gabon së pari sistemi pastaj mjekët).

isuf-kalo

Isuf Kalo

Përtej ngjarjes

Por tani që zhurma u shua, pasi ta ngushëllojmë sinqerisht edhe njëherë familjen fatkeqe le të hedhim qetësisht vështrimin tek thelbi i problemit e me gjerë e përtej asaj që ngjau. Ngjarje të tilla të bujshme me fund tragjik si e Aidës quhen në shkencën e sigurisë mjekësore “sentinel event”. Ato si drita e një rrufeje ndriçojnë në pak sekonda e na lejojmë të shquajmë përtej tyre rrethana e faktorë shkaktarë që mund të mos i kemi parë. David Rustein për to përdori në vitin 1970 për herë të parë termin “Vdekje e evitueshme”. Ai quajti kështu vdekjet që nuk do të ndodhnin “nëse kujdesi mjekësor do të ishte me cilësinë dhe në kohe e duhur”. Ato më pas u quajtën vdekje të parakohshme, ose vdekje për shkaqe të trajtueshme.

Në vendet e BE rastet e vdekjeve të evitueshme regjistrohen çdo vit në nivel kombëtar dhe i njoftohen me transparencë publikut (Franca 75/100 mijë pacientë në vit, Danimarka 106, Portugalia 132). Nga media jonë në vitin 2006 janë raportuar 54 raste vdekje të tilla, por monitorizimi dhe raportimi zyrtar i tyre për fat të keq tek ne mungon.

Në vitin 1996 Uesterling studioi shkaqet më të shpeshta të vdekjeve të tilla. Njëri në 51% të rasteve ishte mjekimi jo i duhur, në 45% diagnoza e gabuar a e vonuar. Në 34% edhe mangësitë e menaxhimit dhe koordinimit të kujdesit. Në rastin e Aidës mangësitë qenë njëherëshi në të treja aspektet: diagnostikimin, mjekimin dhe koordinimin e kujdesit.

Mjekësia si aviacioni

Vlera e studimit retrospektiv të tragjedive të tilla është e njëjtë me atë të aviacionit pas katastrofave ajrore që analizon informacionin e regjistruar në “Kutinë e zezë” e cila instalohet në mënyrë të detyrueshme në çdo avion. Ai informacion shërben jo për të justifikuar, as për të riparuar atë çka ndodhi, por kryesisht për të marrë masa më pas që defektet e konstatuara të minimizohen e mundësisht të evitohen dhe të mos përsëriten më në të ardhmen.

Spitalet siç dihet janë qendra jo vetëm shpëtuese të jetës, të shërimit nga sëmundjet, por (ndonëse mijëra fish më rrallë) edhe të dëmtimit pa dashje të shëndetit madje dhe të humbjes së parakohshme të jetës së pacientëve në to”.

Sa më shumë barna, ekzaminime, ndërhyrje delikate dhe teknologji të sofistikuar përdor mjekësia, aq më shume rreziqe potenciale e mundësi të reja gabimesh gjatë zbatimit tek të sëmuret mbartin ato. Si të gjitha betejat që kanë kosto e viktima njerëzore edhe mjekësia në përballjet e saj fisnike me sëmundjet “përbindëshat vdekjeprurës” ndaj jetës dhe shëndetit, nuk bën përjashtim.

E keqja është se spitalet tona ende nuk kanë “kuti të zezë” për të regjistruar dhe raportuar rreziqet, mangësitë e gabimet organizative, koordinuese kontrolluese dhe lajthitjet njerëzore gjatë ofrimit të kujdesit klinik mjekësor. Spitalet e vendeve të zhvilluara e kanë dhe e përdorin atë pa komplekse të fajësisë sepse pavarësisht nga rezultati i përfituar veprimtaria e tyre është gjithmonë qëllim mirë në dobi të jetës dhe shëndetit të pacientëve.

Në SHBA në vitin 2000 në dokumentin “Të gabosh është njerëzore” u pranua publikisht se një numër jo i vogël pacientësh vdesin në spitale çdo vit për shkak gabimesh mjekësore te evitueshme. Madje se vdekjet nga gabimet në atë vend aq të zhvilluar përbëjnë shkakun e tretë më të shpeshtë pas atyre për shkaqe kardiovaskulare dhe kancerit. Po kështu në vendete e BE pranohet se 10 % e pacienteve të shtruar pësojnë nga gabimet mjekësore çdo vit në to dëmtime të rënda shëndetësore të evitueshme.

Qasja e re ndaj gabimeve mjekësore

Gabimet në detyrë nga ana e personelit shëndetësor është filluar të vetëraportohen vullnetarisht çka shërben për të mësuar prej tyre dhe ndërtuar mekanizma parandalues që ato të mos përsëriten. Qasja e sotme ndaj gabimeve “të bardha” të paqëllimshme mjekësore nuk është ndëshkuese sepse kjo krijon në frikë dhe fshehje të gabimeve dhe humbje të mundësisë se korrigjimit e të minimizimit të tyre. Parimi modern është se “nuk është gabim të gabosh, gabim është fshehja e gabimit dhe të mos mësosh vetë dhe të tjerët prej tij”. Një ligj i posaçëm është në fuqi në disa vende të BE që i mbron specifikisht nga çdo ndëshkim ata punonjës mjekësor që raportojnë vullnetarisht gabimin.

Spektri i gabimeve të mundshme njerëzore në praktikën mjekësore është i larmishëm e i njohur. Po ashtu dhe rrënjët apo shkaqet favorizuese të tyre. Rreziqet specifike shëndetësore në ambientin dhe veprimtarinë spitalore gjithashtu. Gabimet janë individuale, kryesisht të natyrës njerëzore (sepse edhe stafi mjekësor përbëhet nga njerëz me mish, gjak, nerva e me mangësira e dobësira si gjithë të tjerët). Por gabimet mund të vinë edhe nga shkaqe institucionale prej mangësive në mjete, keqorganizimit, mbingarkesës ose mos mirë koordinimit nga ana e administratës. Rreziqet përkundrazi kanë më së shumti prejardhje institucionale: mangësi të planifikimit, keq menaxhimi, prej mos kontrollit, mos monitorimit, të papërgjegjshmërisë nga ana e drejtueseve të institucioneve. Rreziqet më të shpeshta shëndetësore për të sëmurët në spitale lidhen me ndërhyrjet kirurgjikale, ato diagnostike dhe kurative sidomos në organet vitale, rreziqe nga barnat, efektet anësore të tyre nga rrezatimi, nga serumet e transfuzionet e gjakut, nga praktika klinike jo korrekte (pa protokolle), nga teknologjia e vjetër e keqpërdorimi i saj. Rrezik janë infeksionet e mara në spitale të cilat janë vërejtur tek ne rreth 3 herë më të shpeshta se në Evropë. E keqja është që tek ne këto rreziqe harrohen, nëvleftësohen, nuk identifikohen, nuk monitorizohen e nuk raportohen publikisht. Të sëmurët nuk informohen me hollësi paraprakisht për to që pastaj t’u kërkohet konsensusi prej tyre. Me problematikë mangësitë e përgjegjshmërisë dhe impenjimi anemik për të mos thënë inekzistent nga ana e drejtuesve lidhur me hartimin e strategjive, krijimin e barrierave e platformave parandaluese për minimizimin e rreziqeve të njohura e të pritshme. Mungesa e transparencës e llogaridhënies publike për to është fenomen i gjeneralizuar në sistemin tonë shëndetësor. Në vend të tyre dëgjohen në rutinë retorike agjitpopriste me frazeologji justifikuese.

Mangësitë e tilla padyshim përbëjnë shkelje të kartës së të drejtave të pacientëve e konkretisht të neneve për informimin dhe kujdes mjekësor të sigurt ndaj tyre. Mjekët e administratorët e spitaleve që me të drejtë ankohen për kriminalizimin eksesiv të p merituar të gabimeve apo të metave gjatë kujdesit klinik duhet të ndërgjegjësohen edhe për detyrimet e borxhet shumë herë më të mëdha që ata u kanë pacientëve për trajtimin mjekësor jashtë standarteve të tyre, jo rrallë pa protokolle klinike, me arrogancë e jo në përputhje me etikën e praktikën mjekësore të sotme të mundshme më të mirë.

Sfidat e sigurisë në mjekësinë tonë

Ngjarjet e bujshme fatkeqe si i Aidës meritojnë analizë dhe reflektim për një përgjegjshmëri më të lartë ndaj sigurisë së pacienteve dhe stafit të institucioneve si vlerë prioritare në gjykimin e cilësisë së tyre. Pa sigurinë e të sëmurëve shumë pak vlejnë treguesit e tjerë të veprimtarisë së një institucioni mjekësor. Prandaj në Francë dhe më vonë në Serbi spitalet nuk mund të akreditohen pa plotësuar detyrimisht e si parakusht më parë standartet e sigurisë.

E vërteta është se siguria për të sëmurët në institucionet tona mjekësore mbetet ende fushë jo mirë e njohur si nga ana e politikëbërësve, e profesionistëve bluzë bardhë, ashtu dhe nga ana e vet pacientëve, mediat dhe qytetarët në përgjithësi. Kultura e sigurisë së tillë është e dobët ose inekzistente. Të besosh se do të ndodh dhe e pabesueshmja dhe të përgatitesh paraprakisht të përballesh me të është një nga elementët e saj. Tragjedia e fundit me Aidën nuk duhet harruar. Është naive të besojmë se diku e dikur nuk mund të ndodh me dikë tjetër e njëjta mynxyrë apo diçka e ngjashme me të. Ndofta kjo edhe tek të afërmit tonë ose tek ne vet. Mos të harrojmë se siguria në terrenin e një shkence jo ekzakte si mjekësia është e brishtë e nuk mbin spontanisht. As bie ajo nga qielli. Ajo duhet krijuar, rritur dhe menaxhuar aktivisht. Principet, standartet dhe treguesit vlerësues të saj janë tek ne të botuara por fatkeqësisht rrallë ato njihen dhe akoma më rrallë zbatohen e raportohen.

Nga retorikat dhe justifikimet, në veprim

Vlerësimi i sigurisë të një institucioni shëndetësor do duhet të bazohet në katër tregues kryesorë: Në çfarë mase pacientët dhe personeli që u shërben rrezikohen të dëmtohen shëndetësisht? Në ç’masë drejtuesit e institucionit i njohin dhe i plotësojnë standartet e sigurisë, identifikojnë dhe monitorizojnë rreziqet e pritshme dhe ndërtojnë platforma dhe barriera për minimizimin e tyre? Sa i ndërgjegjshëm është stafi profesional për të raportuar vullnetarisht dhe për të vetëkorrigjuar e parandaluar gabimet eventuale pa dashje?  Dhe së katërti, në ç’masë pacientët e dëmtuar shëndetësisht në të shpërblehen financiarisht? Për fat të keq këto tregues nuk njihen e nuk zbatohen në shëndetësinë tonë.

Matja dhe raportimi i standarteve të sigurisë të krijuara në Qendrën tonë Kombëtare të Cilësisë dhe Akreditimit rrallë po kryen, ndonëse ligjërisht kërkohen detyrimisht. Në analizat vjetore të institucioneve shumë rrallë flitet për to. Frika e ndëshkimit për gabimet është mjaft e përhapur tek personeli ynë mjekësor dhe frymë e justifikimit, e vetëshfajësimit nga administrata spitalore gjithashtu. Për pasojë pa transparencë dhe përgjegjshmëri për te siguria në mjekësinë tonë nuk ka si të përmirësohet. Ngjarje të tjera të bujshme do ndodhin në këto rrethana domosdo. Ndërkohë pacientët e dëmtuar padrejtësisht vazhdojnë shumë rrallë të zhdëmtohen financiarisht sipas të drejtës së legjitimit.

Të hiqen prangat. T’i shtrëngojmë duart

Nenet 96 dhe 97 të ligjit përkatës i tipit lindor ndëshkojnë me tepri mjekët tanë për “neglizhencë dhe mosdhënie ndihme” duke u dhënë gabimeve në detyrë karakter penal. Kjo nuk krijon asnjë dobi të sëmurëve. Çfarë përfitojnë ata nga prangosja e burgosja e mjekëve? Akoma më pak përfiton shoqëria jonë. Kjo vetëm ka krijuar e po nxit atmosferën absurde konfliktuale mjek–pacient. Ajo që i hyn në punë pacientëve është shpërblimi financiar për demin e pësuar. Pikërisht kjo çuditërisht shumë rrallë bëhet. Prandaj ligji duhet ndryshuar. Të dekriminalizohet. Gabimet e “bardha” të paqëllimshme aksidentale ose “gabime në detyrë” siç i quan e sugjeron juristi amerikan Eduard Sanocki nuk konsiderohen askund penale por thjesht civile. Mjeku,- thotë ai,- nuk duhet për to t’i hiqet licenca as t’i mbyllet praktika. Ne vende të BE agjenci të veçanta siguracioni funksionojnë për të mbuluar shpenzimet e zhdëmtimit apo litigimit të pacienteve qoftë nga ana e mjekut si individ apo nga institucioni ku pacienti ka qenë shtruar e është dëmtuar. Tek ne një praktikë dhe agjenci të një siguracioni të posaçëm të tillë ende nuk është instaluar.

Ndërkohë të sëmurët tanë të pandërgjegjësuar dhe të pa mirëorganizuar për të mbrojtur të drejtat e tyre kanë qenë kënaqur deri sot emocionalisht me prangosjen e ndonjë mjeku. Por kohë të reja po vinë. Kohë të mira pragmatike për ta dhe të vështira për mjekësinë. Kjo do duhet tash e tutje t’i ruhet më shume se çdo herë gabimeve e dëmtimeve ndaj të sëmurëve, për të mos u paguar atyre si në gjithë boten litigimin në shuma marramendëse financiare. Çka me përjashtime të rralla u ka pas qenë mohuar përgjithësisht të sëmurëve tanë të dëmtuar. Është koha që të sëmurët tanë dhe mjekët të mirëkuptohen dhe të shtrëngojnë duart me korrektësi me njëri-tjetrin. Dhe që shëndetësia jonë t’i japë fund nënvleftësimit naiv të deritashëm ndaj sigurisë së të sëmurëve dhe të stafit mjekësor në institucionet e saj.

Postime të ngjashme

Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Kastraveci: Këto janë përfitimet e tij më të rëndësishme
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
Zakonet që do t'ju "shpëtojnë" nga fryrja e barkut
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu