Yll Limani: Preferoj të fitoj publikun, jo çmimet

Bisedoi: Elena Beta

Nga edicioni “The Voice of Albania” drejt sukseseve të padiskutueshme që ndoqën baladat e tij (Najher, Shiu), pjesëmarrja në edicionin e 55-të të Festivalit të Këngës në RTSH është vetëm fillimi i rrugëtimit të Yll Limanit në botën e muzikës dhe skenës. Një 22-vjeçar nga Prishtina me një zë brilant, i apasionuar pas romaneve, me perceptime të qarta rreth asaj çfarë përcjell tek të të tjerët, është një ndër modelet më të mirë që ekrani mund të përcjellë për brezin e ri.
Në këtë intervistë për gazetën “Shëndet+”, Ylli rrëfen diçka më shumë për veten, projektin e tij më të ri “Shiu”, cili është mjeku që viziton më shpesh, pasion për artin dhe të bukurën…

Yll, je i njohur së fundmi për baladat prekëse dhe zërin e ëmbël. Muzika për ty është pasion apo trashëgimi?
Muzika është pjesë e pandashme e identitetit tim. Është trashëgimi sepse rrjedh nga një familje muzikantësh, por nga ana tjetër është më shumë se aq. Është pasion, është diçka që sado që mund të tingëllojë klishe, nuk përshkruhet dot me asnjë lloj përgjigje.

“The Voice of Albania” ka qenë trampolina e duhur që të shërbeu të ndikoje te publiku. Çfarë mendon se kanë pëlqyer më shumë njerëzit tek ti?
Njerëzve u pëlqeu Ylli. Kishte zëra të tjerë të bukur në edicion, por mendoj se ajo çka më bëri të pëlqyeshëm tek publiku ishte thjesht ajo çka përfaqësoja: një djalë të ri, që di të këndojë dhe nuk pretendon të fitojë çmime, por të fitojë publikun.

Shiu, një nga projektet më të reja, është një baladë e dhimbshme dashurie. Çfarë të frymëzon në realizimin e baladave të tilla? Ia kushton ndonjë personi të veçantë apo janë ato që të përshtaten më shumë me zërin?
“Shiu” është kënga e adoleshencës sime. Tani që jam 22 vjeç, mendoj se jam më i aftë të artikuloj ndjenja dhe përjetime që kanë ndodhur kohë më parë. Ndoshta është pak edhe ngjyra e zërit që i jep një dimension tjetër këngëve të mia, por mendoj që në fund të ditës melodia e bukur me një tekst domethënës do të rezultojë patjetër në një baladë të bukur.

Mendon se bën një jetë të shëndetshme, domethënë a e ke kohën të ushqehesh shëndetshëm, të bësh palestër…?
Jo, dhe kjo e bën këtë intervistë shumë ironike (hahahahaha po tallem). Ha shëndetshëm deri diku… palestrën do ta filloj së shpejti dhe shpresoj të kem një fillim të mbarë.

Marrëdhënia me ushqimin si është? Çfarë nuk të pëlqen?
Nuk më pëlqejnë specat e mbushur (qesh). Nëna ime akoma mendon se nuk jam i uritur kur nuk ha speca të mbushur, por besoj që, pasi të lexojë këtë intervistë, do të bindet që thjesht nuk më pëlqejnë.

Po marrëdhënia jote me duhanin…?
Rrethi im shoqëror pi cigare, producentët me të cilët unë bashkëpunoj pinë cigare, kështu që edhe pse nuk e konsumoj, jam pirës i dorës së dytë, pasi jam i ekspozuar shumë ndaj duhanpirjes.

Cili është mjeku që viziton më shpesh?
Mjeku që vizitoj më shpesh është ai i dhëmbëve. Kam një lloj manie me dhëmbët dhe shkoj në kontroll disa herë në vit.

Përveç muzikës, romanet janë një pasion i yti. Cili është shkrimtari yt i preferuar?
Jam rritur me serinë e librave të “Harri Poter” nga JK Rowling, pastaj kalova tek romanet e mrekullueshme të Ismail Kadaresë, duke vazhduar me Haruki Murakami, George Orwell etj. Të rrallë janë njerëzit që mund të japin përgjigje përfundimtare në pyetjen se cilët janë autorët e tyre të preferuar, pasiqë, kur je adhurues i librit, është e vështirë të bësh dallime mes këtij apo atij autori. Me rëndësi është të jetë libër i mirë.

Operacionet plastike janë bërë trend vitet e fundit. Preferon një fytyrë perfekte me ndërhyrje kirurgjikale apo një fytyrë normale “bio”?
E konsideroj si shumë normale një ndërhyrje kirurgjike nga dikush që nuk ndihet mirë me fizikun e tij/saj. Përderisa nuk e vë në rrezik shëndetin tënd, nuk mendoj që operiacionet plastike kanë ndonjë gjë të keqe. Mirëpo, kemi parë se ndërhyrjet plastike shpesh çojnë që shumë fytyra të njohura publike të ngjajnë të gjitha me njëra-tjetrën. Kjo pastaj ngre shumë pikëpyetje.

Ç’do të thotë për ty lumturi?
Lumturi për mua do të thotë të çosh deri në fund një punë që ke nisur, dhe pastaj të kënaqesh duke shijuar suksesin e rezultatit të asaj pune.

Çfarë është dashuria për ty?
Termi “dashuri” për mua ka ndërruar kuptime një milion herë (qesh)… por gjithsesi, sot, dashuri konsideroj thjesht ndjenjën më të magjishme që mund ta përshkojë qenien tonë. E keqja është se zakonisht e zbulojmë kur nuk e kemi më, kur pushojmë së përjetuari… dhe duhet kaluar nëpër zjarr e hi që kur të kemi fatin ta përjetojmë përsëri, të dimë ta ruajmë dhe ta vlerësojmë për sa zgjat.

Një mesazh për lexuesit e gazetës “Shëndet +”
Hani shëndetshëm, pini shumë ujë dhe rrini larg ushqimeve, pijeve, ambienteve dhe njerëzve që thjesht nuk ju bëjnë mirë (qesh).

Postime të ngjashme

Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore
5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet