Talasemia, sëmundja e trashëguar e gjakut dhe rëndësia e një analize të thjeshtë

Bisedoi: Elona Tereziu

Talasemitë janë një grup anemish kongjenitale të karakterizuara nga një defekt gjenetik i sintezës së hemoglobinës (një proteinë në rruazat e kuqe) që ka për detyrë transportin e oksigjenit në të gjitha qelizat e trupit. Një ose më shumë defekte në molekulat e saj bëhen shkak për forma të ndryshme talasemish.

Të konsideruara si çrregullimi gjenetik më i përhapur në botë, statistikat tregojnë se në Amerikë rreth 3% e popullsisë është e prekur nga një mutacion i gjenit të talasemisë, në zonën e Mesdheut 2-18%, në Evropë 0-19%, në Azinë e jugut 0-11%, në Afrikë 0-12%, në Paqësorin Perëndimor 0-13%. Për sa i përket vendit tonë, zonat ku haset më shpesh është ajo e Myzeqesë (Fier, Lushnjë, Kavajë dhe më pak në Vlorë e Durrës).

Ariana Zaka, mjeke hematologe pranë Qendrës së Hemoglobinopative në Lushnjë, tregon për gazetën “Shëndet +” shkaqet e sëmundjes, duke theksuar se do të mjaftonte vetëm një analizë të thjeshtë gjaku (Elektroforeza e Hemoglobinës) për parandalimin e lindjeve të reja me këtë crregullim gjenetik.

Më tej, duke folur për mënyrat e trajtimit, ajo sjell edhe një pasqyrë të sitatës aktuale nga Qendra e Hemoglobinopative Lushnjë, një nga më problematiket jo vetëm për shkak të numrit të lartë të pacientëve, por edhe mungesës së gjakut pothuasje në çdo ditë të vitit, ku nga 3500-4000 flakon gjak që duhen në vit për të gjithë pacientët, shpërndahen vetëm 2700-2800.

Çfarë është Talasemia?

Talasemitë janë një grup anemish kongjenitale, që kanë sintezë deficiente kuantitative jo të zakonshme të një ose më shumë zinxhirë polipetidike të globinës e hemoglobinës normale humane adulte, si pasojë e defekteve gjenetike. Rëndësia klinike e këtyre sindromave është në raport me shkallën e reduktimit të sintezës së α dhe β globinave. Talasemia është sëmundje gjenetike autozomale recesive tepër komplekse. Në varësi të vargut polipeptidik që mungon, kemi dy forma: α dhe β talasemie.

Sa shpesh haset kjo patologji?

Talasemitë janë konsideruar si çrregullimi gjenetik më i përhapur në botë. α talasemia është me e shpeshtë në Azinë e Jugut dhe në Kinë, kurse β talasemitë janë me të shpeshta në Lindjen e Mesme, Greqi, Shqipëri, Itali dhe Evropën e Veriut. Talasemitë kanë prekur kryesisht zonat që lagen nga Deti Mesdhe dhe zonat e prekura nga malaria. Edhe në vendin tonë është e prekur kryesisht zona e Myzeqesë (Fier, Lushnjë, Kavajë dhe më pak në Vlorë e Durrës). Meqenëse në vendin tonë α talasemia është shumë e rrallë, do të flasim vetëm për β talaseminë. Në Amerikë: 0-3% e popullsisë është e prekur nga një mutacion i gjenit të talasemisë, në zonën e Mesdheut: 2-18% është e prekur, në Evropë: 0-19%   është e prekur, në Azinë e jugut 0-11% është e prekur, në Afrikë 0-12% është e prekur, në Paqësorin perëndimor: 0-13% është e prekur.

Situata në Lushnjë:

Në Qendrën e Hemoglobinopative në Lushnjë ndiqen 129 pacientë me Talasemi Major, të cilët janë të moshave të ndryshme nga 1.5 vjeç deri 65 vjeç. Këta të sëmurë marrin gjak çdo 2-3 javë, sipas nevojave që kanë. Pacientët janë përkatësisht nga Lushnja 60 pacientë, nga Fieri janë 46 pacientë, nga Berati 11 pacientë, nga Vlora 7 pacientë dhe nga Elbasani 5 pacientë. 180 pacientë janë me anemi të tjera të lindura si Drepanocitoze apo talaso-drepanocitoze. Rreth 70-80 pacientë të tjerë ndiqen në Qendrën e Hemoglobinopatisë në Tiranë të cilët janë nga qytete të ndryshme.

Cilat janë format klinike dhe shenjat karakteristike të sëmundjes?

  1. Talasemia minore: vetëm në njërin nga alelet e β globinës ka ndodhur mutacion (β+/β) ose (β°/β). Individët mund të vuajnë nga anemia mikrocitare. Zbulimi i këtyre personave bëhet rastësisht. Këta janë persona të shëndetshëm por mund të lindin fëmijë të sëmurë.
  2. Talasemia intermedia: është forma e mesme midis formës minore dhe madhore (β+/β+ ose β°/β°). Këta pacientë ndonjëherë kanë nevojë për hemotransfuzion si për shembull: shtatzëni, infeksion pra në varësi të anemisë.
  3. Talasemia majore: të dyja alelet kanë mutacione të talasemisë (β+/β°, β°/β°, β+/ β+) dhe shfaq anemi mikrolitike hipokrome. Pa mjekim shkakton anemi, splenomegali dhe deformim të kockave. Forma e rëndë e Talasemisë që duhet të marrë transfuzion për të jetuar.

Të dhënat klinike të β talasemi major:

  • Anemia është simptoma e hershme e sëmundjes që shfaqet zakonisht që në vitin e parë të jetës.
  • Deformimi i kockave: Pacientët e pa transfuzuar ose të transfuzuar pak, zhvillojnë deformime të kockave. Kafka e madhe e deformuar në pjesën frontale dhe posteriore. Shkurtësia e kockave të gjata është e shpeshtë.
  • Osteoporoza: ulja e densitetit mineral të kockave mund të jap fraktura. Osteoporoza vjen nga ekspozimi i palcës së kockave, disfunksioni endokrin dhe mbingarkesa me hekur. Frakturat janë të shpeshta në talasemi.
  • Kolelitiaza: gurët në tëmth janë gjetur në 4-25% të pacientëve.
  • Komplikacionet trombotike: janë gjetur 4% të talasemive majore dhe 10% të talasemive intermedia.

Si vendoset diagnoza e sëmundjes?

-Shenjat dhe simptomat (nga ankesat e pacientëve në simptomat si zbehje, mosshtim në peshë).

-Ekzaminimi fizik (splenomegali, ikter, etj).

-Historia familjare pozitive për talasemi.

-Diagnoza prenatale: bëhet zakonisht nga vilet koriale në javën e 10-12 të shtatzënisë. ADN fetale mund të merren nga amniocitet në javën 15-17 të shtatzënisë.

-Për çdo pacient të dyshuar, bëhet në radhë të parë numërimi i plotë elektronik i qelizave të gjakut.

-Të gjithë parametrat eritrocitare kanë rëndësi në vlerësimin e gjendjes.

-Testi i parë diagnostik është elektroforeza e hemoglobinës, ku maten fraksionet e Hb.

-Matet ferritina serike, kapaciteti total lidhës i hekurit, hekuri serik dhe folatet eritrocitare për të përjashtuar anemitë e tjera mikrocitare./ Shendeti.com.al

 

 

 

Postime të ngjashme

3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore